Aktualitet

Rrezikonin automjetet, priten 80 pemë në rrugën kombëtare

Gjirokastër-Disa pemë shumëvjeçare, të cilat rrezikonin jetën e shoferëve dhe pasagjerëve gjatë qarkullimit në rrugën kombëtare Tepelenë-Gjirokastër, kanë nisur të priten në mënyrë të kontrolluar. Bëhet fjalë për rreth 80 pemë që ndodhen pranë Parkut Natyror të Viroit, anës trasesë së rrugës kombëtare. Gjatë këtyre ditëve me mot të keq dhe shira të rrëmbyeshme, ato ishin kthyer në rrezik serioz për jetën e drejtuesve të automjeteve apo pasagjerëve që qarkullojnë në këtë segment rrugor. Në disa raste kur trungjet apo degët e tyre janë rrëzuar mbi rrugë si shkak i erës së fortë, vetëm fati i ka shpëtuar shoferët dhe pasagjerët nga goditjet e tyre. Si shkak i degradimi të tyre, pjesa më e madhe e plepave ishin gjysmë të tharë, duke bërë që të mos u rezistojnë stuhive të erës dhe shirave të rrëmbyeshme. Më problematik bëhej ky fakt po të kihet parasysh fluksi i rënduar i automjeteve që qarkullojnë brenda një dite në këtë rrugë kombëtare në drejtim të Kakavijës dhe anasjelltas. Në disa raste është dashur ndërhyrja e specialistëve për të larguar nga traseja e rrugës pemët e shembura nga moti i keq dhe era e furishme e dimrit, ngjarje që për fat deri tani nuk kanë shënuar pasoja të rënda. Sipas drejtorit rajonal të Rrugëve, Paqësor Aliko, në bashkëpunim edhe me Njësinë Rajonale të Sigurisë Rrugore dhe Ndërmarrjen e Pyjeve, këto pemë do të priten në mënyrë të kontrolluar në rreth 5 kilometra gjatësi të rrugës kombëtare, duke evituar kështu problematikën që sillnin trungjet e thara të 80 pemëve shumëvjeçare për përdoruesit e rrugës kombëtare, sidomos në stinën e dimrit.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas