Media

SHBA/ Pushon nga puna shefja e gjuhës kineze në ‘Zërin e Amerikës’

Zëri i Amerikës ka pushuar nga puna ish-shefen e shërbimit të gjuhës kineze në Zërin e Amerikës, Sasha Gong si dhe ka pezulluar nga detyra një menaxher pas një hetimi që zgjati më shumë se një vit lidhur me ndërprerjen e një interviste të drejtpërdrejtë me një kritik të njohur të qeverisë kineze.

Agjencia tha se një grup i pavarur hetimor nuk ka zbuluar prova që mbështesin zërat që qarkulluan se Zëri i Amerikës e ndërpreu intervistën pasi iu bë presion nga qeveria kineze dhe se në shërbimin kinez mund të jetë infiltruar spiunë të kinezëve.



Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett e njoftoi vendimin përmes një emaili dërguar stafit të enjten, ku thuhej se agjencia “ka pushuar një punonjëse të shërbimit kinez dhe ka pezulluar një tjetër”.

Dy punonjës të tjerë të shërbimit kinez presin vendimin dhe masat e mundshme disiplinore. Një punonjës i pestë u kthye në punë disa ditë pas incidentit. Shërbimi kinez i Zërit të Amerikës transmeton për një audiencë prej 40 milionë vetësh në Kinë.

Zonja Bennett nuk pranoi të identifikonte personat e prekur nga masat ndëshkimore kur dha një intervistë. Por Sasha Gong, shefja e shërbimit kinez, e cila ishte pezulluar që pas incidentit, konfirmoi se ishte pushuar dhe menaxheri Huchen Zhang konfirmoi se ishte pezulluar.

Zonja Gong, e cila ka akuzuar publikisht Zërin e Amerikës se e ndërpreu intervistën me biznesmenin kinez Guo Wengui sepse i bëri presion Pekini, autorizoi avokatin e saj, Paul Kiyonaga t’u përgjigjej pyetjeve. Avokati tha se zonja Gong do ta luftojë vendimin përmes çdo mase të mundshme ligjore”.

“Vendimi për ta pushuar zonjën Gong është një ofezë për këdo që beson tek e drejta e fjalës, tek integriteti gazetaresk dhe pavarësia e agjencive federale,” tha avokati. Zoti Zhang tha se në bazë të kushteve të pezullimit, nuk i lejohet ta diskutojë çështjen me persona të Zërit të Amerikës.

Në mesazhin e saj dërguar stafit, drejtoresha Bennett tha se vendimet u morën pas katër proceseve të pavarura hetimore, “të cilat arritën në përfundimin se ndërprerja e intervistës ishte rezultat i përpjekjeve të udhëheqjes së Zërit të Amerikës për të zbatuar standardet gazetareske që ishin përcaktuar që më parë. Gjatë hetimeve nuk u zbuluan prova që mbështesin akuzat se intervista u ndërpre nga presioni i qeverisë kineze që siç u tha, ishte përcjellë përmes spiunëve të Pekinit në Zërin e Amerikës”.

Një nga proceset hetimore u zhvillua nga Zyra e Kontrollit të Brendshëm pranë Departamentit të Shtetit me kërkesë të anëtarëve të Kongresit. Një tjetër u krye nga një profesor i gazetarisë në Universitetin e Merilandit, fitues i një çmimi prestigjoz. Një tjetër hetim doli në mbështetje të argumenteve të Zërit të Amerikës pas një pune tre mujore. Procesi i katërt hetimor u krye nga departamenti i Zërit të Amerikës për sigurinë.

Bizensmeni Guo Wengui, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, kishte shkaktuar irritimin e autoriteteve kineze në periudhën para intervistës që u zhvillua në prill të vitit 2017, pasi kishte bërë një numër akuzash bombastike për korrupsion në radhët e zyrtarëve të lartë kinezë dhe familjeve të tyre.

Zonja Bennett konfirmoi se Kina ishte përpjekur ta bllokonte intervistën, e cila ishte promovuar intensivisht nga shërbimi kinez. Përfaqësues të Pekinit u kishin telefonuar gazetarëve të Zërit të Amerikës në Uashington dhe Pekin dhe kishin lobuar për anulimin e intervistës. Kina kishte nxjerrë edhe një urdhër arresti përmes Interpolit për zotin Guo pak para intervistës.

Intervista, e cila u transmetua drejpërdrejt përmes medias sociale, u zhvillua pavarësisht nga ky presion. Por rreth një orë e 20 minuta pas fillimit të intervistës që parashikohej të zgjaste tre orë, shikuesit panë që kamera u kthye nga intervistuesi, i cili bëri një shenjë që të ndërpritej transmetimi.

Më pas biznesmeni e dënoi ndërprerjen e intervistës, duke postuar në llogarinë e tij në Twitter se u bë “si rezultat i presionit nga aktorë të ndryshëm” dhe duke thënë për të përditshmen South China Morning Post se intervista u sabotua nga një “ndërmjetës” i shërbimeve kineze të zbulimit brenda Zërit të Amerikës.

Menaxherët e Zërit të Amerikës e hodhën poshtë këtë akuzë, duke thënë se intervista u ndërpre sepse shefja e shërbimit dhe stafi i saj ishin udhëzuar të zhvillonin maksimumi një orë intervistë, për të parandaluar mundësinë që zoti Guo të bënte akuza që nuk mund të konfirmohesin për vërtetësi, ose nuk do të mund të balancoheshin me përgjigjen e palës tjetër.

Zonja Bennett e shpjegoi vendimin për të lejuar zhvillimin e një interviste një orëshe drejtpërdrejt, duke thënë se “meqë ishin bërë plane, nuk donim që ta anulonim intervistën, por donim të kufizonim gjasat për mungesë profesionalizmi”. Menaxherët thanë se stafi i shërbimit kinez ishin informuar se mund ta regjistronin pjesën tjetër të intervistës për transmetim në të ardhmen, pasi të konfirmohej vërtetësia e deklaratave.

Zonja Bennett këmbënguli në intervistë se ishte dhënë urdhër për të vepruar në këtë mënyrë. Një analizë e pavarur nga Mark Feldstein, një gazetar televiziv i nderuar me çmim, si dhe Richard Eaton, shefi i departamentit të gazetarisë në Universitetin e Merilandit, dolën në konkluzione që mbështesin vendimin e menaxherëve të Zërit të Amerikës.

Në emailin e zonjës Bennett citohet zoti Feldstein të ketë thënë se duke mos respektuar udhëzimet, shërbimi kinez kishte kryer një “shkelje kolosale dhe të pashembullt të profesionalizmit gazetaresk dhe standardeve të medias televizive”. Në përgjigje të një kërkese me email, zoti Feldstein konfirmoi se ishte shprehur vërtetë në këtë formë, por nuk pranoi të bënte komente të tjera pa u konsultuar me një avokat.

Avokati i zonjës Gong, Paul Kiyonaga këmbënguli të enjten se vetëm pasi “Kina ndërmori një fushatë agresive për t’i mbyllur gojën Guo Wenguit, menaxherët e Zërit të Amerikës u epën para presionit dhe vendosën të kufizojnë gjatësinë dhe përmbajtjen e kësaj interviste tepër të rëndësishme,” një vendim që ai e përshkruan si një ofezë të hapur ndaj misionit themelor të Zërit të Amerikës për raportime të plota, të pacënuara për audiencën e tij në të gjithë botën.

Por emaili që zonja Bennett i dërgoi stafit të Zërit të Amerikës thekson se raporti i Zyrës së Kontrollit të Brendshëm pranë Departamentit të Shtetit arriti në përfundimin se “vendimi për kufizimin e intervistës u bazua thjesht në praktikat më të mira gazetareske dhe nuk erdhi nga presioni i qeverisë kineze”.

Analiza e brendshme e sigurisë “nuk zbuloi prova që mbështesin” akuzat se brenda shërbimit kinez kishin infiltruar agjentë të qeverisë kineze, të cilët kishin arritur të ndërpresin intervistën, shtoi zonja Bennett.

Kur u pyet në intervistë për këto aludime, zonja Bennett tha “Sa herë thuhet se një fuqi e huaj ka infiltruar në një agjenci të qeverisë amerikane dhe po ndikon tek veprimet e saj, kemi të bëjmë me akuza serioze, të cilat ne i morëm shumë seriozisht. Nuk kemi gjetur asnjë provë që dëshmon”,- se këto akuza janë të vërteta.

Zonja Bennett tha se shpreson që në rrjedhën e ditëve e viteve në vazhdim, veprimet e agjencisë “do të tregojnë se ne jemi një organizatë mediatike profesionale që ndjek praktikat më të mira të gazetarisë, që nuk epet para presionit, që ndreq gabimet e saj, por që nëse ka vepruar drejt, mbështet punën e saj gazetareske. Gjithashtu, ne jemi një organizatë që kërkon sjellje profesionale nga çdo pjesëtar i stafit të agjencisë”,- tha drejtoresha e Zërit të Amerikës, zonja Amanda Bennett./VOA/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas