Mapo Format, Universitet

Selami Xhepa, dekani i Ekonomikut: Në Shqiperi publiku duhet të bëjë dallimin privat -shtetëror, akreditimi britanik e bëri diferencën

Edhe pse sistemi privat i edukimit është një sektor i ri në vendin tonë, ai ia ka dalë që të konsolidohet dhe të krijojë një historik pozitiv. Një nga ekonomistët më të njohur dhe me eksperiencë në vendin tonë, i cili është edhe dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës, Selami Xhepa, mendon se është momenti që në Shqipëri publiku të bëjë dallimin e vërtetë privat –shtetëror sa i përket standardeve. Ish-deputeti Selami Xhepa thekson se aplikimi për herë të parë në vendin tonë i vlerësimit të universiteteve nga Agjencia Britanike e Akreditimit ka qënë akti më i rëndësishëm dhe më pozitiv.

“Ajo që e garanton publikun shqiptar nuk është se e garanton vetë universiteti pasi ka një konflikt interesi. Ajo që e garanton këtë janë organizatat që merren me certifikimin, me vlerësimin që shikojnë standardet, sa përputhen standardet etj. E para dhe kryesore ishte se për herë të parë në Shqipëri, Agjencia Britanike e Akreditimit dhe ndoshta ky ka qënë akti më i rëndësishëm dhe më pozitiv i qeverisë shqiptare, që pajtoi një kompani të paanshme për të parë nivelin e universiteteve nëse i plotësojnë ose jo standarded. Ata kanë ardhur dhe e kanë bërë raundin e parë, dhe ne si universitet ishim të parët që u përfshimë. Fatmirësisht ishte hera e tretë për ne duke qënë se jemi një universitet me shumë vite punë, kemi patur akreditim të herëpashershme dhe i plotësuam të gjithë testet që parashikon ligji shqiptar”,- tha Xhepa i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” të drejtuar nga Arjan Çani.



Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës, Selami Xhepa u shpreh se prindërit duhet të jenë të kujdesshëm në orientimin e fëmijëve të tyre drejt universitetit të duhur, për t’u dhënë atyre jo thejsht një karton, por një shans për të ndryshuar pozitivisht jetën e tij dhe të familjes së tij.

“Ne si universitet përpiqemi të përmirësojmë standardet tona për t’i shërbyer tregut të punës sepse kur vjen një student dhe kur vjen një prind nuk harxhon vetëm tarifën që paguan, por harxhon 3,4 apo 5 vite vite që janë vitet më të rëndësishme në jetën e njeriut. Që t’i japësh vlerë këtyre viteve, do të thotë të jesh i përgjegjshëm për të ndërtuar një kurrikul mësimore, që përshtatet dhe shitet në tregun e punës dhe një diplomë siç thotë dhe kryeministri herë pas here për të punuar kamarier pastaj. Por një diplomë që të japë vërtet një mundësi, një oportunitet, një shans individit për të ndryshuar jetën e tij dhe familjes së tij. Ky është dhe shqetësimi ynë themelor”,- tha Xhepa.

UET ka realizuar këtë sfidë në dy qasje, duke modernizuar kurrikulën mësimore dhe njëkohësisht duke e matur veten me universitetet e huaja. “Universitet jonë e ka realizuar këtë sfidë në dy qasje, duke modernizuar kurrikulën mësimore, programet, duke mos shkuar pedagogu me disa slide që i mban në xhep dhe përsërit të njëjtat gjëra, por duke përditësuar dijen më bashkëkohore në auditore dhe e dyta duke matur veten tonë me universitetet e huaja. Ne kemi shumë kontakte me universitetet perendimore në kuadrin e programit Erasmus, më shumë se 200 apo 250 studentë tanë shkojnë për një semestër apo dhe një vit të plotë akademik për të studiuar në universitetet e tjera dhe ata kur vijnë na krahasojnë neve me kolegët tanë atje. Kjo është një lloj ballafaqimi në fushën e konkurencës jo renda vëndit por jashtë vëndit”, theksoi Xhepa.

Cilësia e mësimdhënies,standardet e vendosura përgjatë këtyre viteve dhe rezultatet e arritura ku studentët e diplomuar nga UET kanë gjetur menjëerë veten në tregun e punës, e kanë bërë bërë këtë universitet zgjedhjen e duhur. Jo më kot, edhe vetë djali i akademikut të njohur që ka qenë edhe edhe këshilltar në kohën e qeverisë “Berisha”, ka zgjedhur që të ardhmen e tij t’ia besojë UET për të ndërtuar një karrierë të sigurt. “Djali im studion në vitin e dytë Master Shkencor në Universitetin Europian të Tiranës, për më tepër zgjedhjen e ka bërë vetë pasi e paguan me paratë e veta. Për sa i takon zgjedhjes së sistemit të edukimit në Shqipëri nuk ka dyshim se sistemi arsimor në Shqipëri ka përjetuar një tranzicion ndoshta më të rëndë se sa sektorët e tjerë. Është ndoshta në të njëjtin nivel me problemet që ka sektori i shëndetësisë, dhe në përgjithësi sektori i shërbimeve publike. Nga ana tjetër sistemi privat i edukimit është një sektori i ri gati 15-vjeçar maksimumi dhe është akoma një kohë shumë e shkurtër për të folur për një historik të madh të konsoliduar, por edhe në kaq pak vite mendoj se ka qënë e mjaftueshme për të krijuar një lloj historiku me të cilën ne mund t’i paraqitemi publikut”,- theksoi ai.

Akademiku i njohur bën thirrje që këtij akreditimi nga Agjencia Britanike t’i nënshtrohen të gjithë operatorët e tregut. Xhepa nënvizon se në një kohë që privatet kanë kaluar nëpër filtra, universitetet publike të cilët kanë më shumë se 80% të studentëve të Shqipërisë nuk kanë kaluar asnjëherë asnjë lloj prove apo testi. “ Ajo që kemi kërkuar, është që të gjithë operatorët e tregut t’i nënshtrohen të njëjtit proces. Kur qytetari të vendosë që ta çojë tek UET, tek publiku apo diku tjetër, për këtë duhet të lexojë një raport të paanshëm. Ne duam që dhe universitet e tjera kryesisht publiket, sepse privatet kanë kaluar në këto lloj filtrash në vrimën e gjilpërës, ndërkohë që universitetet publike të cilët kanë më shumë se 80% të studentëve të Shqipërisë nuk kanë kaluar asnjëherë asnjë lloj prove apo testi”, u shpreh Selami Xhepa./mapo.al/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas