Kryesore, Mapo Format

Shqipëria bëhet pjesë e ESS: Universiteti Europian i Tiranës, institucioni koordinues

Universiteti Europian i Tiranës ka zhvilluar aktivitetin lançues të raundit të 9-të të Hulumtimit Social Europian (ESS) ku merr pjesë edhe Shqipëria

ESS është një hulumtim me karakter akademik që zhvillohet në thuajse të gjitha vendet e Europës që nga viti 2001. Çdo dy vjet zhvillohen intervista të thelluara me një kampion të përzgjedhur popullsie që ndryshon sa herë ky hulumtim zhvillohet. Anketa mat qëndrimet, besimet dhe modelet e sjelljes së qytetarëve në më shumë se tridhjetë shtete. Prej vitesh Shqipëria nuk ishte pjesë e këtij hulumtimi dhe si rrjedhojë studiuesit dhe politikëbërësit kishin mangësi të theksuar informacionesh mbi qëndrimet e qytetarëve shqiptarë. Fatmirësisht, këtë vit, si pasojë e punës së palodhur të shumë aktorëve, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, Shqipëria do të jetë pjesë e Hulumtimit Social Europian.



Specifikisht, zbatimi i ESS në Shqipëri mbështetet financiarisht nga “Perform” i cili është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) të zbatuar nga Helvetas Schweiz & University of Fribourg. Projekti ESS në Shqipëri zbatohet nga UET, i cili është institucioni koordinues, në bashkëpunim me INSTAT, i cili do të mbledh dhe përpunojë të dhënat e sondazhit. Po aq me rëndësi, qeveria shqiptare, nëpërmjet Zv.kryeministres Mesi e mbështeti fuqimisht pjesëmarrjen e Shqipërisë në ESS dhe për këtë miratoi dhe VKM përkatëse Nr. 508, datë 4.9.2018. Përfaqësues të këtyre institucioneve ishin të pranishëm në aktivitetin lançues që u zhvillua në UET ku u diskutua për objektivat që përcakton projekti dhe përfitimet që Shqipëria ka nga pjesëmarrja në të.

Në fillim, Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Adrian Civici, u shpreh se pjesëmarrja në ESS vjen në një moment kur Shqipëria ka shumë nevojë për të tilla studime dhe ky projekt është i rëndësishëm dhe pozitiv në shumë aspekte për vendin. Ndërkohë që pjesëmarrja e Universitetit Europian të Tiranës si institucioni koordinues në këtë projekt vjen edhe si rrjedhojë e përgjegjësisë që një institucion arsimor ka përkundrejt dijes. “Unë e shoh shumë pozitiv këtë projekt sepse na fut në një kontekst të studimit të realitetit ekonomik dhe social. Lista e vendeve pjesëmarrëse është shumë impresionuese jo vetëm për faktin e numrit të vendeve por edhe prej ‘gjerësisë’ dhe standardit të të dhënave. Pikërisht duke patur parasysh edhe rolin që duhet të ketë një universitet, UET ka qenë vazhdimisht shumë i hapur dhe shumë i interesuar për t’u bërë pjesë e projekteve të tilla. Ne gjithmonë themi që universitetit apo çdo universitet ka tre detyra, të prodhojë dijen, ta transmetojë dhe ta ruajë atë me qendrat e kërkimit apo biblioteka. Dhe projekte të tilla bëjnë pjesë në prodhimin e njohurive, prodhimin e dijeve dhe në fakt sot statistikat më shumë se gjithçka janë dije. Aq më tepër me tendencat e sotme të elaborimit të big data, kuptimit të realitetit dhe studimit të tij”, u shpreh Presidenti Civici, duke shtuar se është i bindur në ecurinë pozitive të projektit në bashkëpunim me partnerët.

Më pas, drejtoresha e INSTAT, dr. Delina Ibrahimaj, vlerësoi rëndësinë e këtij projekti dhe theksoi se është një rast i veçantë për këtë institucion zhvillimi i projektit në bashkëpunim me akademinë dhe vuri në pah faktin se të tilla bashkëpunime janë të dëshiruara dhe të mirëpritura edhe në të ardhmen. “Në strategjinë e INSTAT ne jemi shumë pro përforcimit të bashkëpunimit me akademinë. Jo vetëm në kërkime të përbashkëta por edhe në procesin e përgjithshëm të analizimit të statistikave. Ne jemi vetëm një institucion dhe ndërkohë universitetet kanë mjaft burime dhe mund të kontribuojnë në analizën e të dhënave, edhe nëpërmjet teknikave moderne të analizimit të të dhënave por edhe në përdorimin e burimeve të tjera alternative të të dhënave”, -tha dr. Ibrahimaj. Qeveria e vendit ka qenë, gjithashtu, një nga faktorët që ka mundësuar aplikimin dhe pranimin e Shqipërisë në ESS. Shefja e Kabinetit në Zyrën e Zv.kryeministres, znj. Xaira Shurdha ishte e pranishme në aktivitet dhe e vlerësoi këtë iniciativë si një hap shumë të rëndësishëm për Shqipërinë edhe në aspektin e integrimit.

Gjithashtu, sipas Profesor Martin Dietz, Project Manager i PLATFORM, pjesëmarrja në ESS, një hulumtim i cili përfshin më shumë se tridhjetë vende, përfshirë ato të Bashkimit Europian, sjell disa përfitime për Shqipërinë. Së pari, “kërkuesit shkencorë të cilët do të marrin pjesë në hulumtim do të përfitojnë shumë trajnime të cilat do të rrisin kompentencat e tyre, pasi ESS i kushton një rëndësi shumë të madhe përgatitjes së tyre. Gjithashtu, do të përfitojnë në aspektin e zgjerimit të network-ut, pasi pjesë e këtij projekti janë gati 3 mijë kërkues shkencor nga vende të ndryshme të Europës që punojnë bashkë dhe kërkuesit shqiptarë mund t’i bashkohen atyre. Kjo padyshim ndikon në rritjen e cilësisë së kërkimit”. Së dyti, “për shkak se këto hulumtime analizojnë të dhëna që kanë të bëjnë me aspektet ekonomike dhe sociale të vendit, të dhënat e përfituara mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë situatën në vend”. Dhe kjo bazë të dhënash iu shërben edhe atyre të cilët përcaktojnë politikat në vend, në mënyrë që të kuptojnë më mirë stabilitetin dhe ndryshimet në strukturën sociale si edhe zhvillimet që po ndodhin dhe të dinë si t’u përgjigjen atyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithashtu ESS, është bërë së fundmi anëtar i ERIC (European Research Infrastructure Consortium). Ndërkohë që ESS ka anëtarë edhe vende jashtë BE, ERIC është pjesë e BE. Fakti që Shqipëria i bashkohet ESS rrjedhimisht edhe ERIC, në kuadrin e aspiratave për integrim në BE është një sinjal shumë i mirë për Bashkimin Europian”, u shpreh Z. Dietz, përfaqësuesi i PLATFORM në këtë aktivitet.

Mbledhja e të dhënave për raundin e 9-të të Hulumtimit Social Europian (ESS) në Shqipëri do të realizohet nga 45 kërkues, të cilët intervistat do t’i zhvillojnë ballë për ballë me kampionin e përzgjedhur. “Do të kemi 45 intervistues nga INSTAT në të gjithë vendin dhe puna pritet të fillojë në 10 dhjetor dhe të përfundojë në 8 shkurt”, është shprehur përfaqësuesi kombëtar i ESS, në Shqipëri, Z. Alban Nelaj. Ndërkohë që kriteret e parashikuara për zhvillimin e tyre janë shumë rigoroze, duke filluar që nga standardi i përkthimit dhe deri te metodologjia e përdorur e cila duhet të jetë njëlloj për të gjitha vendet që do të zbatojnë këtë hulumtim. Rezultatet e këtij hulumtimi pritet të dalin në shtator të vitit 2019.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas