Kryesore, Sociale

Shembja e Teatrit: Ndrenika mungon te protesta, zhduken tre ‘negociatorët’

Nga Alma Mile, Panorama

“Ju shënuat fillimin e një maratone, që, le të shpresojmë, do të përfundojë me ndërtimin e një Teatri Kombëtar bashkëkohor. Uroj që fryma e sinqeritetit, transparencës dhe mirëkuptimit midis jush, si përfaqësues të komunitet teatror dhe bashkisë, të jetë deri në ditën e përurimit e më tej”.



I mbyllur me përqafime kundrejt tre “negociatorëve” artistë, Arben Derhemi, Altin Basha dhe Alfred Trebicka dhe kryenegociatorit të pushtetit, kryebashkiakut Erion Veliaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, i madhi Robert Ndrenika bekon ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Pasi Veliaj shpalli arritjen e marrëveshjes, e cila nuk kishte se si të ishte e tillë, kur asnjëri syresh nuk e ka tagrin të vendosë për shembjen e një ndërtese 80-vjeçare, pjesë e jetës qytetase, mbartëse të një historie institucionale, politike dhe shpirtërore, të një historie arkitekturore e urbanistike, aktori Robert Ndrenika uroi ngritjen e një “tempulli” të ri në “Jerusalemin e aktorëve”, duke bekuar kësisoj shembjen e “tempullit së Solomonit”. Ndrenika ka qenë një ndër të paktët e brezit të tij, që ka përkrahur protestën e artistëve, madje fjalët e tij e kanë bërë edhe më mediatike e popullore këtë rezistencë.

Por në protestat e fundit, Ndrenika ka munguar. Ai përshëndeti “marrëveshjen” mes Veliajt dhe tre artistëve. Këta të fundit, pas deklaratës së Veliajt nxituan të thoshin se nuk kishin arritur asnjë marrëveshje, por në momentin që ata pranuan të diskutojnë për truallin e Teatrit Kombëtar, për të cilin kërkuan të mos i prekej asnjë centimetër; në momentin që ata diskutuan hapjen e një konkursi ndërkombëtar; në momentin që ata diskutuan për negociatorë në bisedimet me privatin, po, ata e pranuan marrëveshjen, por e pranuan si individë, pasi ata nuk ishin përfaqësues të askujt, përveçse të vetes.

Pas takimit, të shoqëruar edhe me një fotografi buzagaze, Arben Derhemi që bënte thirrje për të rrëmbyer hunjtë dhe të derdhej gjaku lumë, Alfred Trebicka që nuk do lejonte që aty të ngriheshin “billdingje” e Altin Basha që kërkonte që teatrin ta ngrinte shteti, nuk u dukën më në protestat e fundit. Nga grumbullimi i 8 marsit, ku nuk gjeje vende për t’u ulur në sallën e Black Box në Universitetin e Arteve, ka mbetur vetëm një grusht njerëzish, të cilët thonë se do të sakrifikohen për atë godinë.

Disa rreshtuan emrin në listën 65-she, së cilës i “përulet” ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro (“Falënderim me përulje për të 65 artistët dhe figurat e nderuara, që nga i madhi Pirro Mani, shumë të dashurit Fatos e Drita Haxhiraj, të nderuarit Pëllumb Kulla, Viktor Zhusti, Gëzim Kame, Josif Papagjoni, Luftar Paja, Bashkim Hoxha dhe të 65 artistëve, deri te më të rinjtë, po jo më pak të rëndësishëm për të sotmen e të ardhmen, të cilët sot mendojnë e mbështesin bashkëpunimin për Teatrin e së Ardhmes”); ndërsa shumica heshtin, në pritje të asaj që do të ndodhë: fundin e paralajmëruar.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas