Aktualitet

Rrëzimi i “MH17”, akuza formale kundër Rusisë

Australia dhe Holanda akuzuan formalisht Rusinë se është përgjegjëse e rrëzimit të avionit të pasagjerëve të kompanisë “Malaysian Airlines” në vitin 2014.

298 personat në bordin e fluturimit “MH17”, i cili po udhëtonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur, humbën jetën kur avioni u godit mbi territorin e kontrolluar nga rebelët në Ukrainë.



Të enjten, hetuesit ndërkombëtarë dolën në përfundimin se raketa i përkiste një brigade ruse. Rusia mohon çdo përfshirje në rrëzimin e avionit dhe thotë se asnjë armë e saj nuk është përdorur për këtë qëllim.

Sidoqoftë, hetuesit duken të bindur për fajësinë e Moskës dhe vendimi i Australisë dhe Holandës për të akuzuar Moskën u lajmërua nga qeveria holandeze.

“Bazuar në hetimin ndërkombëtar, Holanda dhe Australia janë të bindura se Rusia është përgjegjëse për përdorimin e sistemit të raketave ‘BUK’ që rrëzoi avionin ‘MH17’. Qeveria tashmë po hedh hapin e radhës, duke konsideruar Rusinë formalisht përgjegjëse”, deklaroi ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok.

Në komunikatën e qeverisë holandeze theksohet gjithashtu se, fajësimi i një shteti përgjegjës për shkeljen e ligjit ndërkombëtar do të kërkonte një proces të gjatë ligjor. Prandaj, Holanda dhe Australia i kanë kërkuar Rusisë që të hyjë në bisedime si hap i parë, por ende nuk janë shprehur nëse do t’i drejtohen një gjykate ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm i Holandës, Blok tha se Rusisë i është bërë thirrje që të pranojë përgjegjësinë dhe të bashkëpunojë me procesin e gjetjes së të vërtetës dhe arritjes së drejtësisë për viktimat e fluturimit “MH17” dhe të afërmit e tyre.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas