Kryesore, Mapo Format

Shqipëria në prag të valës së emigrantëve nga lindja

Kancelari austriak Sebastian Kurz jep alarmin në takimin me Ramën: “Kontrabandistët po përpiqen të marrin emigrantët nga Greqia dhe përmes rrugës së Shqipërisë synohet Europa Qendrore”. Rama premton bashkëpunim për këtë çështje për të parandaluar fluksin masiv me të cilin pritet të përballet Shqipëria. Çfarë u tha në takim për hapjen e negociatave dhe skepticizmi i disa vendeve të BE-së.

Kryeministri Edi Rama u nis drejt Austrisë për të marrë një “Po” të pastër për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, por agjenda politike ndërkombëtare dhe zhvillimet e fundit, e kanë zhvendosur vëmendjen, në krizën e mundshme të refugjatëve dhe rrezikun që Shqipëria të bëhet pritëse e parë e fluksit masiv. “Tema kryesore për të cilën ne folëm sot (dje) ishte lufta kudër imigracionit ilegal. Ne po përjetojmë në Ballkan, në këtë moment, një rrugë të re të migracionit. Kontrabandistët përpiqen që njerëzit t’i marrin nga Greqia përmes rrugës së Shqipërisë në Europën Qendrore. Kjo ka një rëndësi shumë të madhe, sepse duhet të luftojmë kundër këtij fenomeni dhe kundër kësaj rruge”. Kështu deklaroi dje kancelari austriak Sebastian Kurz, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, shifrat e refugjatëve po rriten dhe problemi duhet të trajtohet që tani, përpara se të bëhen shumë të mëdha, siç ka qenë rasti në 2015-ën dhe në 2017-ën. “Kryeministri më ka kërkuar që unë ta mbështes dhe unë kam thënë që do të qëndrojmë dhe do ta mbështesim fort Shqipërinë që të ketë dhe një mbështete financiare për Shqipërinë, por edhe vendet e tjera që janë në rrugën e re të Ballkanit dhe gjithashtu në mënyrë që të luftojmë këtë migracion ilegal” -shtoi Kurz. Kjo çështje ka marrë vëmendjen e mediave vendase dhe sipas tyre, Kancelari Sebastian Kurz ka deklaruar se tani “po krijohet një rrugë e re e refugjatëve në Ballkan”. Refugjatët po kalojnë përmes “rrugës shqiptare”, prej Greqisë nëpër Ballkanin Perëndimor e deri në Slloveni dhe Europën Perëndimore. Gazetat citojnë autoritetet e Austrisë se rrugët do të mbyllen në mënyrë hermetike, në qoftë se vazhdohet me këtë intensitet. Tashmë jemi përballë një fenomeni jo krejtësisht të panjohur, por në rrezik që të përballemi me valë të madhe refugjatësh, kryesisht nga zonat e luftës dhe vendet e Afrikës, që përdorin kufirin grek për të kaluar në Shqipëri dhe më pas synimi mbetet largimi drejt vendeve të Europës Qendrore. Më të rrezikuar nga fluksi i pakontrolluar janë vendet e fundit të pritjes si Austria dhe Gjermani, ndaj qeverisë Shqiptare i është kërkuar që të marrë masat për të menaxhuar situatën e krizës së emigrantëve dhe si “bonus” do ketë mbështetje financiare dhe personel të specializuar nga këto shtete.



Shqipëri e vogël me emigrantë shumë

Duke qenë se Mali i Zi ka forcuar kufijtë me Shqipërinë, vendi ynë mund të përballet me një fluks në shtim të emigrantëve. Deri më tani fluksi nuk ka qenë në nivele shqetësuese, por të dhënat që disponojnë agjencitë e huaja, flasin për lëvizje masive pas përfundimit të Muajit të Ramazanit. Kjo mund të sjellë thuajse krizë të madhe të ngjashme me atë të vitit 2015. “Më vjen shumë mirë që kemi harmoni të plotë me Kancelarin për sa i përket çështjes së shfaqur të një mundësie të një rruge të re në Ballkanin Perëndimor përmes Shqipërisë të migrantëve që tentojnë të lëvizin nga Greqia për të ardhur në Europën Qendrore. Kemi një fluks që rritet në mënyrë shqetësuese, por që për momentin ka qenë tërësisht i kontrolluar prej nesh, ama na duhet një bashkëpunim i ngushtë dhe i menjëhershëm për të shmangur rishfaqjen e skenave që shqetësuan, madje tronditën Europën në vitin 2015”-tha Rama. Gjithashtu kryeministri është ndalur edhe në procesin e rëndësishëm të hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, duke gjetur mbështetjen e Austrisë në parim, por nuk është dhënë ende një datë ekzakte, për më shumë që shtete me peshë si Gjermania, Franca apo Holanda prej kohësh janë skeptik për një vendim pro hapjes së negociatave me Shqipërinë në muajin qershor. I qartë ishte Kurz kur pyetjes për integrimin e Shqipërisë me BE-në iu përgjigj se: “Shqipëria ka bërë shumë në rrugën e integrimit europian në vitet e kaluara dhe negociatat e pranimit janë drejt një rruge të mirë. Ka një mundësi të mirë që të shkojmë në rrugën e reformave. Megjithatë nuk e di se kur do të merret ky vendim. Nuk mund t’jua them akoma, por mund t’ju them që Shqipëria është drejt një rruge të mirë dhe Komisioni Europian e ka përcaktuar dhe e ka thënë këtë”. Duke iu referuar Kancelarit Kurz, Rama shtoi: “Dua ta falënderoj edhe për gatishmërinë e tij për të na ndihmuar në shpjegimin deri në fund të domosdoshmërisë për të vazhduar procesin e integrimit, për të çelur negociatat, sepse Shqipëria e meriton, e ka marrë me meritë këtë rekomandim pozitiv të pakushtëzuar nga Komisioni Europian, edhe me disa vende mike që, siç e tha Kancelari, për arsye të tyre të brendshme janë në pozita pak më skeptike për momentin”. Ndonëse ngjajnë dy çështje të ndryshme, nëse vendi ynë përballet me fluksin e emigrantëve dhe e menaxhon situatën sipas kërkesave të shteteve Europiane, atëherë edhe procesi i integrimit nuk mund të jetë larg. Për më shumë që Rama në këtë situatë është i prirur të pranojë çdo kërkesë që vjen nga vendet e BE-së.

Gjirokastra, pika e parë e pritjes

Në kulmin e krizës së emigrantëve në vitin 2015 Shqipëria nisi përgatitjet për të përballuar fluksin e pritshëm të emigrantëve dhe qendra ku do përqendroheshin ishte Gjirokastra. Fatmirësisht në atë kohë fluksi e emigrantëve që kalonin në Shqipëri ishte relativisht i vogël dhe situata u përballua. Gjendja ishte më emergjente në shtete si Greqia, Maqedonia dhe Serbia, pasi këtë rrugë ndiqnin më së shumti mijëra emigrantë që vinin nga zona e luftës Siri dhe Afganistan. Në situatën aktuale dhe me të dhënat që mbërrijnë për një fazë të re të emigrimit, Shqipëria konsiderohet si zona kyçe ku trafikantët tentojnë të përdorin për të kaluar emigrantët e paligjshëm, duke synuar më pas tranzitin për në Slloveni dhe deri në destinacionin e fundit Austri dhe Gjermani. Nga Ministria e Brendshme shqiptare është planifikuar që në rast të fluksit masiv të ndërtohen kampingje dhe godina pritjeje në Gjirokastër. Përqendrimi vetëm në këtë zonë dhe kontrolli më i rreptë i vijës kufitare me Greqinë do u ngushtonte shtegun trafikantëve që kundrejt pagesave mund të nisnin një tjetër linjë trafiku. Tashmë pas kthimit nga Austria kryeministri Rama do të duhet të vërë në zbatim kërkesën që vjen nga dy kancelaritë e mëdha europiane si Austria dhe Gjermania.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas