Editorial

Sesioni parlamentar përfundoi ashtu sikurse nisi, me krizë politike

Nga Ervis Iljazaj

Zakonisht në fund të një sesioni parlamentar bëhet një bilanc se çfarë ka sjellë ai gjatë një viti politik. Sesioni që kaloi mund të karakterizohet si një nga sesionet që pa palët politike më larg se kurrë.



Të gjithë kemi parasysh pamjet e shpeshta me bllokimin e foltores  të Parlamentit apo me protesta të mënyrave të ndryshme. Përtej debatit, nëse ato protesta ishin të drejta ose jo në kauzat e tyre, ajo që mund të thuhet me siguri është se, viti që lamë pas është me siguri, një nga vitet me konfliktuale që kemi parë ndonjëherë në Parlamentin e Shqipërisë.

Në fakt, sesionin e kaluar parlamentar çështjet që ishin në diskutim ishin të rëndësishme, dhe një konfliktualitet i lartë ishte më se i pritshëm.

Duke filluar që nga çështja e Sajmir Tahirit, te ajo e ministrit aktual Xhafaj, apo dhe te emërimi i Kryeprokurorit të Përkohshëm, ishin çështje që me patjetër do të rrisnin konfliktualitet politik dhe agresivitetit e opozitës. E kundërta do të ishte e çuditshme.

Kjo për sa i përket betejës politike midis mazhorancës dhe opozitës, por, gjatë vitit të kaluar, ishte dhe viti i vetting-ut, zbatimit të  mëtejshëm të Reformës në Drejtësi ku pritet krijimi i organeve të reja të drejtësisë. Edhe në këtë rast konfliktualiteti politik, largësia midis palëve , bëri që ky proces të vonohet.

Po ashtu, vendimi çeljen e negociatave ishte një moment politik i rëndësishëm. Edhe në këtë rast, palët e interpretuan atë sipas interesit politik të tyre.

Beteja politike është normale në një demokraci, kur bëhet fjalë për qeverisjen, apo për ideologjinë që duhet të udhëheq shoqërinë drejt zhvillimit, por,  konfliktualitet për të ndërtuar një sistem, apo rregulla loje të përbashkëta, është gjithmonë në dëm të një vendi, pasi e paralizon totalisht atë.

Kjo është panorama që shfaqet sot, kur bëhet fjalë për disa nga çështjet thelbësore që presin përgjigje nga politika shqiptare siç janë vazhdimi i reformës, sistemi zgjedhor, apo dhe çështje të tjera, që kërkojnë një bashkëpunim politik.

Seanca e djeshme, e fundit për këtë sesion parlamentar, ishte një mundësi për të gjetur një gjuhë të përbashkët për të zgjidhur krizën ku gjendemi. Jo vetëm që nuk e arriti këtë, por, përkundrazi, e thelloi edhe më tej.

Kryetari i Partisë Demokratike, në konferencë për shtyp, vendosi 7 kushte për të rifilluar bisedimet me mazhorancën, për ti dhënë zgjidhje ngërçeve në pushtetin e drejtësisë që janë krijuar si pasojë e fazës tranzitore të Reformës në Drejtësi. Duke filluar që nga emërimi i një Kryeprokurori të ri me konsensus, e deri te ligjet organike të Reformës në Drejtësi.

7 kushte për të cilat, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike dukeshin të vendosura për ti çuar deri në fund. Sigurisht të refuzuara nga mazhoranca në të gjitha deklarimet e saj. Në këtë kuptim, në fund të sesionit parlamentar, palët duken edhe më larg se sa në fillim të tij.

Kështu që, sesioni që do të fillojë në shtator, me të gjitha gjasat, do të jetë një moment politik i vështirë dhe konfliktual, deri edhe  në një  krizë totale.

Ky moment bllokimi i palëve, vjen edhe si pasojë e mungesës së ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, i cili jo rrallë herë ka zgjidhur krizat politike.

Në këtë kuptim, në shtator, të gjitha opsionet janë të hapura. Që nga bojkotimi parlamentar, te bashkëpunimi politik, apo dhe të bashkëqeverisja midis mazhorancës dhe opozitës. E sigurt është se, shtatori , nuk do të jetë një muaj i ‘’mërzitshëm’’ politikisht.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas