Kryesore, Sport

Shpenzimet: Serie A kalon 1 miliard euro për afrimet

“Zonja e Vjetër” gjendet në vendin e parë për skuadrat italiane pasi ka shpenzuar 234 milionë euro, ndërsa vendi i dytë mbahet nga Roma

Seria A rikthehet fuqishëm si me nivelin e lojtarëve, ashtu dhe me shpenzime ekonomike. Ai që dikur ishte kampionati më i fortë në botë, vitet e fundit ka vuajtur shumë në Europë e Botë, ku përveç Juves, ekipet e tjera kanë vuajtur shumë për të gjetur vazhdimësi. Sipas statistikave më të fundit, klubet e kampionatit italian kanë shpenzuar 1 miliard e 5 milionë euro e gjenden të dytët vetëm pas skuadrave të Premier League, që kanë shpenzuar 1 miliard e 37 milionë euro. Gjithsesi, merkatoja në Itali mbyllet ditën e premte në orën 20, e me shumë mundësi ata do të ngjiten të parët në këtë klasifikim tepër interesant. Pas Serisë A, vjen La Liga me 778 milionë euro të shpenzuara, Bundesliga me 447 dhe Ligue 1 me 405.



Sigurisht, mund të thuhet se gjithçka filloi nga Juventus, e cila me blerjen e Cristiano Ronaldos, filloi një efekt domino, që u vu re dhe te klubet e tjera. Normalisht, “Zonja e Vjetër” gjendet në vendin e parë për skuadrat italiane pasi ka shpenzuar 234 milionë euro, ndërkohë vendi i dytë që mbahet nga Roma, ka shpenzuar 112 milionë, më pak se gjysma e bardhezinjve. Përveç Ronaldos, Juve ka afruar dhe lojtarë si Bonucci apo Cancelo, lojtarë cilësorë të cilët mund të ndihmojnë kampionët e Italisë të arrijnë ëndrrën e madhe, me emrin Champions League.

Por dhe konkurrentët e tyre nuk mbeten pas. Roma, Inter, Napoli dhe Milani kanë bërë dhe mund të bëjnë blerje të tjera në mënyrë që të thyejnë hegjemoninë e krijuar nga bardhezinjtë në Serinë A. Secili klub ka arritur të marrë lojtarë si N’Zonzi, Vrsajlko, Politano, Higuain apo Bakayoko, që mund të ndihmojnë skuadrat respektive për të arritur synimet në kampionat e jo vetëm. Ky sezon në kampionatin italian pritet të jetë spektakolar.

Rivaliteti

Vite më parë futbolli italian ishte ndër më të mirët në botë, me rivalitet të madh mes klubeve, lojtarë të jashtëzakonshëm dhe futboll të fortë. Në Serie A dikur luanin Diego Maradona (Napoli) e Michel Platini (Juventus). Pastaj kishte lojtarë si Paul Gascoigne, Lothar Matthaus, Dennis Bergkamp, Ronaldo Nazario dhe Zinedine Zidane, që luajtën për klube të mëdha të këtij vendi. Gjatë viteve 1990, ekipet italiane luajtën në 25 finale të garave më të mëdha evropiane; Ligën e Kampionëve, Kupën e UEFA-s dhe Kupën e Fituesve të Kupës, duke fituar 13 trofe. Problemet si skandali i Calciopolit dhe rritja e mundësisë financiare të LaLiga dhe Ligës Premier, pakësuan atraktivitetin e Series A , por këtë verë ajo kërcënon rikthimin e saj.

Kalimi i Cristiano Ronaldos në Juventus dhe harxhimi i 895 milionë eurove nga klubet kanë lënë pas dukshëm kampionate si ato të Spanjës, Francës dhe Gjermanisë.

Kufizimet nga FIFA

Përballë transferimeve që thyhen çdo rekord edhe këtë verë në futbollin europian, drejtuesit e futbollit botëror kërkojnë shpjegime. Presidenti i FIFA-s Xhani Infantino ka kërkuar prej kohësh nga institucionet që kanë përgjegjësinë financiare, të luftojnë sistemin e transferimeve. FIFA është përgjegjëse për rregullimin e transfertave mes klubeve në shtete të ndryshme, bazuar në një akord të vitit 2001 me Komisionin Europian.

 

Klubet e Serie A që kanë shpenzuar më shumë

  1. Juventus 234,9
  2. Roma 112,6
  3. Napoli 95,5
  4. Inter 85,5
  5. Milan 81
  6. Torino 49
  7. Lazio 43
  8. Genoa 40,2
  9. Udinese 36
  10. Atalanta 33
  11. Bologna 31,8
  12. Fiorentina 31,5
  13. Sampdoria 31,1
  14. Sassuolo 30,7
  15. Cagliari 22,5
  16. Empoli 14,7
  17. Parma 12,7
  18. Spal 9,95
  19. Chievo 6,55
  20. Frosinone 3,7

Transferimet më të shtrenjta në Serie A

  1. Cristiano Ronaldo 100 milioni (nga Real Madrid te Juve)
  2. Joao Cancelo 40,4 (nga Valencia te Juventus)
  3. Radja Nainggolan 38 (nga Roma tek Inter)
  4. Leonardo Bonucci 35 (nga Milan te Juve) ; Mattia Caldara 35 (nga Juve te Milan)
  5. Fabian Ruiz 30 (nga Betis te Napoli)
  6. Steven N’Zonzi 26,65+4 bonus (nga Sevilla te Roma)
  7. Alex Meret 25 (nga Udinese te Napoli)
  8. Javier Pastore 24,7 (nga PSG te Roma)
  9. Simone Verdi 23+2 (nga Bologna te Napoli)
  10. Lautaro Martinez 22+3 (nga Racing tek Inter)

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas