Kryesore

Rruga e Kombit, LSI gjen zgjidhjen për “tarifat” e Haxhinastos: Në atë kohë… Shqipëria lulëzonte

Që në Lëvizjen Socialiste për Integrim ka një kakofoni qëndrimesh për tarifimin e Rrugës së Kombit kjo tashmë nuk ka asnjë dyshim. Kinse edhe vetë kryeministri Edi Rama e filloi fjalën në Kuvend dy ditë më parë me këtë konstatim.

“…Në dhjetor të vitit 2016, ky proçes është përmbyllur dhe nuk ka pasur debat. Këtu, unë nuk llogaris LSI-në, se LSI-ja dihet, kur është në pushtet, ka tjetër mendje, kur është jashtë pushtetit, ka tjetër mendje për të njëjtën gjë, por po flas për të gjithë. Më pas, ne thjesht kemi ecur sipas procesit të nisur nga ministri i Transporteve, zoti Haxhinasto dhe të përmbyllur nga ministri i Transporteve, zoti Dervishaj…”, – tha ndër radhë kryeministri Edi Rama.



Që prej tarifimit të rrugës, zyrtarë të LSI-së janë përbetuar se nuk e njohin, janë shprehur se do i bashkohen protestës në prag të banorëve të zonës, e deri u kanë bërë thirrje qytetarëve që të refuzojnë ta paguajnë taksën. Një qëndrim të fortë LSI-ja mbajti edhe në seancën e të enjtes. Por ish-ministri i Transporteve që kishte negociuar procesin, Edmond Haxhinasto (që sot rreshtohet me deputetët e LSI-së edhe në mbledhje të përbashkëta grupi me PD-në), tha dy ditë më parë se tarifa që ishte propozuar në kohën kur ishte ministër ishte 4.62 euro, pra disa cent më pak se shifra e propozuar aktualisht për makinat.

“…Dua t’ju shpjegoj që është e vërtetë se janë përgatitur dokumentat e konkurrimit në atë kohë por porosia ka qenë shumë e qartë dhe e dokumentuar që tarifa për kilometër duhet të ishte nën mesataren e rajonit dhe po flasim për një tarifë nën 0.035 cent për kilometër aplikuar për distancën që ka kjo rrugë rreth 110 km i bie 3.85 euro shtoj edhe 20% nëse doni është 4.62 euro”, – tha Haxhinasto ndër radhë, duke deklaruar në fund se rruga e Kombit e trajtuar me një taksë optimale është mënyra më e mirë për ta kthyer këtë rrugë kaq të rëndësishme në gjendje të qëndrueshme.

Duke përcjellë një shpjegim krejt të kundërt nga qëndrimet “luftarake” të kolegëve të tij, shumëkush mund të mendonte se në LSI ka konvergjenca dhe se mes rradhëve të saj nuk ka një qëndrim unik për këtë çështje (deri diku të kuptueshme) sa kohë që deri një vit më parë LSI-ja ndante pushtetin me PS-në. Por e vërteta në llogjikën e ndjekur nga LSI-ja është krejt ndryshe.

Ajo e ka gjetur një shpjegim edhe për qëndrimin e “ministrit” të saj që lavdërohet ende nga Damian Gjiknuri, i cili ka dërguar në burg për korrupsion një nga njerëzit e saj. Në logjikën e LSI-së tarifa e propozuar nga Haxhinasto asokohe ishte e drejtë sa kohë që Shqipëria “lulëzonte”. Ndërsa sot, sipas LSI-së, gjendemi në kushte të reja.

“Jo nuk ka asnjë përgjegjësi LSI për këtë punë. Në vitin 2015 është bërë një draft i parë dhe deri në 2018-ën, Shqipëria nuk eci në rrugën e një Shqipërie normale, e cila do të rriste të ardhurat ekonomike, do të zhvillohej ekonomikisht, do të lulëzonte sikurse qeveria thoshte dhe fliste, por ra në greminën e një qeverie dhe të një qeverisje dhe të një ekonomie të drogës dhe të kanabisit. Thënë e tillë, shqiptarët u rrënuan, mijëra ikën në Europë në emigrim, varfëria dhe mjerimi u thellua. I gjithë konteksti kur filloi të diskutohej kjo punë, rezultoi të ishte një kontekst i ri, ku nuk pati lulëzim, por pati rrënim. Në rrethana të tilla, sigurisht që mbahen qëndrime të tjera…”, tha sot Petrit Vasili në një komunikim për gazetarët.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas