Aktualitet

Shpërthejnë virozat, 14 mijë raste në javë

Jonida Tashi

 



Ulja e temperaturave ka rritur ndjeshëm numrin e të prekurve nga virozat e stinës gjatë ditëve të fundit. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), rezultojnë rreth 14 mijë raste me viroza stinore në të gjithë vendin, ku më të prekurit janë fëmijët dhe të moshuarit. Përsa i përket problemeve të shfaqura nga virozat, më së shumti dominojnë infeksionet respiratore të sipërme, ndërkohë që pas nuk ngelet as gripi, por, sipas bluzave të bardha, situata paraqitet normale brenda aktivitetit sezonal. Sipas të dhënave nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, çdo ditë pranë këtij spitali paraqiten rreth 500 raste me simptoma të viruseve stinore. Rreth 320 fëmijë në ditë paraqiten pranë Urgjencës së Pediatrisë, ndërsa mjekët pediatër thonë se viroza e kësaj stine shoqërohet me temperaturë, kollë, të vjella dhe diarre. Por kujdes, sipas mjekëve, duhet të bëjnë dhe të sëmurët kronikë, të cilët rekomandohet të marrin vaksinën. Nga të dhënat e QSUT-së bëhet e ditur se në shërbimin kardiak paraqiten çdo ditë rreth 100 pacientë me viroza stinore dhe rreth 80 në shërbimin e Infektivit. Lidhur me fluksin e fëmijëve në Spitalin Pediatrik të kryeqytetit, që është më i larti i shënuar gjatë viteve të fundit, ndërkohë që urgjenca e tij ka kapacitet për të pritur deri 200 fëmijë në ditë, nëndrejtori i këtij spitali shprehet se gjendja është në kontroll të plotë. Sipas tij, fluksi ka ardhur edhe për shkak të mbylljes së poliklinikave dhe ambulancave në të gjithë qytetin e Tiranës, përgjatë ditëve të festave. Gjithsesi, nëndrejtori i Spitalit Pediatrik, Ariel Çomo, e konsideron normale këtë prurje, duke marrë parasysh të njëjtën periudhë të viteve të shkuara. Nisur nga qarkullimi i virusit në vend, strukturat shëndetësore apelojnë për aplikimin e vaksinës antigrip, veçanërisht grupet më në risk, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë etj. Edhe mjekët këshillojnë marrjen e vaksinës antigrip, e cila lufton 3 lloje virusesh dhe gjendet në të gjitha farmacitë dhe qendrat shëndetësore. Mjekët këshillojnë gjithashtu përdorim me kriter të antibiotikëve, të përshkruar vetëm nga mjeku, në rast të prekjes nga sëmundja, si dhe përdorimin e lëngjeve të frutave dhe çajet e shumëllojshme me prejardhje bimore, që japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet. Mjekët këshillojnë që për fëmijët, por jo vetëm, të shmangen ambientet e mbyllura dhe shumë të populluara, të konsumohen sa më shumë lëngje si dhe të shmangin personat të cilët janë të prekur nga virozat.

 

Këshillat

Qëndroni në shtëpi kur jeni sëmurë

Qëndroni veç nga të tjerët

Ushqehuni shëndetshëm

Përdorni dietë të pasur me proteina, fruta dhe lëngje

Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë

Merrni sa më shumë vitaminë C

Bëni gjumë të mjaftueshëm

Mbuloni gojën dhe hundën me shami kur kolliteni apo teshtini

Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitjeje apo teshtime

Kujdes në përdorimin e antibiotikëve pa rekomandim e mjekut

Evitoni kontaktet me njerëzit

Pastroni dhe dezinfektoni mjediset e banesës

Kërkoni ndihmën e mjekut, në rast të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore

Bëni vaksinën antigrip

 

Grupet e popullatës të cilave u rekomandohet vaksina e gripit janë:

personat mbi 65 vjeç; fëmijët mbi 6 muaj deri në 15 vjeç; të rriturit me sëmundje kronike të zemrës dhe mushkërive, sëmundje metabolike apo të veshkave, sëmundje kronike të mëlçisë, gjendjet kronike neurologjike ose të pamjaftueshmërisë imunitare; personat që jetojnë në institucionet rezidenciale të përkujdesit social dhe me paaftësi; punonjësit e shëndetësisë (përfshirë ata që kujdesen për të moshuarit apo personat me paaftësi); gratë shtatzëna; grupe të tjera sipas situatës epidemiologjike.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas