Kryesore, Sport

Rrëfehet Moxhi: Tare më i miri në Serinë A, Ronaldon nuk do e blija kurrë. Titullin e fiton Interi

Një jetë e tërë e kaluar në skenë e në prapaskenë, por ndërkohë Luçiano Moxhi tregon në një intervistë për “Corriere dello Sport” se ka ende lidhje të forta me futbollin, por edhe me Juventusin, dashurinë e tij më të madhe…

 



Kush ju telefonon?

Miqtë. Kam ende shumë në futboll. Por i qëndroj pranë vetëm Juves sime. Me Andrea Anjelin dëgjohem shpesh. Është një djalosh i zgjuar. Qëndroi pranë nesh për 12 vite dhe ka mësuar gjithçka. Ai e di mirë se titujt janë 36, që të gjithë të fituar në fushë. Askush, asnjëherë nuk e ka ndihmuar Juven që të fitojë.

Kristiano Ronaldon, ia sugjeruat ju?

Jo, ai është një investim i “FIAT”- it. Dhe sidoqoftë, unë Ronaldon e kisha blerë. Ishte vetëm 18 vjeç dhe luante te Sportingu i Lisbonës. E pashë një natë dhe ditën tjetër firmosa kontratën. 5 miliardë lireta plus Salasin, duke i dhuruar këtij të fundit edhe 1 miliard lireta si bonus, nëse do të pranonte Sportingun. Por, papritur Salasi preferoi River Plejtin dhe te Ronaldo mbërriti Mançester Junajtid. Në atë epokë ishte krizë totale te Juventusi, nuk kishim asnjë lirë në arka.

Po sot do ta kishit blerë?

Si çështje marketingu është një operacion fantastik. Por, unë nuk do të kisha blerë kurrë një lojtar 33-vjeçar. Në të tilla shifra dhe duke rrezikuar që pa shitur më parë Higuainin, as që do ta kisha menduar, duke qenë se edhe “Pipita” është një futbollist që 20 gola në kampionat t’i garanton çdo vit.

Cila do të ishte metoda Moxhi për këtë operacion?

Në fillim do të kisha shitur Higuainin për 50 milionë dhe më pas do të kisha zyrtarizuar Ronaldon. Do ta dish historinë e vërtetë të kalimit të Zidanit te Reali? Një ditë, miku im Florentino Perez më bën vizitë dhe më thotë: “Synoj që të bëhem presidenti i Realit dhe nëse them dhe u garantoj se do të blej Zidanin, e kam të sigurt poltronën”. Unë i përgjigjem: “Atëherë po të autorizoj që të nisësh fushatën, duke bërë emrin e Zizusë, por në fund nuk e di nëse do të ta shes realisht”.

Po në fund ia dhatë…

Kur kuptova se Perezi ishte superfavorit dhe do të fitonte zgjedhjet, shkova në një takim sekret me Kranjotin dhe i blej Nedvedin. Udhëtoj në Parma dhe firmos me Bufon e Turam, ndërsa askush nuk dinte asgjë për Zidanin. Sepse nëse do ta dinin, këta të tre nuk do të m’i shisnin kurrë kaq lirë. Pastaj arkëtova 150 miliardët nga Zidani, nga të cilat 145 ishin plusvalencë nga çfarë e kishim paguar.

Po edhe Bufonin s’e bletë lirë. E paguat 100 miliardë…

Bufonin e pagova 50 miliardë plus Bakinin, që e vlerësova 45 miliardë. Dhe më thuaj ti, ishte apo nuk ishte një lëvizje madhështore, duke parë karrierën që pati Bufoni dhe atë që pati Bakini…

Kristiano Ronaldo te Juventusi do të jetë po i njëjti i Realit?

E vështirë. Te ne, njëri të shkelmon, tjetri të merr topin. Kur i këshillova Higuainin Juves i thashë: fillimisht nxirreni nga roli dhe më pas përshtateni me skuadrën. Ndërsa tani, Juvja duhet të nxjerrë nga shinat skuadrën, për t’ia përshtatur Kristiano Ronaldos.

Duket sikur “marka” Ronaldo lë në hije “markën” Juve, duke qenë se tani nuk thonë më po shkojmë të luajmë kundër Juves, por kundër Ronaldos…

Jam dakord. Edhe Florentino Perez më thoshte se tashmë Ronaldo nuk luan te Real Madrid, por te Real Ronaldo. Në Spanjë më bënë të kuptoj se kur shënonte një shok i tij, portugezi nuk shkonte të festonte, por nëse shënonte Ronaldo, skenat e euforisë ishin të çmendura.

Te Juvja ka një eufori të papërmbajtshme.

Dhe është e rrezikshme në çdo detaj. I kam këshilluar Alegrit që ta shpërndajë këtë gjë, ta fshehë madje. Dhe Masimiliano më dëgjon.

Bonuçin do ta kishit riblerë?

Jo. Ti japësh Kaldarën Milanit në këmbim ishte një trapllëk. Por iu desh ta bënin, për të mos pësuar një humbje në bilanc me Higuainin.

Titullin kampion kush e fiton?

E fiton Interi me garanci. E njoh mirë Spaletin. Më duket një prift kur flet, por kanë bërë një skuadër të madhe. Kanë blerë një qendërmbrojtës shumë të fortë (De Vraj), një mesfushor që gjuan dhe di të tërheqë skuadrën mes linjave si Naingolani dhe një kampion madhështor në sulm, si ai Lautaro Martinezi.

Po të tjerat?

Roma ka shitur siguri dhe ka blerë shpresa. Problemi është se në Romë fabrikojnë heronj brenda 10 minutash, si në rastin e Klajvertit. Napoli është për vende të para, por nuk shoh si mund të fitojë.

Ançeloti trajner madhështor, por që ju e dëbuat nga Juventusi…

Nuk kishte eksperiencën e duhur, ndonëse bëri dy kampionate mjaft të mira. Na dribluan dy tituj kampion me Karleton; vitin e parë me Kolinën në rrebeshin e Peruxhas dhe i dyti kur i lejuan Romës që të luante Nakata kundër nesh, në Torino, që më pas rezultoi deciziv.

Kur tifozët e quanin “derr”, ju si drejtues nuk e mbrojtët.

Fola me tifozët dhe i thashë: “Ançeloti na qenka një derr? Atëherë ta dini se për herë të parë një derr do të ulet në një pankinë, sepse Ançeloti do të jetë trajneri i Juventusit. Por, më pas kuptohet, pas humbjeve të para, kjo fjalë nisi të qarkullojë sërish.

Keni rrahur ndonjë futbollist?

Kujtoj që kam goditur Zebinanë. Kishte vetëm 4 muaj te Juventusi, i dëmtuar dhe më kërkon një zgjatje kontratë dhe rritje rroge, duke më folur keq për Kapelon. Pas atyre fjalëve, vetëm ta shihje si largohej duke vrapuar nëpër shkallë…

Cili ka qenë i pari që ju ka thënë bravo?

Italo Alodi. Më mësoi gjithçka nga futbolli. Më punësoi si vëzhgues te Juventusi dhe shkarkoi të gjithë të tjerët. Unë merrja vesh shumë: Kauzio, Paolo Rosi, Tardeli, Xhentile, Shirea. Të gjithë i zbulova unë.

Po cilët janë Alodit e ditëve të sotme, drejtuesit më të zotë në klube?

Njëri ishte Pierpaolo Marino. Po arrinte aty ku duhej, por më pas vendosi të ndalojë. Sot drejtues është fjalë e madhe, duket sikur nuk ka më, sepse klubet janë kthyer në ndërmarrje biznesi. Por, emri i parë që më vjen ndërmend është ai i Igli Tares. Ia kam thënë edhe Lotitos që mbaje fort atë. Lotito nuk merr vesh fare nga futbolli, por Igli është i jashtëzakonshëm dhe po bën hapa prej gjiganti. Punon në hije, në heshtje dhe di të nxjerrë në dritë skuadra fantastike.

Mos keni harruar Marotën?

Administrator i zoti, por është Paratiçi që e kompleton.

Moxhi, tani bëni djalin e mbarë, rrëfeni fajet tuaja. Nëse jo për mua, bëjeni për At Pion që na sheh nga lart dhe është gati t’ju falë fundin e këtij kopshti…

Duhej të mbrohesha. Te Juventusi kisha dy sy përpara dhe dy prapa. Karraro dhe Galiani, respektivisht presidenti i federatës dhe i Ligës, mbronin interesat e Milanit dhe Faketi bënte lobin me arbitrat në favor të Interit.

Na tregoni…

Familja Anjeli, brenda saj ka qenë gjithmonë një “Perëndim i Egër” dhe kishin frikë se Xhiraudo, delfini i Umberto Anjelit të mos merrte më shumë pushtet seç duhej.

Xhiraudo dhe Betega, vëllezërit tuaj te Juventusi.

Xhiraudo ishte një biznesmen. Betega një person fantastik, por duhej komanduar. Ishte një ushtar. Një herë e dërgova për një sponsorizim, në Toronto dhe duhej ta mbyllte brenda 24 orëve.

Pra, sipas Moxhit, shpirtrat e zinj të “Calciopoli” ishin vetëm Galiani dhe Karraro?

Nuk ka dyshime. Mjafton të dëgjosh përgjigjet telefonike, për të kuptuar që Karraro kontrollonte Bergamon (ish-disenjatori i arbitrave).

Në perceptimin e njerëzve dhe jo vetëm të gjykatësve, jeni ju shpirti i zi…

Papa Vojtila ndërroi jetë të shtunën në mbrëmje, ne ishim në grumbullim në Firence. Duhej t’i shtynim ndeshjet për të hënën, ndërsa vjen urdhri që ndeshjet të shtyheshin për javën tjetër. Galiani, president i Ligës, i përgjuar, telefonon Kostakurtën dhe i thotë: “I spostuam me një javë, kështu që do të rikuperojmë Kakanë nga dëmtimi”. Ju mjafton…

Jo…

Viti 2004. Pas dy orësh në short, Karraro telefonon Bergamon: “Cili është arbitri i Inter-Juventus?” “Rodomonti”. Dy orë përpara ndeshjes, Bergamo thërret Rodomontin: “Si po organizohesh për ndeshjen? Ki kujdes, sepse është shumë e vështirë që të shkosh lart, por për një fraksion sekonde bie poshtë.

Moxhi, nuk jeni shumë i besueshëm në rolin e viktimës…

Na kanë bërë çdo gjë të mundshme. Atëherë në Peruxha na rrëmbyen titullin. Kolina, i sponsorizuar nga Milani, vendosi që të pritej 74 minuta. Nëse do të kisha qenë një arrogant, siç thonë, mund të isha larguar me të gjithë skuadrën, por do të na e kishin bërë ta paguanim më vonë.

Kjo plagë duket se vazhdon të nxjerrë gjak?

Njerëzit nuk dinë shumë gjëra. Kur në orën 8 të mbrëmjes, pas një Milan-Juventus të humbur në shtëpi nga Milani, Bergamo telefonon Galianin dhe i thotë: “Drejtor, në shtëpinë time na bëtë të qajmë”. Tjetër fakt, Alesandro, bashkëshortja e Bergamos është milaniste, ndërsa edhe ajo në një telefonatë të përgjuar nënvizon: “Nuk do ta kisha menduar kurrë se Juventusi me Kolinën arbitër do të kishte fituar kundër Milanit”. As kjo nuk ju mjafton…

Po historia e Paparestës së mbyllur me çelës në dhomat e zhveshjes?

Një gënjeshtër.

Po historia e kartave zvicerane…

E bëra për të mbrojtur punën time. Unë, Stankoviçin e kisha blerë te Juvja. Ma rrëmbeu Interi, duke më përgjuar nëpërmjet “Telecom”-it.

Ia dhuruat dhe arbitrave…

Për motive të tjera. Blerësit thanë se ishin memecë, nuk mund të përgjoheshin, por nuk ishte kështu. Vetëm që në to dëgjoheshin arbitrat që flisnin me dashnoret dhe prostitutat e tyre.

Masimo De Sanktis, i vetmi arbitër i dënuar, ishte një miku juaj?

Na e faturuan neve pa asnjë motiv. Të tregoj diçka: Fiorentina ishte në luftë për mbijetesë, Milani një pikë larg nesh. Të martën, në orën 14:00, Meani, drejtues i Milanit telefonon De Sanktisin: “Shiko se kemi Kakanë dhe Rui Kostën me kartonë, mos i ndëshko, sepse ndeshjen tjetër na pret Juventusi”.

Dhe ai…

Po të kishte qenë ortak i yni, do të kishte telefonuar zyrën hetimore dhe Milani zbriste në Serinë B. Nëse kujtoni atë ndeshje, De Sanktis i mohon një penallti Fiorentinës dhe u lejon milanistëve që të shkelmojnë këdo. Ndërsa ne, memecë… Mëngjesin tjetër, De Sanktis telefonon Meanin: “E sheh, vetëm unë bëj që ata të mos flasin”. Meani: “Ti je një mik, ia kam thënë edhe Galianit”.

Na i ndan dot meritat e atij Juventusi fitues?

70 për qind drejtuesit, pjesa tjetër e ndarë mes trajnerëve dhe lojtarëve.

Te Juventusi, të fitosh është e vetmja gjë që ka rëndësi?

Këtë e thoshte Boniperti, jo unë. Unë kam dashur të fitoj gjithmonë në fushë, me forcën e skuadrës. Lojtarët më kishin frikë dhe më respektonin mijëra kilometra larg. Do të hidheshin nga dritarja për mua. Ishin punonjësit e mi, por i trajtoja si miq, derisa nuk më jepnin shkak që të ndryshoja qëndrim.

Na bëni një shembull?

Ibrahimoviç… Kur Koboli Xhilji e thirri për ta detyruar që të deklaronte se ishte ai që kërkonte të largohej nga Juventusi, Ibra iu përgjigj: “Mos u shqetësoni. Me drejtuesit e mëparshëm do të kisha qëndruar edhe në Serinë B, por me ju nuk qëndroj”.

Gjithsesi, Ibra ka qenë pak grindavec?

Vetëm me Zebinanë pati një problem. Francezi e godiste fort në stërvitje. Një ditë i bëri një faull kafshëror dhe Ibra i lëshoi një grusht. E dërguam në spital me një sy të zi. Mua m’u desh të dilja në media dhe të gënjeja se kishte gastrit. Më pas mora veçmas Ibrën dhe i thashë: “Zero gjobë, bëre shumë mirë. Nëse nuk do e kishe bërë ti, do ta kisha goditur unë”.

Talente, por edhe shumë koka të nxehta. Si menaxhohen këta?

Si një baba i një familjeje. Thoshin që Juventusi ishte një kazermë. Por nuk është e vërtetë. Lojtarët shkonin të gjithë te “Hollywood”, në Milano, të dielën pas ndeshjes. “Shkoni po të doni, – u thosha. – Bëni seks, bëni çfarë të doni, por nuk dua skandale. Por mos shkoni nëse do na duhet të luajmë të mërkurën në Champions. Trezege ishte i vetmi që nuk ma vinte veshin. Shkonte te ‘Hollywood’ edhe kur nuk duhej. Një natë më gjeti mua aty, që e prisja. Nga ajo natë, nuk shkeli më asnjëherë. Nuk kam përplasur kurrë grushtet në tavolinë. Kush e bën, nuk di të komandojë. Unë bëja mbrëmje të enjten me trajnerët. Analizonim ndeshjet dhe demokratikisht i thosha: Unë do ta luaja kështu”.

Po ata?

Bënin “kështu”…

Sot, djali i keq është Naingolani?

Unë do ta kisha drejtuar. Montero më thoshte se mëngjesi i tij ishte nata. Unë i përgjigjesha: Paolo, nëse fusha më tregon se je më i miri, nuk më intereson. Kur u martua dhe kthehej në shtëpi që në 8 të mbrëmjes, nuk luajti më. Një ditë e mora dhe i thashë: Paolo, rikthehu të frekuentosh lokalet e natës, ndryshe do të të largoj nga skuadra.

Si u largua Kapelo?

Në njëfarë pike u bë e komplikuar që të menaxhoje Del Pieron. Donte të luante pas një viti e gjysmë dëmtim dhe nuk ishte në gjendje. Vuri në vështirësi disa herë Kapelon dhe kam mësuar që i krijoi probleme të mëdha edhe Ferrarës, kur u gradua si trajner.

Baloteli, një talent i çuar dëm?

Nuk e konsideroj aspak kështu. Në asnjë prej skuadrave të mia nuk do të kishte qenë titullar. Është i ngathët, nuk luan për të tjerët. Di vetëm të godasë portën dhe kaq. Mund të jetë i mirë, për një skuadër që të mesit të tabelës.

Në qafën e Gatuzos ndihet fryma e Kontes…

Milani me Montelën ishte i fikur, duke nisur nga Çalhanoglu. Rino Gatuzo është mik i imi. Kur e zgjodhën te Milani e telefonova: Kujto kush ke qene. Je një murator, jo një arkitekt. Ndihmoji shokët. Tani si trajner shko në dhomat e zhveshjes dhe thuaj kështu: Djema, unë jam Gatuzo. E dini historinë time si lojtarë. Ndoshta teknikisht jemi inferiorë, prandaj duhet të vrapojmë dyfish. Dhe me fjalët e mia e ndryshoi Milanin.

Rrëfehu: Iuliano-Ronaldo, në atë Inter-Juventus, ishte një penallti e dukshme sa një shtëpi?

Ndoshta ishte penallti. Por ai Inter, në atë vit, as që duhej të ishte në Serinë A. Duhej të zbriste një kategori më poshtë, për skandalin e pasaportës së Rekobës.

Do të ketë një “Calciopoli 2”?

Juventusi do të jetë gjithmonë i urryer, por nuk do të ketë një “Calciopoli” tjetër. Nuk ekziston më “Telecom”-i, Tronketi Provera dhe Montezemolo. Dhe nuk është më as Blateri. / Panorama Sport

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas