Sport

Salihi: S’di gjë për interesimin e Sëlltikut!

Ai është një nga golashënuesit më të mirë të ligës austriake. Hamdi Salihi e ka tundur 53 herë rrjetën në 90 paraqitje që ka bërë për skuadrën e Rapidit të Vjenës dhe 38 herë në po 90 ndeshje të luajtura me fanellën e Riedit.

Prandaj në Austri të gjithë ngrenë pikëpyetje në lidhje mosaktivizimin e tij në këtë periudhë. Qendërsulmuesi klasik duket se nuk i përshtatet sistemit të trajnerit Shëetel, por gjithsesi ky duhet të jetë justifikimi i zakonshëm.



Por sidoqoftë, ka ende klube që e duan Salihin dhe mënyrën e tij të lojës dhe këta klube kanë edhe një emër të madh. Është Sëlltiku i Gllasgout skuadra që interesohet për sulmuesin e kombëtares së Shqipërisë.

Skocezët e kanë ndjekur nga pranë Hamdi Salihin në përballjen direkte me Rapidin në Vjenë, sfidë që përfundoi 3-3. Trajneri Neil Lenon është duke kërkuar një sulmues për skemën e tij 4-4-2 dhe mediat skoceze kanë shkruar se “Sëlltiku interesohet për Salihin pasi e njeh mirë lojtarin dhe cilësitë e tij pas duleve me Rapidin”.

Megjithatë, vetë Salihi ka deklaruar se nuk di asgjë për këtë lëvizje, ndonëse do ta mirëpriste. “Sëlltiku është një klub me emër të madh dhe do të ishte një hap i mirë për karrierën time, por nuk di ende asgjë konkretisht. Mbase ata do të jenë në gjendje që të plotësojnë të gjitha kërkesat edhe për Rapidin,” është shprehur për austriaken “Corurier” bomberi shkodran.

Marrëveshja do të ishte diçka e lehtë për t’u arritur pasi kontrata e Salihit me Rapidin skadon këtë verë. Në Gllasgou besohet se Sëlltiku është i gatshëm të paguajë 500 mijë euro. Sa për krahasim, në vitin 2008 sulmuesi Mati Biliç u shit vetëm 200 mijë euro te spanjollët e Sporting Gijonit. Prandaj besohet se Rapidi nuk do t’i mbyllë dyer lojtarit kuqezi.

Drejtori Sportiv i Rapidit, Stefan Ebner, sidoqoftë, është disi skeptik në lidhje me këtë lëvizje. “Nuk kemi ende asgjë konkrete nga Sëlltiku dhe sipas meje kjo është vetëm zhurmë merkatoje dhe asgjë më shumë,” është shprehur ai.

Megjithatë, diçka është e sigurt. Hamdi Salihi nuk do të qëndrojë te Rapidi pasi nuk ka pranuar as të ulet e të bisedojë për rinovimin e kontratës. 27-vjeçari është në kërkim të një skuadre të re dhe shpreson që ta gjejë jashtë Austrisë, ku është aktivizuar që prej vitit 2007, në fillim me Riedin dhe më pas me Rapidin e Vjenës. Salihi ka mbi shpinën  e tij edhe 32 ndeshje me përfaqësuesen e Shqipërisë, ku ka mundur të shënojë 9 gola.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas