Mapo Format, Universitet

Shkolla Pranverore e Lidershipit në UET, flasin të rinjtë pjesëmarrës: Kuptuam rëndësinë e studimit dhe fuqinë e liderit

30 të rinj, presidentë te qeverive studentore, maturante të rrjetit të ekselencës nga gjimnaze të ndryshme të Shqipërisë, të cilët kanë nisur t’i aplikojnë që tani aftësitë e tyre të lidershipit, duke drejtuar qeveri studentore synojnë të jenë nesër liderët e ardhshëm në politikë dhe jetën publike. Pikasja e tyre në bankat e shkollës është edhe synimi i Universitetit Europian të Tiranës, i cili e ka kthyer Shkollën Pranverore të Lidershipit, në një traditë të përvitshme.
Këtë vit ky aktivitet u organizua në datat 18 deri 20 maj në Hotel Splendor, Dhërmi.
Dr. Anisa Subashi, Drejtore e Ciklit Bachelor në UET bëri për të pranishmit
një prezantim të qëllimit të zhvillimit të shkollës së lidershipit. Ajo u shpreh se liderët e mirë bëhen dhe nuk lindin të tillë. “Duhet dëshirë, vullnet për t’u bërë udhëheqës ose lider efektiv. Liderët e mirë zhvillohen përmes një procesi që nuk mbaron asnjëherë përmes vetëstudimit, arsimit, trajnimit dhe përvojës”. E ftuar speciale këtë vit ishte shkrimtarja Vera Bekteshi, e cila ndau me pjesëmarrësit përvojën e jetës së saj në internim dhe kurajën për të shkruar mbi tmerret e diktaturës dhe forcën për të mbijetuar.
Për tri ditë shkolla e lidershipit ofroi leksione nga pedagogë të shkencave politike, Prof. Ass.Dr Roland Lami, Prof. Ass.Dr Ervis Iljazaj dhe Msc.Brikena Mile.
Temat që u diskutuan këtë vit në këtë forum mes të rinjve dhe pedagogëve kishin të bënin me profilin e lidershipit politik, kuptimi mbi liderin dhe lidershipin, lidershipi në kontekstin e së drejtës, lidershipi gjatë gjithë jetës, etj.
Qëllimi i kësaj shkolle pranvere është identifikimi dhe nxitja e të rinjve me potenciale dhe angazhim për të dhënë kontributin e tyre në universitet dhe në shoqëri. Ky moment tregon një lloj angazhimi studentor, një shenjë që secili prej studentëve që marrin pjesë do të jenë liderë potencialë në një të ardhme jo të largët.
Temat e mbajtura nga pedagogët nxitën diskutim mes pjesëmarrësve, të cilët dhanë argumentet e tyre, ndanë idetë, eksperiencat, kërkuan dhe dhanë këshilla, duke e transformuar këtë aktivitet në një nismë shumë frytdhënëse për të gjithë të pranishmit në sallë, sidomos për nxitjen, edukimin dhe zhvillimin e talenteve që UET ka në fokusin e tij.

Të rinjtë kanë ndarë përvojën në këtë shkollë lidershipi, e cila i ka pajisur në fund të gjithë me një certifikatë pjesëmarrjeje.



Aldi Shehu, nga shkolla e Mesme “Harry Fultz” në Tiranë e ka cilësuar si një nga eksperiencat më frytdhënëse gjatë gjithë vitit shkollor. “ Fundjavë e veçantë, me kolegë dhe profesorë të veçantë. Një nga eksperiencat më të plota dhe frytdhënëse të këtij viti shkollor. Të mësosh për lidershipin nuk është asnjëherë e mjaftueshme, këtë e mësova dhe e përforcova si ide këtë fundjavë. Duke filluar që nga pjesëmarrësit deri tek profesorët, eksperienca e ishte e plotë dhe sigurisht hapi horizonte të reja. Do veçoja leksionet e Prof. Ervis Iljazaj dhe prof. Roland Lami të cilët, për mua personalisht, ishin një mënyrë e re mësimdhënieje, shumë interaktive dhe e lehtë për t’u kuptuar. E falënderoj UET për mundësinë që na dha dhe sigurisht që tani është kthyer në një nga zgjedhjet e mundshme për të vazhduar studimet.”- ka thënë i riu.

Një tjetër pjesëmarrës, Vasil Ajdhoni nga shkolla “Flatrat e Dijes” në qytetin e Fierit ka ndarë gjithashtu mbresat e tij nga përvoja.
“Eksperienca ime në shkollën pranverore më la mbresa shumë të mira dhe konkretizoi çdo mendim të mirë lidhur me UET. Çdo gjë ishte e kuruar në detaje, duke filluar nga akomodimi në hotel, ngrënia, përzgjedhja e studentëve dhe stafi që na shoqëroi. Leksionet e bëra në lidhje me lidershipin, karrierën, administrimin e parave dhe çdo gjë tjetër e diskutuar më krijuan një ide shumë të qartë në lidhje me aftësinë , seriozitetin dhe përkushtimin absolut të stafit akademik për të qenë gjithmonë në standardet e duhura dhe për të pasur një sukses të sigurt në çdo fushë që UET mbulon. Unë kalova një fundjavë të mrekullueshme, e cila më shërbeu të njihja njerëz të rinj dhe të kisha ide të qarta për të ardhmen time.”

Edhe shoku i tij, nga e njëjta shkollë në Fier, “Flatrat e Dijes, Klajdi Guda e ka cilësuar si aktivitetet më të mirë ku ka marrë pjesë ndonjëherë.
“Shkolla Pranverore UET “Unë Lider 2018” ishte një nga aktivitetet më fantastike ku unë kam qene. Një fundjavë e këndshme, e cila në çdo moment të saj kalonte në harmoninë e duhur, që duhet të ketë një aktivitet. Trajnimi për Lidershipin ishte diçka që më nevojitej dhe gjithashtu pedagogët dhe stafi i UET marrin notën më të lartë në organizimin dhe mirëfunksionimin e një shkolle pranverore. Leksioni klasik i ndërthurur me një metodë interaktive ishte çelësi i suksesit të këtij trajnimi.
Përveç këtyre, njohja dhe bashkëpunimi me liderë të tjerë prej shkollave ishte një shkëmbim eksperiencash mjaft e vlefshme për të ardhmen time. Faleminderit UET për një fundjave trajnimi edukues, të paharrueshëm dhe të pazëvendësueshëm.

Andrea Kokomeci nga gjimnazi “Qemal Stafa” në Tiranë e kishte për herë të dytë pjesëmarrjen në këtë shkollë dhe mbresat, thotë se ishin të njëjtat me herën e parë. “Duke qenë se kjo ishte eksperienca ime e dytë në një aktivitet të zhvilluar nga UET, mund të them që dola po aq i kënaqur sa edhe nga aktiviteti i parë. Lidershipi është një temë e gjerë dhe disi subjektive për shume njerëz, por analiza që iu bë këtij pozicioni në shoqëri dhe demonstrime të ndryshme të rëndësisë së tij është diçka për t’u vlerësuar. Përveç atmosferës së këndshme që u krijua në grup, të marrësh një sasi informacioni aq të madh dhe të saktë në një kohë të shkurtër, më bënë të kuptoj rëndësinë dhe vlerat e këtij institucioni. Me dëshirën e madhe për aktivitetin e radhës jap vlerësimin më të mirë për të. Faleminderit UET për mundësitë që ofron.”

Nxënësja Laiza Jazexhiu e shkollës “Harry Fultz” në Tiranë ka vlerësuar edhe njohjet e reja nga ky aktivitet.
“Shkolla pranverore në UET më ka lënë shumë mbresa të bukura. Njohje të reja, eksperiencë ndryshe nga rutina e përditshme por mbi të gjitha leksione që do më vlejnë shumë në një të ardhme të afërt. Mësova shumë gjëra që nuk i kisha hasur më parë. Ambienti i ngrohtë që u krijua midis pedagogeve të UET dhe maturantët ishte diçka shumë mbresëlënëse. Por sigurisht nuk mund të lë pa përmendur edhe presidenten e këshillit studentor të UET, Emën; prej saj mësuam shumë gjëra të reja që na prisnin kur të jemi studentë. Ishte një eksperiencë shumë e bukur që do të mbetet gjatë në mendjen time.”

Nga Shkolla “Leonik Tomeo” në qytetin e Durrësit , Stela Kurti e vlerëson si një nga eksperiencat e saj më të bukura.
“Gjatë trajnimeve me pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës mësova shumë gjëra të reja. Mësova se çfarë do të thotë lidership. Gjithashtu profesor Henri Çili na ndihmoi në përgjigjen e dy pyetjeve më të komplikuara : Çfarë të bëhem kur të rritem dhe si të bëjmë para. Profesor Çili i shpjegoi në një mënyrë që, secili prej nesh në shkollën pranverore arriti të kuptojë se sa e rëndësishme ishte studimi dhe fuqia i liderit. Një pjese tjetër e eksperiencës ishte edhe takimi me shkrimtaren Vera Bekteshin. Na tregoi për vështirësitë përpjekjet, shpresat, dashuritë, ëndrrat, sfidat dhe humbjen e njerëzve të saj më të dashur. Por nga ajo mësuam forcën e një gruaje që ia doli mbanë, pavarësisht të gjithave.
Nuk mund te harroj pa përmendur pedagogen Anisa Subashin, e cila përpos trajnimeve që na beri rreth lidershipit, me personalitet shumë simpatik bëri disa lojëra që trajnimi mos të bëhej i lodhshëm. Në këtë aktivitet njoha shumë miq të rinj. Shkolla pranverore do të jetë një eksperiencë e paharrueshme për mua.”

Jeta Kreka nga shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi “ në Tiranë ka vlerësuar kombinimin e natyrës së bukur dhe dijeve të reja. “Një fundjavë që i qasej këndshëm asaj ideales: pranë natyrës, nen shoqërinë e njerëzve të mirë dhe kryesorja më shumë dije për pikësynimin tonë të përbashkët për të ardhmen; lidershipin!
E shijova shumë bukurinë e Dhërmiut duke rrahur mendime të vjetra e të reja mbi lidershipin politik e atë burokratik, mësova strategjitë e vetëmenaxhimit e njëkohësisht u futa më thelle në mendime, në lidhje me dilemën se çfarë dua te bëhem kur të rritem. Të tilla shkolla përveç energjisë pozitive dhe njohurive të shumta, sjellin dhe njohje të njerëzve dhe eksperiencave që vijnë me ta; për një 18 vjeçare si unë , ky shkëmbim është mëse i vlefshëm sepse e bën akoma më real kontributin që bashkëmoshatarët e mi sjellin në çdo cep të Shqipërisë, modestisht si liderë të shkollave të tyre, e pse jo si liderë të së ardhmes.”

<
>
1ae5dadc-c7c5-48d1-a3af-5d493a0a8269 4a1dcdea-9c7a-4f47-a2c5-52c4c15f344c 40e3f98c-6455-4b1e-b125-4fa70757b33b 678d9db4-6b5f-49ff-9139-eedba59d29e4 4174aca4-aa23-4df0-9587-b0213d8e7615
PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas