Kryesore

Shkarkimi i Spahiut, ngrihet komisioni hetimor


TIRANË Komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, do të funksionojë për një periudhë trejavore vetëm me deputetët e mazhorancës. Kuvendi ka miratuar dje me votat e mazhorancës ngritjen e komisionit hetimor, me qëllim nisjen e procedurës për shkarkimin e Kreshnik Spahiut.

Komisioni do të përbëhet nga 9 anëtarë, ku 5 prej tyre do të jenë nga radhët e mazhorancës. Kryetar i këtij komisioni do të jetë deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj.



Xhafaj

Ndritja e këtij komisioni mori 57 vota kundër nga deputetët e opozitës, qëndrim ky që u paralajmërua para votimit nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj. “Poe them hapur qysh në fillim: Ne nuk do ta votojmë këtë komision dhe as do të bëhemi pjesë e tij. Ne nuk mbështesim Kreshnik Spahiun. Është gjëja e fundit që do të mendonim të bënim, pasi nuk e vlerësojmë pozitivisht punën e tij në krye të KLD-së. Ne e kundërshtojmë ngritjen e këtij komisioni hetimor, jo vetëm sepse atij i mungon tërësisht morali politik, por edhe sepse kjo është një nismë e cenueshme në frymën e Kushtetutës, ligjit dhe praktikës parlamentare. Kërkesa në mënyrën e hartuar dhe procedura e kërkuar prej jush për t’u zbatuar përmes saj në vlerësimin tonë është një gjë e sforcuar, pasi nuk është në përputhje me Kushtetutën, kuadrin ligjor në fuqi dhe në frymën e vendimit nr.75 të Gjykatës Kushtetuese”, – tha dje Xhafaj. Ai shtoi se opozita nuk mund të bëhet pjesë e luftës së brendshme politike të mazhorancës. “Sot ju kërkoni thjesht dhe vetëm të bëni një blic ushtarak për kokëprerje individuale dhe jo të fenomenit. Ne nuk jemi pjesë e tij. Neve nuk na intereson as koka e ish-mikut tuaj Nikut, as koka e Kreshnikut të padrejtësive tuaja. Ne nuk jemi pjesë e luftës politike që ju keni brenda llojit. Sepse është e qartë, juve nuk ju intereson veprimtaria e zotit Spahiu si nënkryetar i KLD-së, por e ardhmja politike dhe në politikë e tij dhe e kryetarit të KLD-së. Trembeni se do t’ju marrin votat dhe nuk keni faj për këtë, por nuk do të arrini as të ruani vota dhe as të merrni vota duke prerë koka”, – tha ai. Ndërsa kryetari i komisionit hetimor, Enkelejd Alibeaj theksoi se komisioni hetimor lidhet me përgjegjësinë politike që Kuvendi duhet të ndërmarrë ndaj KLD-së. “Është i njohur fakti që KLD-ja nuk është duke kryer veprimtarinë e vet, atë që Kushtetuta dhe ligji thotë, por është duke u kuturisur nëpër pelegrinazhe politike të ndërmarra dhe të njësuara me emrin e individit që ky Kuvend e ka emëruar…”, – tha Alibeaj.

Gumi

Ndërsa relatori i ngritjes së këtij komisioni, deputeti demokrat, Viktor Gumi argumentoi ndër të tjera se ligjërisht Kuvendi gëzon të drejtën për ta shkarkuar Spahiun. “Kreshnik Spahiu është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, me vendimin nr. 114, datë 19.07.2007, në detyrën e anëtarit të KLD-së. Në datën 14.11.2007, zoti Kreshnik Spahiu është zgjedhur në detyrën e zëvendëskryetarit të KLD-së. Në kuptim të vendimit të Gjykatës Kushtetues nr. 14, datë 22.05.2006, anëtari i zgjedhur nga Kuvendi në KLD “çon në Këshillin e Lartë të Drejtësisë frymën e organit ligjvënës”. Mbarimi i mandatit të një organi kushtetues dhe procedura e shkarkimit të një anëtari të organit kushtetues janë dy institute tërësisht të ndryshme. Ekzistenca e njërit, në asnjë mënyrë nuk sjell përjashtimin e tjetrit. Në kërkesën e nismëtarëve nuk kërkohet mbarimi i mandatit të zotit Spahiu, por shkarkimi nga detyra e funksionarit kushtetues si i zgjedhur i Kuvendit në të. Organi i emërtesës, në rastin konkret Kuvendi i Shqipërisë, ka kompetencën kushtetuese edhe të shkarkimit nga detyra të anëtarit që e zgjedh vetë. Kjo do të thotë se kërkesa kërkon nisjen e procedurës për shkarkimin nga detyra të anëtarit të zgjedhur nga Kuvendi në KLD, zotit Kreshnik Spahiu, që njëkohësisht është edhe zëvendëskryetar i KLD-së”, – tha dje Gumi. Ai shtoi se kërkesa përmban edhe shkaqet se pse kërkohet masa e shkarkimit, që kryesisht është e lidhur me akte apo sjellje të kryera nga Spahiu, që sipas PD-së diskreditojnë rëndë figurën e anëtarit të një organi kushtetues.

 

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas