Politika

“Shehi, Tabaku dhe Gjosha” për Bashkinë e Tiranës? Basha flet për kandidatin përballë Veliajt

Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, ka qenë i ftuar sot në emisionin “Fakt” në Syri.net përball gazetarit Çim Peka.

Në këtë intervistë Basha ka folur dhe për një emër të mundshëm për Tiranën, në zgjedhje lokale, ku tha se është ende herët për të folur.



“Do të nisim konsultimet me anëtarësinë e PD, me qytetarët dhe ky është një proces që do të ecë paralel me kauzat e tjera, betejat e tjera politike, ku siç ju thashë parësore dhe kryesore është çlirimi i Shqipërisë nga bashkëqeverisja me krimin”, tha Basha ndër të tjera.

 

Pjesë nga intervista

Para katër viteve, ajo që ra në sy tek opozita, ishte caktimi i kandidatëve për kryetar bashkie në limitet e afateve kohore, çfarë në fakt duket se i penalizoi kandidatët…

Disa prej tyre. Por asgjë nuk do ti penalizojë më shumë se sa shitblerja e votës..

Sigurisht, por gjithsesi, a ka zënë mend opozita? A keni një strategji kësaj radhe që kandidatët të jenë të përcaktuar kohë më parë dhe të kenë mundësi të punojnë në zonat e tyre? 

Në kontrast me pyetjen e mëparshme, po. Përgatitjet do të nisin shumë më përpara. Përgatitjet do të jenë serioze. Që do të thotë bashkë me procesin e riorganizimit të brendshëm të Partisë Demokratike, do të nisë edhe procesi i konsultimit për kandidatët dhe anëtarët e këshillave bashkiakë dhe për kryebashkiakë. Do të nisim konsultimet me anëtarësinë e PD, me qytetarët dhe ky është një proces që do të ecë paralel me kauzat e tjera, betejat e tjera politike, ku siç ju thashë parësore dhe kryesore është çlirimi i Shqipërisë nga bashkëqeverisja me krimin.

LSI e ka bërë të qartë se do të jetë në koalicion zgjedhor me Partinë Demokratike, në mos gaboj edhe nga PD kam lexuar të njëjtin qëndrim. Në media po qarkullojnë disa emra. Dashamir Shehi nuk e ka përgënjeshtruar, nuk e ka refuzuar kandidaturën, por ka thënë është herët ose me kismet… Ka qarkulluar emri i Jorida Tabakut, i Klajda Gjoshës.  A ka Lulzim Basha të kristalizuar në kokën e tij një emër për Tiranën?

Është totalisht e parakohshme, mendoj aspak e vlefshme në këtë moment të hedhim në media emra ndërkohë që kemi shpallur një proces. Dhe që procesi të jetë serioz duhet që qytetarët, anëtarët e PD, faktorët e tjerë, të dëgjohen para se të merren vendimet të cilat do të respektojnë dhe do të përfaqësojnë konsensusin dhe unitetin rreth emrave në çdo bashki, natyrisht edhe për anëtarët e këshillave bashkiakë. Por, siç ju thashë në këtë aspekt, jemi realisht të parakohshëm. Procesi do të nisë dhe një gjë ju garantoj, që të paktën në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, Partia Demokratike do të jetë gati shumë më herët seç ka qenë në ndonjë palë zgjedhje të tjera në historinë e saj.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas