Mapo Format

Selami Xhepa: Shteti t’iu nënshtrohet rregullave të tregut si të gjithë operatorët

Fushata sensibilizuese e Institutit Pashko

“Nuk na duhet shtet, por treg”, një fushatë që përtej sloganit provokues ka për qëllim jo luftimin e shtetit, por promovimin e një konkurrence me rregulla të barabartë. Kur shteti funksionon si operator ekonomik duhet t’iu nënshtrohet të njëjtëve rregulla të tregut si të gjithë operatorët, është i mendimit presidenti i Instituti Pashko, Selami Xhepa, i cili tha se shteti është në konflikt të hapur me tregun dhe se shteti i dobët ka çuar në konkurrencë të pandershme dhe operatorë në pozita monopoli



“Ne do të bëjmë shtet!”, ky zotim i kryeministrit Rama teksa përplaste dorën në shenjë vendosmërie mbi tavolinë, i përsëritur shpesh edhe gjatë fushatës elektorale të 2017-ës , bën që viti i pestë i qeverisjes së Majtë -me timonin në duart e kryeministrit Rama- me një qasje fillestare të Rrugës së Tretë të jetë koha për një bilanc. Një vit që shfaq edhe elemente të një risku, është i mendimit Henri Çili, i cili gjatë prezantimit të fushatës sensibilizuese të Institutit Europian Pashko “Nuk na duhet shtet, por treg!” foli për kosto të mëdha. “Ka një ngadalësim të motorit ekonomik, depresion, ngecje, nivel mizerabël i administratës shtetërore në nivel të dytë dhe të tretë. Këto janë tipare të një antropologjie kulturore e politike si etatizmi”, u shpreh Çili, ndërsa shtoi se kjo fushatë vjen si nevojë për të informuar dhe ndërgjegjësuar shoqërinë shqiptare mbi pengesat burokratike, etatiste e strukturore që pengojnë zhvillimin e tregut, garën dhe konkurrencën.

 “Nuk na duhet shtet, por treg” është fushata e dytë e këtij instituti, e cila vjen pas asaj të vitit 2015 kundër taksave të larta e të shumta. “Rezultoi se kishim të drejtë. E pamë të gjithë se çfarë i ndodhi ekonomisë nga ndërhyrjet e mëdha në emër të të bërit shtet goditi në mënyrë të padrejtë biznesin dhe sipërmarrjen e lirë në vend”, -tha drejtori ekzekutiv i Institutit Pashko, Besart Kadia gjatë ceremonisë prezantuese. “Sot rikthehemi me një fushatë të dytë për të rritur vëmendjen ndaj asaj që njerëzit e shohin si ideologji, por që prek jetët e gjithsecilit prej nesh çdo ditë”.

Presidenti i IEP-së, Selami Xhepa, sqaroi me detaje përmbajtjen e kësaj fushate për të shmangur keqkuptimet që kanë shoqëruar shpesh liberalët, qysh prej fillimit të tranzicionit se janë kundër shtetit. “Shteti dhe tregu nuk përjashtojnë njëri–tjetrin. Asnjëri nuk ekziston pa tjetrin. Një treg nuk mund të ekzistojë kurrë pa një shtet funksional dhe eficient dhe një shtet i dobët nënkupton një shtet të dështuar. Janë të lidhur dhe në sinergji me njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja që doja ta shpjegoja që të mos kuptohet sikur jemi alergjikë ndaj çdo gjëje lidhur me shtetin”, –tha Xhepa, duke shtuar se shteti ka një konflikt të hapur me tregun, pasi vjen edhe si rregullator ekonomik, edhe si operator. “ Kur themi nuk duam shtet nuk nënkuptojmë mosekzistencën e tregut si rregullator, por kur funksionon si operator ekonomik duhet t’iu nënshtrohet të njëjtëve rregulla të tregut si të gjithë operatorët”. Shteti i dobët, vijoi ai, ka bërë që të mos ketë konkurrencë të ndershme dhe ku operatorë të caktuar kanë pozita monopoli. “Nga njëra anë, duam që shteti të tërhiqet nga funksionet që nuk i kryen ose kur i kryen të jetë në pozicion të barabartë me të tjerët, dhe jo të privilegjuar për shkak se ia jep qenia si shtet. Të promovojmë idetë e lirisë që të gjithë operatorët e ekonomisë, përfshirë shtetin të jenë në të njëjtët rregulla loje”, përfundoi Xhepa, duke iu bërë thirrje kolegëve të kontribuojnë me artikuj apo punime shkencore në mënyrë që shteti të bëjë atë që di të bëjë mirë dhe të lërë ekonominë të ecë në rrugën e vet.

Instituti Europian Pashko vjen si agregim i disa iniciativave me karakter “non profit” dhe të një interesi publik siç janë Qendra UET për kërkimin dhe inovacionin, Programi për Liri Ekonomike, Botimet periodike Mapo, Botimet UET Press, Programi për zhvillim të qëndrueshëm Kulturë-Trashëgimi-Turizëm dhe Programi ABC-konsulencë për biznesin social.

Ky institutit mban emrin e Gramoz Pashkos, si një simbol i moderniteti shqiptar dhe mendimit liberal, një simbol frymëzues për të gjithë shoqërinë shqiptare. “Duket si provokim, të emërtosh një institut me frymë dhe filozofi liberale, me karakter jofitimprurës me emrin e Pashkos. Por nuk ka kurrfarë provokim, ka koherencë; vetëm të suksesshmit kanë aftësinë të mbështesin të tjerët drejt suksesit dhe zgjedhjes së lirë”, përfundoi Çili.

Gjatë ceremonisë u prezantua edhe programi i Institutit Europian Pashko në një broshurë ku pasqyrohen aktivitetet e të gjitha nismave në shërbim të shoqërisë të përfshira nën ombrellën e institutit dhe impakti i tyre në shoqërinë shqiptare.

PasPara

1 koment

  1. Hahahah\
    Nuk duhet shtet por treg?!?!?!?!?
    Kafshet dhe egersirat e deshirojne kete, si Gramoz Pashko.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas