Aktualitet, Kryesore

Shifrat: Papunësia zbret në nivel rekord, Rama ironizon disa të rinj

Papunësia në ekonominë shqiptare ra përsëri në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas Institutit të Statistikave, shkalla e papunësisë ra në 12.5%, niveli më i ulët i regjistruar në statistikat zyrtare, të paktën që prej vitit 2007.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare ka rënë me 1.7 pikë përqindjeje. Një nivel kaq i ulët papunësie në Shqipëri nuk regjistrohej as në vitet kur rritja ekonomike arriti në pothuajse 7%.



Ndaj, rënia e papunësisë në këto nivele është deri diku e papritur, po të kemi parasysh se rritja ekonomike ndodhet në një proces të ngadaltë të rimëkëmbjes. Sipas Instat, vitin e kaluar prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 3.8%.

Ajo çka vërehet gjatë viteve të fundit, është një ulje e papunësisë mes burrave, që ka zbritur në nivelin 12.6%. Ulja është vërtet e konsiderueshme, po të kemi parasysh se pesë vjet më parë shkalla e papunësisë së burrave ishte në kufijtë e 20%.

Një tjetër segment i tregut të punës që ka njohur përmirësime në vitet e fundit është shkalla e papunësisë mes të rinjve, që ka zbritur në 24.5%, ndërkohë që pesë vjet më parë qëndronte në mbi 30%.

Megjithëse në rënie të ndjeshme gjatë viteve të fundit, papunësia e të rinjve ngelet pothuajse dy herë më e lartë në raport me mesataren e ekonomisë. Në nivel rajonesh, papunësia më e ulët regjistrohet në Dibër, me 6%, ndërsa më e larta në qarkun e Vlorës, me afro 24.5%.

Shkalla e punësimit në ekonomi edhe për tremujorin e katërt 2017 rezultoi në përmirësim, duke arritur në 59.2%, nga 58.2% që kishte qenë në tremujorin e tretë.  Shkalla e punësimit mat raportin mes numrit të të punësuarve dhe popullsisë në moshë pune.

Shqipëria, sidoqoftë, vazhdon të ketë një shkallë relativisht të ulët të pjesëmarrjes në forcat e punës. Nga 100 shqiptarë në moshë pune, vetëm 68 janë pjesë e forcës së punës. Kjo vjen sidomos për shkak të pjesëmarrjes së ulët të grave, mes të cilave vetëm 59% janë të punësuara ose punëkërkuese.

Kurse kryeministri Edi Rama nga një takim që ka pasur në një hotel në zonën e Durrësit, ka gjetur rastin që të tallet pak dhe me të papunët. Ai iu tha të rinjve se puna nuk vjen te shtëpia dhe të thojë çohu pi një kafe.

Sipas Ramës në çdo biznes që operon në vendin tonë ka vende të lira punë, po sipas kryeministrit shqiptarët e kanë mendjen që të shkojnë për juridik.

‘’Puna nuk vjen te shtëpia dhe të thojë, ‘’çohu e pimë një kafe”. Puna për ta gjetur kërkon një kohë më vete, një i ri europian bën 130 aplikime dhe 35 intervista në mënyrë që të punësohet, kurse kërtu duan t’iu vijë te shtëpia”, u shpreh Rama.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas