Mapo Letrare

Sfida e vështirë “Kadare” në udhën e institucionit

Nga Ben Andoni

Letrat e çdo lloji, faqet e librave, bibliotekat dhe libraritë kanë kohë që i trembin njerëzit. Përpjekja e sotme e njerëzve të librit nuk zhvillohet më në lëmin estetik dhe profesional letrar sesa është në gjendje të krijojë pezullin e famshëm për të tërhequr vëmendjen dhe kërshërinë e lexuesit, por sesi të angazhojnë qenien të guxojë e ta mbajë librin në dorë. E themi kështu, sepse me sa duket, kjo është sfida e shekullit XXI, që u shtohet paradokseve të mëdha të civilizimit dhe shkuarjes në kahun negativ të kulturës. Kush arrin dhe e kalon sfidën e leximit të faqeve të para, kush nuk ngatërrohet te kompozicioni dhe struktura e shumëfishtë e një vepre dhe e mban në kontroll, atëherë ia ka arritur qëllimit. Endja narrative pastaj dhe ngërthimi mbetet në dorë të njerëzve të letrave, të pak lexuesve të mirë dhe jurive. Këto të fundit mbartin të gjitha përpjekjet për t’i shpëtuar llumit që i hidhen pa fund prej të gjitha anëve, por edhe amortizojnë disi kinset. E sa shumë kinse!



Pas skandalit të jurisë së “Nobelit” dhe privimit të vitit 2018 nga akordimi i këtij çmimi, nihilistët e letrave kanë gjetur një arsye të madhe për t’u shprehur se çmimet janë të shitura. Teoritë e konspiracionit tashti kanë marrë qytetari dhe kanë ngjallur mendimin e shprehur prej dekadash të shkuara: Çmimet letrare shiten, njësoj si ndeshjet në loto! Tashmë fajtori për mosmarrjen e “Nobelit” nga Borghes, ashtu si primivimi i një mali emrash të këtij niveli, gjendet aty te vetë njerëzit e librit. Nihilistët janë ngrohur. Janë ata pra varrmihësit e vërtetë të librit. Në vendet e vogla ku hapja e qarqeve koncentrikë të jehonës letrare është edhe më shumë e vonuar, njerëzit e letrave e shtojnë vetë këtë tollovi me nëpërkëmbjen, hatërmbetjen dhe sidomos me vlerësimin e jurive, që shpesh mbartin gjynahe jo të pakta mbi vete.

Kur pak vite më parë u iniciua çmimi “Kadare”, njerëzit e letrave rrudhën buzët me atë grimasën e zakonshme të shqiptarit mosbesues. Një çmim tjetër, një sherr më shumë dhe një fushë përgojimi e pafund. Më mirë pa të. Një i tillë, me të njëjtin emër, me gjithë zhurmën ishte fashitur dhe ja, ku ia beh edhe një i dytë.

Vërtet, po të jetosh në mjedisin e letrave shqiptare, nuk i ndahesh dot këtij perceptimi. Mllefit. Urrejtjes. Zezonës. Kështu ka ndodhur dhe me të gjithë fituesit e çmimit “Kadare” deri më tash. Qysh në momentin kur autorit që jetonte në SHBA i është lajmëruar kumti i çmimit, ai nuk besonte realisht. Çfarë kishte ndodhur?! Shkëlqim Çela, me një formim agronomie dhe statistike dhe ikur që nga viti 1988 prej Shqipërisë, nuk mund të besonte kurrë se një juri e panjohur për të kishte vendosur t’i jepte çmimin në letërsi. Pak javë më vonë, në shpjegimin e tij disi konfuz, ai do të shpjegonte për dëgjuesit strukturën e librit, mënyrën e ecjes së tij dhe etapat e zhvillimit të njeriut që ai kish në mendje. Kurse, duke përfunduar do të shtonte se asnjëherë s’kish menduar se një juri e bashkatdhetarëve do t’i blatonte çmimin një të panjohuri si ai. Shkrimtari kosovar Musa Ramadani nuk mund të përmbante emocionet, kur u shpjegoi të pranishmeve bajagi të shumtë, në hollin e “Mapo” një edicion më vonë, se pse ishte zgjedhur pikërisht ai. I panjohuri! Në fabulën e vet me kontekstin e ri të personazhit të Kafkës, autori shkoi përtej “dialogut” dramatik të tij dhe risolli me një formë shumë interesante idenë e vet, duke ua shpjeguar me fonema të rënda dëgjuesve, që do e lexonin sakaq. Theksi mbeti te çmimi: Po pse Unë?! Rudolf Marku, që do të ishte mbajtësi i parë i çmimit, tregoi se letërsia shqiptare ka kapur nivele të tjera dhe veç eksperimentit në kompozicion, ai përcolli një narracion shumë interesant, që shtjelloi si duhet idenë e tij. Dhe, me një përpjekje të bukur erdhi Virgjil Muçi, pak javë më parë me Piramidën e tij të Shpirtrave, ku autori përcolli një ide, që nga jo pak njerëz dhe u kontestua. Por gjysmëzëri. Të tjerët? Nuk e kemi lexuar! Po pse ai?! Sepse ne flasim, mendojmë dhe shkruajmë vetëm në gjysmë. Ky është komuniteti i fituesve të sotëm të “Kadaresë”, pa hatërmbetje dhe të votuar me përballje aspak të lehtë. Të paragjykuar. Të panjohur.

A do të ishte dikush tjetër fitues në vend të këtyre katër emrave? Padyshim që po. Por juria, e përzgjedhur nga “Mapo” nuk hezitoi në gjykimin e vet dhe në të gjitha vlerësimet, çmimet janë ndarë me fare pak vota. Kjo është e bukura dhe e trishta e këtij çmimi. Ndërkohë, paçka një lloj indiference, duket se çmimi “Kadare” e ka fituar qytetarinë e vet. Fasha shoqëruese e librit se ky është fitues i çmimit “Kadare” është një investim i mirë në blerje. Kjo është arsyeja që pezulli i çmimit i përcjell në alert shtëpitë botuese shqiptare, sepse në të nuhasin fitimin për autorin dhe librin e tyre. Shkrimtari dhe vepra e tij janë thjesht një produkt, nëse do të gjykojmë thjeshtësisht dhe do të lirojmë kuptimin e çmimit. Lexuesi gjykon dhe nga marka. Dhe, zakonisht çmimi është një markë. Aq më shumë “Kadare”, gjithnjë i drejtuar nga emra autoritarë. Në vitet e fundit, ka prej atyre autorëve tanë syresh, që përcjellin mesazhe, mendojnë për mesazhe dhe për ta çmimi mbetet një konvencion. Në Shqipëri ndodh jo pak, që fitimtarit i duhet çmimi se e ngazëllen me krenarinë e fituesit dhe ndjenjën e supremacisë, kaq e dashur në këtë komunitet. Jo më kot ka aq çmime lokale që pakkush i njeh dhe i vlerëson, por që ngazëllejnë shumë patetikë. E ndodh që një ditë pas çmimit, një reaksion kimik shndërron qenësinë e njeriut të letrave. Ai është i pari. Kurse, i ashtuquajturi humbësi turfullon nga dhembja dhe mundja. Shumë e cilësojnë poshtërim dhe ata të parët që e pësojnë janë pikërisht njerëzit e letrave, ata që e ndihmuan këtë proces. Mllefi pushton zemrat, çliron zezonën dhe lëshon dorën.

Në këtë hulli, çmimi “Kadare” është futur në një proces sfidues dhe ka arritur që të ravijëzojë fizionominë e vet, të formësojë një profil, kurse emrat që e kanë kryesuar atë jo thjesht kanë treguar integritet, por kanë sugjeruar pa asnjë kompleks ndryshime. Anipse, ndjesia që mbetet kur jepen çmimet në këtë rast është shpesh një tejet e njohur: Shkrimtarët shqiptarë e njohin pak njëri-tjetrin, e lexojnë dhe e vlerësojnë akoma më pak, paçka se vendi ynë është kaq i vogël e sërish në masë shumica as nuk e merr mundimin të lexojë kundërshtarin e mallkuar.

Kjo, mbase, ka qenë sfida e bukur e çmimit “Kadare”, që nuk është lëbyrur nga emrat, kurse vlerësimet primare, paçka pretendimeve, kanë qenë tejet demokratike. “Mapo”, në të gjitha zhvillimet e saj, nëse do ta reformojë më tej strukturën e saj, ashtu si dikton koha, premton realisht përcjellje interesante, por edhe vazhdimësi. Kjo e fundit është pikërisht ajo që i mungon vendit prej vitesh sa u përket aktiviteteve kulturore dhe artistike. Dhe nëse kjo rregullsi do të vijojë përtej vështirësive “Kadare” do të fitojë betejën më të vështirë, kthimin në traditë. Është pikërisht ky hap që i bën çmimet letrare të jenë institucione dhe ajo që u mungon vlerësimeve tona.

Përfundimet e një jurie përcillen rëndom me kundërshtesa dhe me shkrime, që jo rrallë i kalojnë të gjitha kriteret e arsyes. Anipse duket se ky nuk është fenomen shqiptar, por një cinizëm normal në historinë e kulturës sot. “Kadare”, për shkak të qytetarisë së tij në fushën e çmimeve i duhet të përshkojë një udhë, që askush tjetër nuk e ka bërë më ose e ka përshkuar në pak vite. Dhe, kjo është sfida e institucioneve që duan të bëjnë ndryshime. Në ato që kanë referuar njerëzit që janë marrë me të, kanë dalë problematika që për çdo vit manifestohen. Është hedhur ideja e një jurie të fshehtë, emrave të konkurrentëve që duhet të jenë të kodifikuara dhe sekrete dhe mbi të gjitha një staturë me komplekse e emrave përfaqësues të jurive. Për fat të keq, koha e paktë në dispozicion të jurive nuk mundëson leximin e të gjitha veprave, kurse në Shqipëri ekziston ajo vlaga e paragjykimit ku menjëherë njeriu gjykohet ende nga emri dhe koniunkturat. Në një masë gjykimi estetik ka disa kanone, që e afrojnë në saktësi me gjykimin matematik. Dhe këtë mund ta bëjnë njerëzit e artit, që kanë dhe profesione të tjera alternative, sepse dy-tre atribute i japin më shumë përparësi një vlerësimi real. Të gjitha këto fakte që lidhen me çmimin “Kadare”, e bëjnë të besosh se ky është një institucion që premton një seriozitet, por edhe një investim që do e justifikojë vetveten. Sesa do ta përballojë sfidën e madhe me letrat shqipe, ajo mbetet nga shikimi i së ardhmes dhe sinqeriteti i vetë këtij institucioni ndaj vetes. Çmimi “Kadare” duket se ka marrë udhë për të bërë traditën e tij. Atje, në atë vendin e rrallë, ku letrat, faqet e librave, bibliotekat dhe libraritë të fillojnë e të mos i trembin më njerëzit.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas