Kryesore, Rajoni

Shkëmbim territoresh? Serbia mirëpret deklaratat e Thaçit

Me debatin e ndezur për idenë e korrigjimit të kufijve, Presidenti i Kosovës ka këmbëngulur se: “Propozimi im për një zgjidhje paqësore me Serbinë është i qartë: jo ndarje në vija etnike, por korrigjim i kufirit dhe njohje e dyanshme”.

Reagimi erdhi pasi kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk e ka mbështetur idenë e Thaçit. Veseli ka theksuar se “Kosova do të anëtarësohet në OKB, me kufijtë që ka shpallur pavarësinë në vitin 2008”.



Kryeparlamentari tha se çdo ide për ndarje është plan serb për të krijuar tensione të reja. Kundër idesë së Thaçit është edhe një nga njerëzit, që e çoi Kosovën drejt pavarësisë, Albert Rohan. Diplomati austriak tha për “Koha Ditore” se ideja e ndarjes është e rrezikshme.

Sipas tij, “Me pranimin e të drejtave të gjera për minoritetet, në veçanti për komunitetin serb dhe Kishën Ortodokse Serbe, siç përfshihet në Planin e Ahtisaarit, si dhe decentralizimin e kompetencave administrative, Kosova tashmë ka bërë kompromiset e saj”, tha ish-zëvendësi i Ahtisaarit, duke shtuar se Serbia nuk e ka bërë pjesën e saj. Por ndërkohë që në vendin e tij dhe nga miqtë jashtë vendit Thaçi është i izoluar mbi idenë e “korrigjimit të kufijve”, që interpretohet si “shkëmbim i territorit”, pra Lugina e Preshevës me Mitrovicën e Veriut, ideja e tij është pritur mirë diku tjetër: në Serbi.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha se shqiptarët e Kosovës po kërkojnë Luginën e Preshevës dhe ulëse në OKB dhe sipas tij, kjo është koha më e mirë për të gjetur një kompromis.

Se çfarë do të kërkojnë serbët për kompromisin, kjo mund të merret lehtësisht me mend. Daçiç ka thënë se situata është e atillë që çështja e Kosovës të zgjidhet me kompromis, duke theksuar se nuk do të ketë asnjëherë rrethana më të mira për ta bërë këtë. Ministri i Jashtëm i Serbisë nuk e sheh panoramën e situatës aq të “errët” sa Presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili vetëm ankohet se po negocion në kushte të pamundura.

Sipas Daçiç, tashmë kanë ndryshuar pozicionet e Rusisë, ajo është bërë superfuqi dhe ka marrëdhënie shumë më të afërta me Serbinë se para 20 vjetësh dhe se edhe SHBA e ka ndryshuar politikën e saj të jashtme.

Daçiç thotë gjithashtu se është hapur mundësia për dialog, pasi Serbia ka marrëdhënie më të afërta edhe me Gjermaninë, Francën e Turqinë, ndërsa me Kinën është bërë partnere strategjike.

“Shqiptarët po duan që ne ta njohim Kosovën, plus nëse munden, ta marrin edhe Medvegjën, Preshevën… kjo do të ishte ideale për ta. Në këtë situatë, hapet mundësia që të arrihet zgjidhja e kompromisit. Nëse tashmë ka dialog, në dialog duhet të keni një propozim”, tha Daçiç.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas