Rajoni

Shesheli refuzon të kthehet në burg

sheshel

Mbrojtësi serb i krimeve të luftës Vojislav Sheshel, i liruar përkohësisht për t’u kuruar nga kanceri, u betua se s’do të kthehet me dëshirë në Gjykatën e Hagës pasi prokuroria kërkoi kthimin e tij atje



Nga Milka Domanovic, BIRN

 

“Vojislav Shesheli nuk do t’i përgjigjet thirrjeve plot panik të Gjykatës së Hagës,” tha lideri nacionalist i Partisë Radikale serbe pasi prokuroria në Gjykatë tha ditën e hënë se ai duhet të futet përsëri në burg.

Prokuroria paraqiti një mocion në Gjykatën Ndërkombëtare të ish-Jugosllavisë duke kërkuar revokimin e urdhrit, duke thënë se “ai e ka shprehur hapur se nuk do të kthehet në Gjykatë”.

“Ai ka treguar qartë se gjendja e tij shëndetësore nuk e pengon të bëjë deklarata të papranueshme publike të cilat janë fyese për komunitetet e viktimave. Ai ka bërë gjithashtu deklarata publike që vënë në dyshim vlerësimin e Dhomës Gjyqësore për ekstremitetin e gjendje së tij shëndetësore,” tha kryeprokurori Serge Brammertz.

Megjithatë, Partia Radikale serbe tha se kërkesa e prokurorisë së Hagës ishte një “urdhër politik i zbatuar nga Serge Brammertz në emër të regjimeve në Beograd dhe Zagreb”.

“Rikthimi i Vojislav Sheshelit shkaktoi shumë konfuzion në rangjet e regjimit serb dhe është e qartë se Serge Brammertz sillet si zëdhënës i kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç,” tha partia.

Që prej lirimit të tij, Sheshli është betuar se do ta largojë nga pushteti ish aleatin e partisë së tij Vuçiç dhe ka zemëruar lidershipin kroat me deklaratat e tij të ashpra nacionaliste për krijimin e një ‘Serbie më të madhe’.

Rasim Ljajiç, kryetari i Këshillit Kombëtar të Serbisë për Bashkëpunim me Gjykatën Ndërkombëtare të krimeve për ish-Jugosllavinë, tha se autoritetet e Beogradit do të presin vendimin e Gjykatës së Hagës për rikthimin e Sheshelit në burg para se të vendosin si të veprojmë.

“Pasi të merret vendimi, do të shohim se ç‘do të bëjmë. Deri atëherë, nuk duam të merremi me këtë,” tha Ljajiç në televizionin publik RTS në Serbi ditën e hënë.

Ministri serb i Punës Aleksandër Vulin tha se Shesheli u lirua për të destabilizuar Serbinë, por tha gjithashtu se Gjykata e Hagës nuk duhet të kërkojë kthimin e tij në burg për të shmangur nxitjen e trazirave.

“Pres që Gjykata e Hagës të thotë: ‘Keni një ligj për të bashkëpunuar me Hagën. Arrestojeni!’ Ai atëherë do të përpiqet të mbledhë njerëz për protesta, të krijojë konflikte me policinë,” tha Vulin ditën e martë në RTS.

“I kërkoj Dhomës Gjyqësore ta lërë atë në Serbi. E di që jeni të zhgënjyer nga performanca e tij e dobët në dështimin për të destabilizuar Serbinë. Ai s’mund të bëjë apo ndryshojë dot gjë. Lëreni të qetë. Mos hapni telashe më të mëdha mes serbëve,” tha ai.

Ndërkohë, zyrtarët kroat e mirëpritën kërkesën e prokurorisë në Gjykatën Ndërkombëtare për të revokuar lirimin e Sheshelit.

Kryeministri kroat Zoran Milanoviç tha se ai pret që autoritetet serbe ta dorëzojnë Sheshelin dhe uron që zyrtarët e Beogradit ta distancojnë veten nga ‘fjalimet e urrejtjes’ së liderit nacionalist.

“Doja thjesht që njerëzit në Serbi të thonë se ato që po thotë ky njeri janë gjëra të liga, asgjë më shumë se kaq,” tha Milanoviç gjatë një vizite në Bosnje.

Presidenti kroat Ivo Jospoviç tha se deklaratat e Sheshelit që prej lirimit të tij kanë tallur drejtësinë kombëtare.

“Prandaj jam i lumtur që prokuroria e Hagës reagoi. Nuk e di se cili do të jetë vendimi i gjykatës, por ky është një mesazh për ata që do të vazhdojnë të përdorin retorikë të tillë dhe që autoritetet serbe të reagojnë ndaj provokimeve të ngjashme,” tha Josipoviç ditën e hënë, raportoi media kroate.

Josipoviç i është ankuar drejtpërdrejtë Gjykatës së Hagës për lirimin e Sheshelit. Por presidenti i gjykatës së mbështetur nga OKB-ja, Theodor Meron, th se vendimi i lirimit të tij duhet respektuar, sepse u mor për arsye shëndetësore.

“Unë mendoj se nga pikpamja ligjore, është e rëndësishme të respektojmë vendimet e marra nga gjykatësit, sidomos ato të marra me baza humanitare,” tha Meron.

Javën e kaluar Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë ku i kërkon Gjykatës të rishikojë vendimin për lirimin e përkohshëm të Sheshelit dhe parlamenti kroat gjithashtu ka miratuar një deklaratë ku dënon lirimin e tij.

Shesheli, i cili po gjykohet për krime lufte në Bosnje, Kroaci dhe Serbi, ka qenë në burg që prej vitit 2003 kur u dorëzua vullnetarisht.

Vendimi për çështjen e tij pritej të merrej në tetor të vitit të kaluar, por u shty pasi një nga gjykatësit në këtë çështje u hoq, sepse dyshohej për njëanshmëri.

Gjykatësi i ri pritet të marrë kohë deri në fund të qershorit të vitit 2015 për t’u familjarizuar me çështjen, duke shkaktuar një tjetër vonesë në gjyqin maratonë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas