Aktualitet, Kryesore

Selami Xhepa: Shkenca sot paraqitet më shumë si narracion se si doktrinë abstrakte

Selami Xhepa ka qenë një ndër autorët e ftuar në bisedë për librin e mendimin ekonomik, në Ditënetët e Librit që po mbahet në Muzeun Historik Kombëtar. Dekani i Fakultetit ekonomik në UET dhe një figurë e njohur e mendimit Xhepa foli në një bisedë me Alda Bardhylin mbi librat e botuar në UET PRESS dhe mënyrën sesi shkenca shihet sot.

Më poshtë po japim një pjesë të shkëputur nga biseda.



Ludwig von MISES dhe  Hayek, janë dy personazhe të rëndësishëm të mendimit e filozofisë ekonomike. Ju i keni sjellë në shqip këta dy autorë, por si ekonomist çfarë ka qënë për ju njohja me këto dy personazhe?

Mises dhe Hayek janë dy gurë themeli të një prej shkollave shumë të rëndësishme të mendimit ekonomik, që njihet si Shkolla Austriake. Mësuesit e tyre, Karl Menger dhe Bohm Bawrek, kishin ndryshuar historinë e analizës ekonomike duke themeluar ekonomiksin neoklasik, që vazhdon dhe sot të jetë doktrina themelore në mainstream të ekonomiksit që studiohet në katedrat universitare. Ajo çfarë von Mises dhe Hayek kontribuuan ishte kritika e sistemit socialist të organizimit të ekonomisë, planifikimit qendror dhe centralizmit, dhe nënvizimi i idesë themelore se çmimi mbetet sinjali më i përkryer për alokimin eficient të burimeve. Këto ide ekonomike, bashkë me tezat politike dhe filozofike të liberalizimit, i dhanë kësaj shkolle një zë të fortë në mjediset intelektuale evropiane dhe amerikane dhe në gjithë botën e lirë. Madje, Hayek vetë thotë tek autobiografia e tij se kur kishte vizituar Gjermaninë Lindore pas lufte, kishte gjetur kopje të librit të tij Rruga drejt Skllavërisë të shkruara me dorë në fletore dhe që qarkullonte si një libër i verdhë. Von Mises ishte një kundërshtar ideor dhe politik i pathyeshëm në kritikën ndaj sistemit komunist ndërsa Hayek ishte gjithashtu dhe një debatues dhe kundërshtar i madh i Keynes-it, vepra dhe teoria e të cilit ishte shndërruar në një mënyrë dhe filozofi veprimi për qeveritë e vendeve demokratike.

A ka një transformim të filozofisë së tyre sot?

Triumfi i kejnsianizmit që gjatë viteve të Depresionit të Madh dhe deri në mesin e viteve 1970, krijuan një botë me borxhe shumë të larta publike dhe më vonë dhe borxhe private. Kjo ishte ajo që kishte paralajmëruar Hayek. Tre muaj para se të ndërronte jetë Keynesi, ata ishin takuar së bashku në një leksion që Keynesi kishte mbajtur në publik. Hayek e kishte paralajmëruar se ai i kishte dhënë qeverive një argument mbështetës por abuzues, pasi nëpërmjet borxheve të larta publike, qeveritë do të fusnin në zotërim individin dhe liritë e tij. Keynesi i ishte përgjigjur se pas tre muajsh do të shkruante një tjetër këshillë për qeveritë që ti ndalonte ato; por pas tre muajsh kishte ndërruar jetë. Ndërsa qeveritë vazhduan të shkruajnë tendera publik (apo, siç po bëjmë sot, kontrata të famshme PPP), të zgjerojnë programe e mirëqenës sociale, duke çuar në një situatë kritike për potenciale krizash dhe pamundësi të menaxhimit të realiteteve të krijuara. Këto paralajmërime Hayek i kishte bërë në veprën e vet Rruga Drejt Skllavërisë ë kishte botuar si kundërpërgjigje ndaj Teorisë së Përgjithshme të Keynesit.

Kriza e vitit 2008 e ka rikthyer me po aq forcë debatin mbi defektet e sistemit kapitalist, shpeshherë duke vënë në pikëpyetje edhe të ardhmen e këtij sistemi. Them se Hayek është akoma gjallë në mesazhet që na jep.

Ekonomia dhe shkrimi dy disiplina të ndryshme. Megjithatë si shkon një ekonomist tek shkrimi?

Të shkruarit është pjesë e punës së çdo studiuesi në secilën disiplinë të shkencave, përfshi dhe ekonominë. Por, problemi që kanë në përgjithësi studiuesit me audiencën është mënyra e komunikimit, gjuha e cila shpeshherë është e thatë, akademike gjuhë modelesh dhe simbolesh, duke e bërë mendimin të pakapshëm për publikun e gjerë. Vitet e fundit unë shoh se ka një mënyrë të re të shkruari, ku shkenca paraqitet më shumë si narracion se si doktrinë abstrakte. Në këtë mënyrë po shkruhen jo vetëm librat e shkencave sociale, por edhe traktate të rëndësishme matematikore, mjekësore, etj. Një ekonomist, i cili bisedon me gjuhën e modeleve dhe simboleve, e ka të vështirë të kuptohet edhe brenda komunitetit të vet, lër mënjanë publikun e thjeshtë.

Liberalizmi ekonomik, përmes 24 mendimtarëve, është një ndër librat ku ju jeni bashkautor me Ardian Civicin. Çfarë i bashkon dhe i ndan këta filozof?

Ata i bashkon bindja se tregu i lirë, shteti minimal dhe liria  e individit përbëjnë mënyrën më të natyrshme të organizimit politik dhe social të shoqërisë dhe qasjen më efektive dhe të drejtë në progresin material dhe mirëqenën e saj. Por ata mund të jenë të ndryshëm në qasjen metodologjike dhe largësinë e argumentit. Disa prej tyre, për shembull, shkojnë deri në pozitat e anarkistëve (Rothbard, Ron Paul, Rand, etj), ndërsa të tjerë janë më të kujdesshëm dhe institucionalist, si Becker, Coase, etj…

 

<
>
32808049_2112280629016450_3629911122250825728_n 32889399_2112280669016446_3430771536187883520_n 32891520_2112280749016438_4010700654971453440_n 32924367_2112280859016427_1027079083093131264_n

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas