Kryesore, Mapo Letrare

Shkëlqim Çela: Do të doja të ftoja për darkë Kadarenë

LIBRAT E ZEMRES

Flet fituesi i çmimit “Kadare”, Shkëlqim Çela



Aktualisht, cilët libra keni më për zemër? 

Librat që shpjegojnë mënyrën e funksionimit të kolektivave njerëzorë. Në dorë kam librin “Superminds” të Thomas W. Malone.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

“Pashallëqet e mëdha”, Ismail Kadareja.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Tregimet e O. Henry-t.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Ndër shkrimtarët shqiptarë që janë aktivë, Arb Elo-n. Ndër të huajt, Houellebecq.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Pëlqej veçanërisht prozën e gjatë. Nuk lexoj drama.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Të gjitha librat e teorisë së statistikës dhe probabilitetit.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Jed Martin.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Si fëmijë lexoja çdo gjë që më binte në dorë. Autorë të parapëlqyer kanë qenë Petro Marko (nga “Shpella e piratëve”), Mitrush Kuteli (përmes “Tregime të moçme shqiptare”), dhe Mihail Shollohov (nga “Doni i qetë”).

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Jo, për fat të mirë.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

“Kronikë në gur”.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

“Ishulli Ruzvelt”

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

“Culture matters – How Values Shape Human Progress”, një përmbledhje monografie e edituar nga Samuel Huntington dhe Lawrence Harrison.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Houellebecq, Kadare, Ervin Hatibi. Do të ishte një darkë e mrekullueshme.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar? 

“Aksidenti” i Ismail Kadaresë.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Nuk do të doja që historia e jetës sime të shkruhej.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

“Gjashta maç” e Ervin Hatibit. Është libër i mrekullueshëm që nuk të lë ta “prishësh dorën”, sepse të thotë se si duhet shkruar poezi në shqip.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Filozofinë në përgjithësi. E di që nuk do të kem mundësi ta lexoj ndonjëherë.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Serinë “Qytetërimet e humbura” (Lost civilizations) – është tërheqja ime e fundit. Jam i sigurt mbi ekzistencën e të paktën një qytetërimi më të përparuar se ky yni që është zhdukur. Besoj në kohën qerthullore (cyclical time) dhe rikthimin e përjetshëm (eternal return).

PasPara

1 koment

  1. Talenti, nuk eshte semundje ngjitese, sorry, Cimi!
    Karakteri po, ruaju Cimi!
    Darke e Gabuar…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas