Kryesore, Sport

Rrëfehet Gega: Nga merkatoja, te Çani dhe marrëdhënia me presidentin Demi

“Rikthim në shtëpi” për të pranuar një sfidë me ekuacione të vështira për tu zgjidhur, por njëkohësisht një sfidë që mund ta skalisë emrin e tij përjetësisht në zemrat e tifozëve të Partizanit.

Skënder Gega nuk ka qenë asnjëherë një njeri që fshihet pas fjalëve, por me karakterin e fortë është treguar gjithnjë i drejtpërdrejtë. Ka kaluar pak më shumë se një muaj që kur vendosi të ishte kapiteni i anijes së Partizanit dhe sinjalet pas lundrimit në Europë janë ndër më pozitivet.



“Mendoj se gjërat po shkojnë mirë në organizimin mes meje, lojtarëve dhe klubit. Sfida ime ka qenë për të ndërtuar grupin dhe për të njohur lojtarët më nga afër. Në UEFA hymë me një fazë me vonesë dhe kjo na rriti pak presionin, por gjërat shkuan mjaft mirë dhe unë jam i kënaqur”, tha Gega.

Përforcimet janë të domosdoshme dhe këtë nuk e mohon aspak tekniku i të kuqve, megjithatë futbollistët cilësor kushtojnë, ndërkohë që trajneri ka edhe një mesazh të qartë për të gjithë personat e autorizuar që kërkojnë t’i ofrojnë lojtarë.

“Edhe Reali i Madridit ka nevojë për përforcime dhe jo më ne. Unë kam dëshirë të kem lojtarët më të mirë të Superligës, por nuk varet vetëm nga unë. Klubi po punon dhe ka hyrë në bisedime me disa lojtarë. Lojtarët kanë kushtet e tyre dhe kjo e bën pak të vështirë negociatën. Unë nuk bashkëpunoj me njerëz që nuk kanë autorizim nga klubi dhe nuk kam ndërmend të zgjedh lojtarë nga videot e youtube”, tha Gega.

Edgar Çani nuk po stërvitet me skuadrën një zgjedhje kjo e vetë Gegës, megjithatë trajneri i hap dyert ish sulmuesit të kombëtares dhe është vetë Çani ai që duhet ta meritojë vendin në skuadër.

“Vendimi për të lënë jashtë Çanin, ishte i imi, pasi gjatë fazës përgatitore pashë që ishte shumë mbrapa të tjerëve me përgatitjet fizike. Ai ka një kontratë me klubin dhe zgjidhjen e ka klubi në dorë. Atij nuk i është mbyllur dera, por shpresoj që të jetë 100 % mirë fizikisht dhe të fillojë një etapë të re, sepse ajo çfarë ka qenë, i takon të kaluarës”, deklaroi Gega.

Emri i Egzon Belicës u përmend mes futbollistëve nën shënjestër për t’u larguar, po ashtu edhe ai i Besart Abdurrahimit, por trajneri i Partizanit sqaron se si qëndron e vërteta në lidhje me dy lojtarët në fjalë, ndërsa pretendon shumë më shumë nga Jurgen Bardhi.

“Nuk ka asnjë plan për të larguar Belicën, pasi është pjesë e ekipit dhe planeve të mia. Abdurrahimi është dëmtuar rëndë në menisk, gjatë fazës përgatitore, Ai ka kërkuar një pushim dhe unë e kam orientuar te klubi për të diskutuar këtë. Zgjidhja i takon atij dhe ne nuk mbajmë asnjë me zor. Bardhit ia kemi dhënë mundësinë. Nuk jam shumë i kënaqur, por shpresojmë që të rritë nivelin e tij, pasi është një djalë i ri”, tregoi Gega.

Presidenti Gazmend Demi nuk është dalluar si një person që ndërhyn dhe për këtë ka vlerësimin maksimal të teknikut, i cili është i mendimit se nuk ka arsye se përse trajneri dhe presidenti të kenë takime të shpeshta pasi detyrat janë të ndara.

“Deri tani me të kam një marrëdhënie korrekte. Nuk jemi afër, pasi unë jam në fushë dhe ai në botën e biznesit dhe punët e tij. Gjithsesi për çdo gjë që kam pasur e kam vënë në dijeni dhe besoj se nuk është e rrugës që një trajner të shpenzojë kohë me presidentin. Deri tani jam shumë i kënaqur dhe jam i sigurt që kështu do të funksionojë, Nuk e di sa i suksesshëm do jem, pasi është një garë dhe jo të gjithë do të dalin të parët, por unë dua të jem i qetë me veten dhe punën time”, tha Gega

Titulli kampion është kthyer në një obsesion për të gjithë tifozët e kuq, ndërsa “formula magjike” e trajnerit Skënder Gega është e thjeshtë, “puno duke vlerësuar çdo kundërshtar”.

“Kampionati nuk është i lehtë dhe se nuk ka ndonjë disnivel të madh mes skuadrave. Vetëm se duhen menaxhuar të gjitha ndeshjet, edhe ndaj skuadrave të ashtuquajtura të dobëta. Unë i shoh të gjithë si rivalë dhe dua angazhim maksimal e profesionalizëm për të arritur te titulli”, tha trajneri i Partizanit.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas