Kryesore, Politika

Shqipëri-Serbi, (s)shkrijnë akujt

ramua

Dy kryeministrat janë përplasur dje në konferencën për shtyp për Kosovën. Rama i kërkoi Serbisë ta njohë atë, ndërsa kryeministri serb, Vuçiç ka hequr kufjet në mënyrë demonstrative duke deklaruar se Kosova është e Serbisë. Nuk i jep dorën Ramës në përfundim të konferencës



Nga Fejzi Braushi

 

Shqipëria dhe Serbia mbeten ende shumë larg të qenit dy vende fqinje normale me njëra-tjetrën.

Natyrisht sepse në mes gjendet historia, e cila më së shumti lidhet me Kosovën. Këtë e vërtetoi dje edhe vizita e shumëpërfolur gjithë këta muaj e kryeministrit Edi Rama në Beograd, ku ai dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç, kanë replikuar ashpër edhe në prani të mediave sa i përket realitetit të ri, të krijuar në Kosovë që pas luftës së vitit 1999.

Kështu, ajo që u konsiderua një vizitë historike, e tillë ishte vetëm për kohën që përsëritet pas 68 vitesh, por jo për nivelin e ri të marrëdhënieve që duhet të vendoste. Madje, përkundrazi, për atë që u deklarua dje por edhe u pasua, ajo që mund të thuhet është se marrëdhëniet mes dy vendeve u futën në një ngërç edhe më të madh.

Shkak është bërë pikërisht deklarata e guximshme dhe pa asnjë rezervë e kryeministrit Edi Rama, i cili në prani të të gjitha mediave të interesuara në një konferencë të përbashkët me Vuçiç nuk e pati problem të flasë edhe për Kosovën si një shtet i pavarur dhe një realitet i pakthyeshëm.

“Sa për Kosovën, kemi dy qëndrime krejt të ndryshme, por realiteti është një dhe krejt i pandryshueshëm. Kosova e pavarur, e njohur deri tani nga 108 vende të ndryshme të botës dhe e mbështetur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është një realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm rajonal dhe europian. Ajo duhet respektuar dhe duhet bërë pjesë, ashtu siç po bëhet, e integrimit europian, si dhe euroatlantik”, – tha Rama.

Por, ndërsa kreu i qeverisë shqiptare po artikulonte pikërisht këto fraza, kryeministri serb, Vuçiç, pasi ka buzëqeshur me ironi, në mënyrë demonstrative për papajtueshmërinë e tij për përmendjen prej Ramës të çështjes së pavarësisë së Kosovës, ka hequr kufjen duke mos e dëgjuar vijimin e ligjërimit të kryeministrit shqiptar.

Pavarësisht kësaj Rama, i cili për shkak se ishte duke mbajtur fjalimin e tij nuk i ka parë gjestet e Vuçiç, ka kërkuar që të gjitha vendet europiane përfshi edhe Serbinë, të njohin këtë realitet të ri për Kosovën.

“Njohja e Kosovës nga vendet europiane që ende nuk e njohin atë është në radhë të parë një çështje sigurie europiane”, – tha Rama.

Kjo pasi sipas tij pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm, i ka dhënë më shumë qartësi perspektivës europiane të rajonit dhe e ka kthyer në strategjik bashkëpunimin mes shqiptarëve në tërësi dhe serbëve në veçanti.

“Çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti është më shumë sesa i mirëpritur prej nesh”, – shtoi më tej Rama në fjalën e tij duke theksuar se Shqipëria e mbështet dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërkohë që në mbyllje të fjalës së tij, fjalën e ka marrë sërish kryeministri serb, i cili me tone të ashpra e ka cilësuar deklaratën e Ramës një provokim dhe përpjekje për të poshtëruar Serbinë në mes të Beogradit.

“Së pari, nuk kam pritur një provokim dhe që do fliste për Kosovën. Nuk do ia lejoj askujt ta ulë Serbinë këtu në mes të Beogradit. Më vjen keq që ka folur për tema që s’ishte parashikuar të flisnim. Kosova është pjesë e Serbisë. Është bukur të flasim hapur që t’i themi njëri-tjetrit sy më sy se çfarë mendojmë”, – tha Vuçiç duke sqaruar se në takimin e përbashkët pa praninë e mediave nuk ishte rënë dakord që Rama të fliste për këtë çështje.

Por nuk e ka lënë me kaq kryeministri shqiptar, i cili duke përfituar nga pyetjet e gazetarëve, i ka kujtuar Vuçiçit që kur të vinte në Tiranë dhe të fliste për qëndrimin e Serbisë për Kosovën, nuk do e merrte për provokim.

“Aleksandër, ju siguroj se në Tiranë, ne nuk do të ndjehemi të provokuar nëse ju do të keni përsëri të njëjtin qëndrim lidhur me Kosovën, por do të ndjehemi thjesht të keqardhur. Sepse është një realitet i njohur botërisht nga më shumë se gjysma e Kombeve të Bashkuara dhe është një realitet që sa më shpejt ta njohim, aq më shpejt mund të lëvizim përpara, në të gjitha drejtimet dhe kuptimet. E përsëris, që mikpritja jo vetëm do të jetë reciproke, por ju siguroj se ju do të ndjeheni shumë mirë në Tiranë dhe në asnjë mënyrë, asnjë fjalë e thënë prej jush nuk do të konsiderohet provokim, pavarësisht se mund të jetë tërësisht e ndryshme nga çfarë ne do të prisnim për një temë apo një temë tjetër”, – do të shprehej Rama.

Por kjo nuk do ta qetësonte aspak situatën, çka u duk dhe në mbyllje të konferencës për shtyp, ku kryeministri serb nuk ka pranuar t’ia japë dorën mysafirit shqiptar, ashtu siç edhe veprohet zakonisht në vizita të tilla, por ka nxituar të largohet i pari nga podiumi, ndërsa i treguar me dorë Ramës daljen nga salla. Ndërkohë që gjatë fjalës së tij në këtë konferencë Rama nuk ka lënë pa prekur edhe çështjen e shqiptarëve të Preshevës, duke kërkuar nga qeveria serbe që të respektojë të drejtat e tyre, ashtu siç edhe Kosova respekton të drejtat e pakicave serbe.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas