Kryesore, Politika

‘Shahu’ Rama-Meta tani luhet publikisht…

Presidenti bën publike arsyet e mosdekretimit të Lleshit një javë më parë për shkak të statusit si “gjeneral aktiv” që mbante. 14 pyetjet drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes. Rama pranon “problemin procedural”, por ironizon presidentin. Lleshi heq dorë nga e gjithë jeta e tij ushtarake me shpresë se do bëhet ministër.

Të 14 pyetjet dhe dilemat e presidentit Ilir Meta mbi dekretimin e Sandër Lleshi ministër të Brendshëm, lidhen vetëm në një ngërç: “Lleshi ishte zyrtarisht gjeneral aktiv”… Vetëm ditën e djeshme kreu i shtetit Ilir Meta ka zbardhur arsyen e vërtetë që nuk dekretoi kandidaturën e kryeministrit një javë më parë. Ai ka shtruar 14 pyetje drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, duke kërkuar informacion nëse gjenerali vijon të jetë pjesë aktive e Forcave të Armatosura. Gjithashtu për këdo “konstitucionalist”, Presidenti Meta ka renditur të gjithë nenet që parashikon ligji themeltar i shtetit për refuzimin në hedhjen e firmës për dekretim. “Duke qenë se, kandidatura e z. Sandër Lleshaj, vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake, në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku ministri si funksion kushtetues, është autoritet civil, në zbatim të neneve 69, 103, 167/1, të Kushtetutës, emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese. Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”, thuhej në letrën e Presidentit. Meta fillimisht i është referuar Kushtetutës së Shqipërisë, konkretisht nenit 69, ku thuhet se nuk mund të kandidojë për deputetët pa hequr dorë nga detyra, ushtarakët në shërbim aktiv. “1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra: a) gjyqtarët, prokurorët; b) ushtarakët e shërbimit aktiv”- thekson pa lënë vend për interpretim neni 69 i Kushtetutës. Në këtë rast, të paktën deri dje, Sandër Lleshi konsiderohej “gjeneral aktiv i Forcave të Armatosura”. Gjithçka lidhet me një vendim të Gjykatës së Apelit të vitit 2013, që shprehej se Sandër Lleshi duhet të kthehet në detyrën e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ose në një pozicion tjetër sipas gradës ushtarake që mban. Gjenerali u shkarkua nga detyra me propozim të ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami dhe më pas propozimi i tij u dekretua nga ish-Presidenti I Republikës Bujar Nishani. Gjeneral Lleshi nuk mbeti pa punë, pasi me ardhjen e kryeministrit Rama në pushtet në vitin 2013 ai e emëroi këshilltar për çështjet e sigurisë. Gjithashtu Lleshi iu drejtua gjykatës duke kundërshtuar vendimin për shkarkimin e tij dhe e fitoi çështjen në sistemin e drejtësisë. E zbatuar me “përpikëri”, vendimi i Gjykatës së Apelit që urdhëronte rikthimin në detyrën e mëparshme, ose në një pozicion tjetër në përputhje me gradën që mbante nënkupton se Lleshi është ende “gjeneral aktiv” dhe kjo duket se ishte kleçka ligjore dhe kushtetuese që Meta gjeti për të refuzuar në fillim dekretimin e Sandër Lleshit në krye të Ministrisë së Brendshme. Edhe me argumente të renditura, loja politike nuk përfundoi aq lehtë, pasi kryeministri preferoi të përgjigjej ironikisht. Gjithsesi, “nën rreshta” ka pranuar se edhe nëse do ishte ky problem, kjo mund të ishte zgjidhur lehtësisht ku si fillim Meta ta zhdekretonte nga grada e gjeneralit aktiv, ndërsa më pas ta dekretonte Lleshin si ministër.



Rama: Shqetësimin na e thoshe që në fillim…

Pasi Kreu i Shtetit autorizoi bërjen publike të pyetjeve të tij, edhe Edi Rama tregoi letrën që i kishte dërguar Presidentit, ku nuk e fsheh keqardhjen që ky shqetësim nuk është shtruar që në fillim nga Meta: “Ekspertët tanë mbrojnë bindjen se edhe nëse gjeneral Sandër Lleshi do të ishte ushtarak në detyrë, çdekretimi i tij si i tillë nga Presidenti i Republikës, do të duhej bërë pas miratimit nga Kuvendi të dekretit Tuaj për të si ministër. Por siç na mëson eksperienca jonë, e Juaja dhe e imja, ka gjithnjë juristë me opinione të ndryshme. Kështu që, është e tëra Juaja zgjedhja e opinionit tonë të shprehur në përgjigjen e ministres apo e një opinioni të ndryshëm nga i yni dhe, në rast se ky i fundit do të jetë rasti, ju mund ta çdekretoni Sandër Lleshajn si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar Jush) e pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm (bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë)”, shkruan Rama. Duke shprehur konsideratën më të lartë për institucionin e Presidentit, Rama mbyll letrën drejtuar Metës duke sqaruar se adresimi i tij si gjeneral kur i referohet ministrit të ri të Brendshëm, ka të bëjë me titullin që mbetet pas gradës në karrierën e shkëlqyer të dikujt. E parë në mënyrë strikte në zbatim të Kushtetutës, duket se në rastin e parë të mosdekretimit Meta kishte vepruar drejt, duke e mbajtur pezull çështjen. Askush nuk e përjashton se kjo ishte një lojë politike nga të dyja palët, ku presidenti në këtë rast më shumë se “bashkëbisedim me institucionet” çështjen e dekretimit e bëri publike. Për Ramën kjo “lojë shahu politik” mund të jetë mbyllur vetëm në momentin kur Meta të dekretojë Lleshin në krye të Ministrisë së Brendshme. Për të vijuar përplasjen dhe se treguar forcën, Rama e emëroi Lleshin zëvendësministër të Brendshëm me kompetenca të një ministri. Pavarësisht pjesës procedurale dhe njëanshmërisë, ndërkombëtarët bënë thirrje për një Ministri të Brendshme funksionale, pasi ishte institucioni kyç në luftën kudër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu, dhanë edhe vlerësime pozitive në lidhje me figurën e gjeneral Lleshit. Grada madhore që mbante, e fituar hapa pas hapi në Forcat e Armatosura këtë herë e “penalizuan” për t’u dekretuar menjëherë në krye të Ministrisë së Brendshme, por pasi bëri publike letrën dhe kërkesën për të hequr dorë nga çdo pozicion ushtaraku, ngjan se i ka hapur rrugë shtegut që të çon drejt ministrisë. Loja mbetet ende e papërfunduar për aq koha sa kreu i shtetit do të marrë sërish në duar përgjigjet nga institucionet dhe më pas ka kohë deri këtë të premte për të dhënë një përgjigje përfundimtare për ta dekretuar ose jo Lleshin në krye të Ministrisë së Brendshme.

Lleshi e “heq” vetë uniformën…

Ndërsa lajmet qarkullonin politikisht sa në presidencë në kryeministri, ka qenë vetë Sandër Lleshi, i cili nëpërmjet një letre zyrtare drejtuar disa institucioneve, përfshi edhe presidencën, lajmëroi se hiqte dorë nga karriera ushtarake. “Deklaroj me anë të kësaj letre se, në cilësinë e gjyqfituesit, me institucionin që ju drejtoni dhe Ministrinë e Mbrojtjes, heq dorë plotësisht nga të gjitha të drejtat që burojnë nga zbatimi i vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit. Në interpretimin tim nuk ka pengesë ligjore për dekretimin tim nga ana Juaj, por mirëpres çfarëdolloj akti administrativ nga ana Juaj, apo e çdo organi përgjegjës të parashikuar nga ligji, që do të qartësonte dhe do të vendoste pa asnjë keqkuptim se nuk jam më ushtarak aktiv, por i liruar nga shërbimi aktiv ushtarak, me qëllim që të përmbushet funksionimi i  rëndësishëm kushtetues i emërimit të ministrit të Brendshëm”-deklaroi Lleshi. Në këtë mënyrë ngjan se ngërçi apo “krisja” sikurse e pati deklaruar më parë kryeministri mund të jetë e tejkaluar. Gjithashtu, një pjesë e konstitucionalistëve pasi kanë parë të detajuar referimet kushtetuese të kreut të shtetit në lidhje me arsyet e mosdekretimit të Lleshit një javë më parë, duket se i japin të drejtë kreut të shtetit.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas