Mapo Letrare

Shqipëria pati një Mbretëri pa Pallat, sot ka një Pallat pa Mbretëri!

fevziuNga Blendi Fevziu* 

 



Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Ju falenderoj që jeni këtu në promovimin e librit që i kushtohet një figure të rëndësishme historike të këtij vendi. Kemi mbledhur bashkë në këtë sallë, lexues të devotshëm, të apasionuar pas historisë, fansa të Ahmet Zogut dhe kundërshtarë politikë të tij; njerëz që e njohin historinë dhe ata që s’iu intereson fare ajo. Por të gjitha bashkë janë pjesë e paneleve të emisionit OPINION dhe për këtë ju falenderoj sërish!

Zgjedhja e këtij vendi nuk ka qenë e rastësishme. As çështje e një çmimi shumë të favorshëm dhe dukshëm më të ulët sesa vendet kult të pritjeve në Tiranë. Ky Pallat është i lidhur pazgjidhshmërisht me personazhin të cilin trajton ky libër dhe me dramën më të madhe të jetës së tij. Kur Zogu iu kërkoi arkitektëve italianë që të identifikonin një pallat të denjë për Mbretërinë e tij, ata i propozuan si version të parë Kodrat e Linzës dhe të dytë, këto të Saukut. Vendimi i Zogut nuk ishte urbanistik, as arkitektonik, por politik. Në vitet e trazuara ’20-‘24, Linza ishte zona prej nga rebelët që luftonin kundër qeverisë, zbrisnin në kryeqytet nga Shkalla e Tujanit. Sauku ishte zona prej nga qeveria dhe deputetët e kërcënuar largoheshin në drejtim të Elbasanit për t’u mbrojtur atje. Kjo zgjaste për sa kohë kryengritja vijonte dhe me dështimin e saj ktheheshin sërish. Zogu zgjodhi Saukun, pa e ditur që një ditë prilli të vitit 1939 do të ikte pikërisht prej këtej, duke parë për të fundit herë karabinanë e Pallatit që nuk e inauguroi kurrë. Në vitet e Mbretërisë ai nuk jetoi dot në një Pallat të tijin, por në një shtëpi me qira. Është paradoksale, por e vërtetë. Shqipëria pati një Mbretëri pa Pallat, por sot ka një Pallat pa Mbretëri!

Nuk dua të flas gjatë për personalitetin e Zogut, sepse për këtë kemi një material filmik më pas. Dhe nuk dua t’iu heq atyre që s’e kanë lexuar kuriozitetin e librit.

Unë mendoj se Zogu është një personazh i rëndësishëm i historisë së Shqipërisë, një personazh mbi të cilin shpifja, shtrembërimi, interpretimi denigrues, keqkuptimi, kanë goditur rëndë dhe në mënyrë të pamerituar. Kjo fushatë 50- vjeçare ka lënë gjurmët e saj, duke u bërë dy herë më e dëmshme. E para, për atë që kishte prodhuar dhe e dyta, për një tendencë kompensimi që shkoi drejt trajtimit të Zogut si një figurë pa asnjë cen dhe asgjë për t’u kritikuar. Të dyja të dëmshme dhe problematike. Zogu ishte një figurë politike si gjithë të tjerat. Një i ri që befasoi vendin me energjinë dhe aftësinë e tij, një politikan karizmatik. Koha e tij ishte një kohë interesante. Ishte një moment i fillesave të një shteti të vërtetë që erdhi duke marrë formë; ishte një tentativë për modernizim; një tentativë për t’iu afruar fqinjëve dhe për t’iu imponuar atyre. Ishte një kohë ndryshimi të madh, por jo një kohë për t’u idealizuar. Edhe brenda saj ka nënndarje. Vitet e para janë padyshim mbresëlënëse, ndërsa vitet e fundit të Mbretërisë filluan të perceptohen si regresive. E di që familjarët e Zogut mund të jenë të mërzitur nga ky libër, por ata duhet të kuptojnë që një familjar i mirë mund të jetë një politikan plot kontradikta dhe një politikan brilant, një familjar i keq. Janë dy nocione që nuk duhen përzierë dhe as ngatërruar. Ata duhet të besojnë në shprehjen e Salvador Dalisë, që aq shumë i shkon Zogut: “Gabimet e së shkuarës janë të shenjta, asnjëherë mos tentoni t”i korrektoni…”.

Unë kam cituar Zogun, që citonte nga ana e tij Napoleonin. Të dy ishin njerëz që fati i kishte përkëdhelur, i kishte veshur me triumf dhe lavdi në një moshë shumë të re. Të mbushur me sukses, ata mendonin se e pamundura nuk ekziston dhe në fund, që të dy u bënë pre e gjërave të pamundura. Asnjëherë njeriu s’duhet të ketë besim se mund të bëjë dhe të fitojë gjithçka. E pamundura mbetet e pamundur, aty ku është. Ka të bëjë me limitet njerëzore, qofshin këto edhe fizike.

Po i rikthehem edhe një herë fabulës së fillimit. Asaj të Mbretërisë pa Pallat dhe të Pallatit pa Mbret!

Kur Zogu hapi përpara bashkëshortes së tij planet e Pallatit; kur ai i tregoi gazetës “Nju Jork Times” projektin e tij, ishte tejet entuziast. Jam i sigurt që ai kishte menduar një pallat që ziente nga zhurmat, oborrtarët, adjutantët, padyshim fëmijët dhe familjarët. Ai kishte menduar një pallat të vërtetë mbretëror, që për fatin e tij të keq, nuk u bë kurrë i tillë. Gjurmët e pallatit që sapo kish nisur të ndërtohej, italianët i transformuan. Gerardo Bosio projektoi një ndërtesë të re, që sot është Pallati i vetëm Mbretëror i shekullit XX dhe i vetmi në botë në stilin racionalist. Studiues të arkitekturës janë mrekulluar prej tij, por qytetarët, edhe shumë prej këtyre që janë sot këtu, nuk e kanë parë ose e shohin për herë të parë. Pallati i gjallë ekziston që prej 74 vitesh si një diamant i braktisur. Mbreti për të cilin u projektua, Zogu, nuk hyri dot asnjë ditë; Mbreti për të cilin u ndërtua, Viktor Emanueli III, nuk fjeti asnjë natë në të, Jakomoni qëndroi thuajse një vit dhe që nga ajo kohë, vetëm vizitorë sporadikë kanë thyer heshtjen e shurdhët të një pallati që s’u bë kurrë i tillë. Sot, besoj se ka ardhur dita që ky pallat të hapet për vizitorët. Le ta braktisim harrimin dhe rrënimin e tij në vite, duke ia rikthyer qytetarëve; dhe jo vetëm atyre, por duke e kthyer në një objekt krenarie për turistët e huaj, që vërtiten rrugëve të Tiranës në kërkim të një dëshmie historike dhe nuk kanë mundësinë të shohin një perlë të tillë.

Besoj se atë ditë, ky Pallat që nuk i shërbeu kurrë një Mbreti, që s’u bë kurrë pika e rëndesës e një mbretërie, mund të jetë qendra e krenarisë së një kombi! Ndaj ju ftoj të vizitoni edhe apartamentet mbretërore, që me shumë respekt janë hapur sot për të gjithë ju!

 

***Fjala e mbajtur në promovimin e librit “Ahmet Zogu, Presidenti që u bë Mbret”

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas