Kryesore, Rajoni

Rruga e lirisë së Nikola Gruevskit kaloi nga Shqipëria

Konfirmohet zyrtarisht që ish-kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, i shpallur në kërkim për korrupsion dhe shpërdorim detyre, u arratis duke përdorur Shqipërinë si rrugë kalimi. Policia: Gruevski doli nga Shqipëria më datë 11 nga Hani i Hotit si pasagjer në automjetin në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë. Plani i arratisjes dhe Hungaria që pranoi të shqyrtojë kërkesën për azil politik të Gruevskit.

Orët e fundit para se të lëshohej urdhër-arresti për të, ish-kryeministri Nikola Gruevski kaloi në Shqipëri dhe prej nga këtu u planifikua arratia drejt Hungarisë. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit konfirmuan dje se Gruevski ka dalë nga dogana e Hanit të Hotit për t’iu drejtuar më pas Hungarisë ku ka kërkuar azil politik. “Shtetasi Nikola Gruevski, më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë”-thuhet nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit. Sipas tyre për Gruevskin nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar për urdhër ndalimi ndërkombëtar dhe policia nuk kishte të drejtë që ta shoqëronte apo ndalonte. “Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim”, shtuan të njëjtat burime. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse Gruevski nga është ndaluar nga autoritet shqiptare. Urdhër-arresti ndërkombëtar ka marrë formë zyrtare dy ditë pasi Gruevski është larguar nga Maqedonia duke kaluar në pikën e kalimit kufitar në Qafë-Thanë dhe pasi ka mbërritur në ambasadën Hungareze në Tiranë, është nisur drejt Malit të Zi duke kaluar në pikën tonë kufitare në Han të Hotit e më tej në Kroaci dhe në fund ka kërkuar azil politik në Hungari. “Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, sqarohet më tej në njoftimin e Policisë. Largimi i ish-kryeministrit maqedonas duke përdorur territorin shqiptar është publikuar fillimisht nga mediat serbe. Ata kanë përcaktuar itinerarin e saktë dhe si për ironi, liria e kryeministrit që haptas gjatë qeverisjes së tij mbajti qëndrime të forta antishqiptare, “udhën e lirisë” e nisi pikërisht nga territori ynë. Duke nisur nga mënyra e largimit vetëm dy ditë para se t’i lëshohej urdhër-arresti për shpërdorim detyre dyshohet se Gruevski ka patur dijeni për këtë urdhër-ndalimi, ndaj ka vënë në plan idenë e arratisjes drejt Hungarisë.



Erë e re në Ballkan…

Vendimi për arrestimin e Gruevskit erdhi pas njoftimit nga Gjykata Penale, e cila nuk ka mundur të gjejë të akuzuarin për t’i dorëzuar vendimin që menjëherë të paraqitet në burg. Pas urdhrit të arrestit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për ish-kryeministrin Nikola Gruevski, edhe Interpoli ka shpallur në kërkim duke publikuar edhe foton e tij në faqen zyrtare. Mbi Gruevskin rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës gjatë blerjes për nevojat e qeverisë të një “Mercedesi” në vlerë rreth 600 mijë euro. Në dukje një “vepër e lehtë” penale, por gjatë kohës së hetimit Prokuroria në Maqedoni siguroi prova të shumta që implikonin Gruevskin në veprimtari të paligjshme. Gjithashtu, edhe në sulmin e paprecedent në Parlament nga një grup agresorësh nacionalistë mendohet se është inskenuar nga VMRO-DPMNE e drejtuar nga Gruevski. Në atë incident të rëndë mbetën të plagosur disa deputetë dhe kryeministri aktual Zoran Zaev, më rëndë gjendja ishte për deputetit shqiptar Zijadin Sela. Aktualisht Maqedonia mbetet ende një zonë e trazuar politikisht për shkak të përplasjeve qeveri-presidencë, por edhe të opozitës. pak javë më parë Maqedonia mbajti referendum në lidhje me ndryshimin e emrit, pas marrëveshjes së arritur mes kryeministrit Zaev dhe homologut grek Tsipras. Në marrëveshje u përcaktua që të quhet Maqedoni e Veriut, por ndryshimi i emrit nuk u prit mirë në Maqedoni dhe Greqi, duke vijuar me disa protesta. Marrëveshja e emrit më pas kaloi në Parlament dhe tashmë kjo i hapi rrugën Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në strukturat e NATO-s, ndërsa zhvillimet e fundit në shtetin fqinj po e fusin në një tjetër fazë që mund t’i vlejë në hapat e tjerë që do të ndiqen për integrimin në BE. Lëshimi i urdhër-arrestit për një politikan apo ish-politikan i nivelit të lartë ishte gati e pamenduar në Maqedoni. Presioni ndërkombëtar, por edhe politika që po ndjek kryeministri aktual Zoran Zaev me ndërhyrjen edhe të ndërkombëtarëve i ka dhënë besim sistemit të drejtësisë për të hetuar zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë. Përveç Gruevskit nga kjo forcë politike janë nën hetim edhe personazhe të tjerë publik të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën dhe janë implikuar në afera të rënda korruptive.

Përse në Hungari?

Jo rastësisht ish-kryeministri Nikola Gruevski po kërkon të gjejë shpëtimin dhe t’i shpëtojë drejtësisë së vendit të tij duke kërkuar azil në Hungari. Qeveria e shtetit anëtar të Bashkimit Europian ka ndjekur një politikë disi të fortë si për sa i përket çështjes së emigracionit, ashtu edhe në nisma që dalin jashtë qëndrimit të përbashkët të BE-së. Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó tha dje se shteti i tij do ta trajtojë kërkesën e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, për azil politik, si çështje ligjore dhe jo politike. Në një konferencë për shtyp në Prishtinë, me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, Szijjártó ka thënë se autoritetet do ta trajtojnë këtë çështje bazuar në ligjin ndërkombëtar. “Mund t’iu them një gjë: Ne do ta shikojmë këtë çështje në aspektin ligjor dhe jo politik. Autoritetet tona përkatëse, autoritetet e Emigracionit do t’i kryejnë procedurat bazuar në ligjin ndërkombëtar, e do të shohim rezultatet”, -tha Péter Szijjártó. Vetë Gruevski duket se ka marrë garancinë që mund të fitojë azilin politik në këtë shtet dhe në këtë mënyrë bëhet e pamundur ekstradimi nëse edhe institucionet e drejtësisë në Hungari binden nga pretendimet e ish-kryeministrit maqedonas. Mësohet se Gruevski pretendon se çështja hetimore ndaj tij është e montuar politikisht nga qeveria aktuale. Megjithatë autoritete maqedonase pritet që përveç kërkesës për ekstradim do të nisin edhe materialet hetimore që sipas tyre vërtetojnë implikimin e Gruevskit në korrupsion dhe shpërdorim detyre. Krahas “trysnisë” nga Maqedonia, me kalimin e ditëve Hungaria mund të përballet edhe me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht të vendeve të BE-së, që mund të kërkojnë ekstradimin e Gruevskit drejt Maqedonisë që të përballet me drejtësinë.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas