Kryesore

Sërish avionë luftarakë mbi Preshevë, ministri serb: Thaçi do zvarritet para ushtrisë tonë

Avionët luftarakë të Serbisë i kanë shqetësuar edhe këtë të premte banorët e Preshevës.

Që prej orëve të para të mëngjesit, ata janë parë të fluturojnë shumë pranë vijës ajrore të Luginës, duke bërë që qytetarët atje të frikësohen për sigurinë e tyre.



Një situatë e ngjashme u paraqit edhe të mërkurën.

Atë ditë, KFOR-i sqaroi përmes një njoftimi se nuk bëhej fjalë për ndonjë kërcënim nga Serbia, e se avionët ushtarakë serbë kishin bërë manovra.

Megjithatë, tensionet e krijuara i shtyjnë banorët e zonës të mendojnë se gjërat mund të mos jenë edhe kaq të thjeshta. Ushtria e Serbisë përveshi mëngët për të treguar muskujt të enjten, duke shtënë me municione luftarake në një sulm të improvizuar ndaj pozicioneve të kryengritësve, në një terren stërvitjesh në lindje të Beogradit.

Stërvitja me emrin e koduar “Sinergjia 2018” u krye 3 ditë pasi policia e Kosovës përdori forcën për shpërndarjen e protestuesve serbë në qytetin e Mitrovicës, në veriun e Kosovës, e për një kohë të shkurtër mbajti të arrestuar Marko Gjuriçin, një incident ky që rindezi tensionet mes dy vendeve.

Kurse ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin ka bërë një kërcënim të hapur për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Sa i përket Thaçit dhe guximit të tij, ai për herë të fundit iku nga ushtria jugosllave, kurse herën tjetër do të zvarritet para ushtrisë të Serbisë, nëse është e nevojshme kuptohet”, tha Vulin.

Ky reagim erdhi pas deklaratave të Thaçit, i cili mohoi kërcënimin e Vuçiçit se ky i fundit kishte paralajmëruar dërgimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas