Arkiva 2

Shenja e barazisë u vendos, po tani?

10407406_665566880226284_4498093330877699424_nKryeministri Edi Rama u paraqit në mënyrë të denjë gjatë konferencës për shtyp të mbajtur dje në prani të homologut serb, Vuçiç. Rama u prezantua në Beograd si një kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s, me synimin kryesor anëtarësimin në familjen europiane së bashku me Serbinë. Përmendja e pavarësisë së Kosovës dhe thirrja që ai u bëri nga Beogradi pesë vendeve të BE-së të njohin Republikën e Kosovës përbën një etapë të re në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe.

Shumë gjëra u thanë për Kosovën dhe mënyrën se si Vuçiç e konsideroi përmendjen e saj nga Rama një provokim të hapur. As Vuçiç dhe as opinioni publik serb si dhe mediat vendase nuk e pritën mirë këtë reagim të Ramës, duke i mëshuar idesë se kjo ishte një provokim i panevojshëm.



Në konferencë u fol gjithashtu edhe për paqen që duhet të ekzistojë midis dy vendeve, por mënyra se si do të arrihet te kjo nuk u dha. Ideja se paqja do të arrihet me anëtarësimin e dy vendeve në BE duket jobindëse në situatën aktuale.

Rama vendosi në Beograd shenjën e barazisë midis dy vendeve, të kërkuar tashmë prej vitesh në Shqipëri. Rama tregoi se Shqipëria di të mbrojë idetë dhe interesat e veta dhe di të jetë e barabartë me fqinjët e saj.

Por pavarësisht fitores politike dhe diplomatike të Ramës, ky takim nuk do të sjellë asgjë produktive për të dyja vendet. Vuçiç është goditur rëndë nga Rama dhe pasojat e kësaj goditjeje kryeministri serb do t’i ndjejë shumë shpejt në jetën politike të tij. Rama ka goditur fort edhe nacionalistët serbë, të cilët nuk do ia falin lehtë kryeministrit shqiptar por edhe atij serb përmendjen e Republikës së Kosovës në mes të Beogradit.

E gjithë kjo situatë do t’i largojë edhe më shumë dy vendet tona. Marrëveshjet e firmosura sot edhe pse jo shumë të rëndësishme, me ngjasë do të zvarriten gjatë deri në përmbushjen e tyre. Serbia nuk do ta gëlltisë lehtë këtë qëndrim të Tiranës zyrtare dhe në tunelin e errët në të cilin ndodhen marrëdhëniet midis vendeve nuk do të shihet dritë edhe për një kohë të gjatë.

Presioni europian pritet të rritet, por nacionalizmi i rëndë i Ballkanit do të jetë i vështirë për t’u mposhtur. Liderët ballkanikë e kanë të qartë se zgjerim të Bashkimit Europian nuk do të ketë në 5 apo 10 vitet e ardhshme, prandaj dhe përdorja e kartës nacionaliste atëherë kur është e nevojshme do të vazhdojë të mbetet e pandryshuar. Deklaratat për bashkëpunim dhe paqe nuk do të mungojnë, por ato do të jenë boshe, siç edhe kanë rezultuar deri më sot.

E ardhmja e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi do të varet shumë nga ecuria e dialogut Prishtinë-Beograd dhe rezultatit që ai do të prodhojë. Shqipëria tregoi sot se rruga e marrëdhënieve me Serbinë kalon nëpërmjet Prishtinës dhe për sa kohë dy vendet kanë qëndrime thellësisht të kundërta për pavarësinë e Kosovës, nuk është i mundur një përmirësim në raportet shqiptaro-serbe.

Pavarësisht sesa krenarë ose jo u ndjenë shqiptarët dje me qëndrimin e mbajtur nga Tirana, ai ka edhe pasojat e veta. Takimi historik Rama-Vuçiç jepte shpresat për një qasje të re të Serbisë ndaj të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Tirana dhe Prishtina kanë treguar më herët se janë të pafuqishme të ndërhyjnë për këtë çështje në Beograd, madje kanë dështuar ta shpalosin atë në organizatat ndërkombëtare.

Janë pikërisht shqiptarët e Luginës së Preshevës ata që do të ndjenë zemërimin serb, i cili përgjatë këtyre 15 viteve i ka zhytur ata në varfëri të skajshme.

Barazia diplomatike midis dy vendeve ishte e nevojshme dhe Shqipëria e bëri në mënyrën e duhur, por për të parë nëse do të ketë hap përpara në rrugën e bashkëpunimit duhen pritur lëvizjet e mëtejshme të Beogradit dhe Tiranës, pasi konferenca e fundit tregoi se bashkëpunimi ishte gjëja e fundit që Rama dhe Vuçiç kishin në mendje.

Kevin Sinani/Mapo.al

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas