Kryesore

Shembja e teatrit, Gjergj Bojaxhi: Qeveria feston vitin e Skënderbeut me modelin e Ali Pashait

Prej disa ditësh në kryeqytet artistët po protestojnë kundër shembjes së godinës aktuale të Teatrit Kombëtar. Në këtë debat është përfshirë së fundmi edhe Gjergj Bojaxhi, i cili është anëtar i Forumit për Trashëgiminë Kulturore. Bojaxhi thotë se qeveria ka pafytyrësinë që me tokën si pronë publike jo thjesht të thotë që nuk kam lekë për të bërë teatër të ri, por se do duhet të prishë edhe teatrin ekzistues dhe gjithë historinë që ai mbart.

Postimi i plotë nga Gjergj Bojaxhi *



 

Le ti lëmë faktet të flasin të parat. Shteti i ri Shqiptar, vetëm 26 vjet pas shpalljes së pavarësisë, me një popullatë 90% analfabete dhe rurale pati këllqe që nëpërmjet kompensimit të kthente në toka publike trojet ku sot gjendet Teatri Kombëtar dhe godinat publike përreth, në atë kohë i quajtur “Rrethi Kulturor Artistik Skënderbej”. Sot, 106 vjet pas shpalljes së Pavarësisë qeveria qëndrore dhe lokale po përkulet përpara atyre të cilët e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë pasurinë e tyre me tendera publik. 80 vjet më parë prona ju ble të pasurve, familjes Libohova, për interes publik. 80 vjet më pas prona publike po i jepet të pasurve për të bërë kulla biznesi duke prishur objekte të cilat janë simbole të shoqërisë tonë.

80 vjet më pas qeveria ka pafytyrësinë që me tokën tashmë si pronë publike jo thjesht të thotë që nuk kam lekë për të bërë teatër të ri, por se do duhet të prishë edhe teatrin ekzistues dhe gjithë historinë që ai mbart. Kjo, pasi ka harxhuar mbi 60 milionë euro për rilindjen urbane nëpër cepa të ndryshëm të vendit, ku shumë prej këtyre milionave janë hedhur në zona ku rrënimi demografik, social dhe ekonomik është tashmë i pakthyeshëm.
80 vjet më parë gazetat e kohës ishin të mbushura me thirrje për kontribute nga qytetarët për të ndërtuar monumente publike.
I kujtoj Vangjush Dakos, se monumenti dedikuar Dëshmorëve të Kombit, që shkatërroi dy vjet më parë në krah të Torres, është monumenti i parë i ndërtuar nga shteti Shqiptar në vitin 1922 me dhurime nga qytetarët.

I kujtoj Edi Ramës, si deputet i Vlorës, se monumenti ku ngrihet çdo përvjetor Flamuri i Pavarësisë në Vlorë është ndërtuar me kontribute nga qytetarët.

I kujtoj Niko Peleshit se monumenti në Korçë i Luftëtarit Kombëtar si dhe ai i Themistokli Gërmenjit janë ndërtuar nga kontribute të qytetarëve korçarë.

Dhe për të mos i lënë pa përmendur Ministres së Trashëgimisë Kulturore, znj. Kumbaro, se monumenti i Çerçiz Topullit në Gjirokastër është ngritur me kontribute nga qytetarët e Gjirokastrës.

Në 1937 u hap thirrja, për kontribute nga qytetarët për të ndërtuar monumentin e Skënderbeut në qendër të Tiranës. Fatkeqësisht pushtimi Italian e ndërpreu këtë nismë.
Kujt i bëri thirrje kjo qeveri për të restauruar Teatrin Kombëtar apo për të ndërtuar një teatër të ri? Kuptohet, përveç klientëve të saj të tenderave për të bërë pazarin e rradhës për më shumë kulla e beton në qendër të qytetit nën pretekstin e ngritjes së një teatri të ri.

Në këtë pikë ka vetëm dy shpjegime: 1. Ose kemi një qeverisje të vobektë, kjo pas gjithë atyre taksave të rritura ndaj qytetarëve 2. ose kemi të bëjmë me një grabitje të publikes në ditë me diell.
Tragjedia jonë është se kemi një qeveri që feston vitin e Skënderbeut me modelin e Ali Pashait.

*Anëtar i Forumit për Trashëgiminë Kulturore

PasPara

3 komente

  1. Gjergji.
    Edhe unë jam i mendimit që , godina e Teatrit Kombëtar , apo Teatrit Popullor , mund të mos vazhdojë të funksionojë si ambjent shfaqjeje , ama si ambjent i trashëgimisë dhe kujtesës , muzeumi mbarë kombëtar i artit tonë skenik i mbi 100 veprave e kryeveprave monumentale kombëtare e të dramaturgjisë botërore , të vëna në skenë si dhe mbi 100 e ca aktorëve e aktoreve , nga artistët më të mëdhej e të pa përsëritshëm që bënë epokë përmbi 60 e ca vjet , mundet dhe duhet . Kjo do të jetë gjëja më e pafalshme e brezit tonë , nëse nuk luftojmë për ta ruajtur dhe lartësuar . Kjo arrihet , por duhet gjykuar me zemër . Me nje restaurim mjeshtëror , i cili do ruajë në kujtesë edhe detajet e veçanta të mbi 60 vjetëve të të bërit teatër aty , asaj godine , do ti shtohen vlerat , sepse nuk do humbasin kurrë më kryeveprat e luajtura aty nga krye mjeshtrat e artit skenik , ndën drejtimin e regjizorëve pasionantë , me kulturë botërore të klasit të lartë , dhe të pa arritshëm në ato që krijuan e vunë në skenë .
    Një pjesë jo e vogël dhe me vlera të jashtëzakonshme është tek ai vend . Nuk ka të bëjë aspak vlerësimi i asaj godine dhe komplet atij vendi , si punë llaçi e tulle .
    Ka vend më mbrapa , dhe shteti , duhet ta shtetëzojë atë ( edhe me dhunën e ligjit ) për të ndërtuar një godinë të re . Kur themi të re , i ka dhe do ti ketë të gjitha brenda . Ama , për të hyrë në shfaqje tek godina e re , së pari do të kesh shansin , kënaqësinë , por dhe krenarinë të kalosh dhe të vizitosh muzeu e TEATRIT TONE KOMBETAR . Sa janë gjallë akoma disa korifej e kolegë të plejadës madhështore të artistëve tanë të mëdhej si Tinka Kurti , Margarita Xhepa , Ilia Shyti , Reshati , Roberti , etj , etj , nuk duhet humbur kohë me debatin : të prishet , mos të prishet , por o burra të restaurohet e muzeohet .
    Të përshëndes Gjergji . Shembujt e dhënë janë kuptimplotë dhe një thirrje për ndërgjegjësim , dhe mendoj , se në këtë rast duhet të solidarizohemi të gjithë për të fituar ndjenja atdhetare e ruajtjes së vlerave , dhe jo pazare , e aq më keq , grindje e konflikte të pahijshme .

    Spartak VERDHA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas