Politika

Ruçi: Gjendja e pashtetësisë së fëmijëve në alarm, duhet të…

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, thirri sot mbledhjen e grupit parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, e cila shqyrtoi raportin “Mbi gjendjen e pashtetësisë në Shqipëri.

Të pranishëm në këtë mbledhje, krahas anëtarëve të grupit “Miqtë e Fëmijëve”, ishin të pranishëm edhe Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, zëvëndësministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Artemis Dralo, zëvëndësministrja e Punëve te Brendshme Romina Kuko, zëvëndësministrja e Drejtësisë Teuta Vodo, zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Bardhylka Kospiri, Këshilltare e Presidentit të Republikes Brunilda Paskali, ambasadori i UNHCR-së, z. Pablo Zapata Olivares, zëvendës Përfaqësuesi i UNICEF-it, z. Javad Aslam etj.



Në fjalën e tij në këtë aktivet, Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi u shpreh se qëllimi ynë është avancimi i agjendës për trajtimin e çështjeve të fëmijëve, në Kuvendin e Shqipërisë dhe plotësimi i detyrave që rrjedhin nga plani i punës dhe kalendari i veprimtarive të Grupit.

Në mbyllje te aktiviteti, Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi i bëri thirrje deputetëve që pjesëmarrja në këtë grup duhet të konsiderohet jo vetëm një përgjegjësi dhe angazhim njerëzor, shoqëror dhe moral, por një detyrë e mirëfilltë politike dhe institucionale, për të cilën duhet të punojmë më shumë. Për rregjistrimin e fëmijëve, bëri thirrje Z. Ruçi, duhet të jemi të gjithë dhe gjithmonë në alarm. Në fund të muajti shtator do të thërras mbledhjen e Grupit “Miqtë e Fëmijëve” për të diskutuar realizimin e detyrave që caktuam sot.

Këtë aktivitet e përshëndeti dhe ambasadori i UNHCR-ës, z. Pablo Zapata Olivares, i cili tha se kjo është një fushatë që UNHCR ka ndërmarrë, për eliminimin e të gjithë pashtetësisë deri në vitin 2024 në të gjithë botën, nisur nga shqetësimi se në botë ka rreth10 milion njerëz, të cilët nuk gëzojnë shtetësinë e asnjë vendi.

Zëvendës Përfaqësuesi i UNICEF-it, z. Javad Aslam,   falënderoi Kryetarin Gramoz Ruçi për lidershipin aktiv të këtij grupi parlamentar, si dhe  të gjithë deputetët nga të gjithë partitë politike që janë pjesë e këtij grupi

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi

Të nderuar deputetë, anëtarë të Grupit “Miqtë e Fëmijëve”,

Të nderuar të ftuar,

Në cilësinë e Kryetarit të këtij Grupi kam thirrur këtë mbledhje të radhës, kushtuar prezantimit të raportit për situatën e pashtetësisë në Shqipëri.

Përpara se të vijojmë me rendin e ditës, do të dëshiroja që në këtë organizëm të Kuvendit, në mbledhje pas mbledhje të shtohen akoma edhe më shumë, dhe veçanërisht me deputet të rinj. Prandaj do të përsërisja thirrjen që të gjithë deputetët që kanë dëshirën, kanë ndjeshmërinë dhe duan të kontribuojnë për të drejtat e fëmijëve, janë të mirëpritur të bëhen pjesë e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”.

Dëshiroj të përgëzoj Grupin për zhvillimin e aktiviteteve sipas kalendarit që kemi miratuar dhe t’ju inkurajoj për një angazhim më të madh në vijimin e punës.

Qëllimi jonë është avancimi i axhendës për trajtimin e çështjeve të fëmijëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe plotësimi i detyrave që rrjedhin nga plani i punës dhe kalendari i veprimtarive të Grupit.

Raporti është përgatitur nga TLAS, me mbështetjen e agjencive të Kombeve të Bashkuara UNICEF dhe UNHCR, në kuadër të Koalicionit për të Drejtën e Çdo Fëmije për Shtetësi.

Raporti prezanton katër çështje:

Përmasat e problemit të pashtetësisë në vend.

Grupet e shoqërisë që preken.

Mungesat në legjislacion.

Hapat që duhen ndërmarrë nga institucionet përkatëse për adresimin e këtyre problematikave.

Problemi i pashtetësisë prek personat që nuk janë shtetas sipas ligjit të asnjë shteti dhe si pasojë nuk mund të gëzojnë aksesin në shërbime dhe të drejta, si: shkollimi, shëndetësia, strehimi, punësimi, dhe nuk mund të integrohen në shoqëri.

Në rastin e Shqipërisë ky problem haset kryesisht në fëmijët e lindur veçanërisht në emigracion, apo të lindur jashtë martese, të lindur nga prindër të parregullt ose të parregjistruar, si dhe në fëmijët Romë dhe ata Egjiptianë, por edhe të huaj, që kanë vështirësi të regjistrohen në gjendjen civile apo të pajisen me dokumente udhëtimi në vendin tonë.

Unë mendoj se duhet t’i kushtohet një vëmendje më e madhe jo vetëm studimore, por ligjore dhe institucionale, trajtimit të problemeve të fëmijëve që i kanë këto pasoja për shkak të lindjes në emigracion, në kuadrin e rishikimit të vizionit dhe punës sonë me Diasporën.

Shqipëria, dihet që ka ratifikuar Konventën e OKB-së mbi Refugjatët, Konventën mbi Eliminimin e Pashtetësisë dhe Konventën e vitit 2000 të Këshillit të Evropës mbi këtë qëllim, të cilat imponojnë detyrime përkatëse mbi shtetin shqiptar.

Por njëherësh legjislacioni ekzistues kombëtar nuk pasqyron të gjitha detyrimet ndërkombëtare që rrjedhin nga këto konventa, veçanërisht ato që lidhen me parandalimin e pashtetësisë në fëmijëri.

Me qëllim adresimin e problematikave që hasin personat pashtetësi, mendoj që ne duhet të veprojmë në tre drejtime kryesore:

Të rishikojmë tarifat e larta që pengojnë prindërit nga familje të varfra që nuk regjistrojnë fëmijët e tyre.

Për këtë arsye, në këtë mbledhje janë ftuar të marrin pjesë edhe ministrat e linjës, përfaqësues të institucioneve të krijuara me ligj, të agjencive shtetërore që kanë në fushën e tyre të përgjegjësisë çështjet për të cilat diskutojmë sot, në mënyrë që të njihen me gjetjet e raportit, e të adresojnë në mënyrën e duhur për zgjidhje të të gjithë problematikat që raporti ka identifikuara.

Për rregjistrimin e fëmijëve duhet të jemi të gjithë dhe gjithmonë në alarm.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas