Kryesore

Sherri masiv, një i ri plagoset me pistoletë, lëndohet edhe polici

Gjirokastër-Sherri mes një grupi të rinjsh të dehur në kodrën turistike të Këcullës në qytetin e Gjirokastrës, përpak sa nuk i ka kushtuar jetën një të riu, ndërsa është plagosur lehtë edhe një punonjës policie që ka ndërhyrë për ta shuar atë. Një person është plagosur me armë zjarri ndërsa është kërcënuar seriozisht jeta e një punonjësi policie.

Dëshmitarë okularë i kanë pohuar policisë lokale se rreth orës 02:00 të së shtunës, në lokalin që ndodhet në kodrën turistike të Këcullës, disa të rinj të cilët ishin duke qëndruar në lokal nën efektin e alkoolit janë grindur me njëri-tjetrin. “Konflikti ka nisur në mjediset e brendshme të lokalit fillimisht me fjalë dhe më pas grupi i të rinjve ka dalë jashtë lokalit, ku të rinjtë kanë nisur përplasjen fizike me njëri-tjetrin duke përdorur madje edhe sende të forta”, i ka pohuar policisë një person i pranishëm në vendngjarje.



Në këtë situatë, njëri prej të rinjve, i cili më pas është identifikuar nga policia lokale si Ervin Içi, 29 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri tip pistoletë. Sipas dëshmitarëve okularë, qëllimi i tij ka qenë që të trembë bashkëmoshatarët për të ndalur goditjet fizike, por në zënkë e sipër arma është shkrepur aksidentalisht, çka ka bërë që të plagoset lehtë në këmbë një tjetër pjesëtar i grupit, 29-vjeçari Olsjon Cama nga Gjirokastra. Për shkak të situatës së krijuar, të pranishmit në lokal kanë kërkuar ndihmën e efektivave të Komisariatit të Policisë në Gjirokastër. “Pasi mbërritëm në vendngjarje, ne i dhamë ndihmën e parë të riut të plagosur duke e transportuar në spital, ndërkohë që ndërhymë për ndalimin e sherrit dhe normalizimin e situatës”, – thotë një efektiv policie.

Gjatë veprimeve ligjore efektivat blu kanë bërë shoqërimin e pjesëtarëve të grupit të të rinjve për në Komisariatin e Gjirokastrës. Sipas burimeve policore, 29-vjeçari Ervin Içi së bashku me dy të rinj të tjerë, të cilët ishin në gjendje të dehur, kanë kundërshtuar me dhunë efektivat e policisë. Madje, ata kanë goditur me sende të forta në pjesë të ndryshme të trupit njërin prej punonjësve të Patrullës së Përgjithshme, duke i rrezikuar seriozisht jetën. Megjithëse në mbështetje të kolegëve të tyre kanë mbërritur edhe disa punonjës të tjerë policie, sërish 29-vjeçari Içi së bashku me dy shokët e tij kanë arritur të largohen nga vendngjarja, duke u fshehur në zonën përreth kodrës së Këcullës. Gjithashtu, efektivat e policisë kanë transportuar për në spital edhe kolegun e tyre të plagosur, gjendja shëndetësore e të cilit pas marrjes së ndihmës mjekësore paraqitet jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të veprimeve hetimore policia lokale ka bërë të mundur shoqërimin e disa të rinjve të përfshirë në grindje, si dhe të të gjithë dëshmitarëve të ngjarjes. Gjithashtu, grupi hetimor në vendin e ngjarjes sekuestroi predhën dhe gëzhojën e qitur nga arma e zjarrit tip pistoletë, ku u plagos aksidentalisht i riu O. Cama. Mbështetur mbi provat e mbledhura, policia e Gjirokastrës ka ndaluar të riun Florin Kore, pjesëmarrës në grindje, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale: “moskallëzim krimi”, “prishje të qetësisë publike”, si dhe “dëmtime të tjera me dashje”. Gjithashtu, policia arriti të dokumentojë me prova ligjore edhe kundërshtimin me dhunë dhe plagosjen në krye të detyrës të efektivit të policisë, si dhe të O. Camës. Në përfundim të hetimeve, i riu E.Içi është shpallur person në kërkim pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale: “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “goditje për shkak të detyrës”, “plagosje të lehtë me dashje”, si dhe për “prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Policia e Gjirokastrës vijon punën për ndalimin e tij, si dhe të dy të rinjve të tjerë që u larguan nga vendngjarja.

Bledar Shehu

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas