Ekonomi

SHBA-Kinë, gjigandët përshkallëzojnë betejën tregtare

Uashingtoni po vëzhgon me kujdes shkallëzimin e tensioneve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj tregtarë. Kina kërcënon të vendosë tarifa ndaj më shumë se 5 mijë produkteve amerikane me një vlerë prej 60 miliardë dollarësh.

Njoftimi i Pekinit erdhi pasi administrata Trump propozoi rritjen e tarifave për 200 miliardë dollarë mallra kineze, duke vazhduar një betejë tregtare që po shqetëson shumë nga bashkësia amerikane e bizneseve si dhe po shkakton ndarje tek Partia Republikane.



“Ne po i bëjmë realitet ëndrrat e reja amerikane”,- tha Presidenti Donald Trump i cili paraqiti shifra të forta ekonomike, me rritje të fuqishme dhe papunësi të ulët, shumë pranë niveleve rekord.

“Tani që kemi ekonominë më të mirë në historinë e vendit tonë është koha për të rregulluar marrëveshjet më të këqija tregtare të bëra ndonjëherë në botë”,- tha ai.

Në një postim në twitter zoti Trump shkruante se “tarifat po funksionojnë shumë mirë” dhe pohonte se ato do të përmirësojnë financat e vendit duke sjellë “punë dhe shumë begati”.

Por aleatët e presidentit në Kongres janë kundër.

“Nuk mendoj se tarifat janë përgjigja e duhur. Nuk i mbështes ato dhe mendoj se tarifat janë taksa”,- thotë republikani Paul Ryan kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

“Duhet të jemi të kujdesshëm në marrjen e veprimeve që rrisin barrierat ndaj tregtisë. Nëse vendosim tarifa më të larta pa justifikim, ne i hapim rrugën hakmarrjes dhe tarifave më të larta për eksportet tona”,- thotë senatori republikan Rob Portman.

Por jo vetëm republikanët janë kundër. Senatorja demokrate Heidi Heitkamp në një postim në tweeter shkruante: “një përshkallëzim i luftës tregtare me Kinën është gjëja e fundit për të cilën fermerët tanë kanë nevojë ndërsa nis sezoni i korrjes … Kjo luftë tregtare më shumë se Kinën, do të dëmtojë borxhin kombëtar dhe nuk është një strategji fituese”.

Ndërsa disa sektorë amerikanë po ndikohen në mënyrë disproporcionale nga tarifat, administrata Trump thotë se një luftë tregtare do t’i shkaktojë më shumë dhimbje Kinës dhe do të çojë në kushte më të mira tregtare për Shtetet e Bashkuara.

“Duhet të kemi marrëveshje të mira tregtare …Ne do ta bëjmë vendin tonë shumë më të pasur sesa ka qenë ndonjëherë”,- thotë presidenti Trump.

Por grupet e biznesit shohin përpara rreziqe në një kohë kur Dhoma amerikane e Tregtisë paralajmëron se tarifat, mund të dëmtojnë ecurinë e fortë ekonomike, për të cilën zoti Trump flet me krenari./VOA/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas