Kryesore

Rrahman Parllaku: Ju rrëfej pse Enveri i vrau të shoqin Liri Belishovës dhe e internoi

Gjeneral-lejtënant Rrahman Parllaku vlerëson Liri Belishovën për guximin për të thënë të vërtetën, por dhe si luftëtare të lirisë. Duke kujtuar nisjen e aktivitetit të saj patriotik, Parllaku kujton nisjen e lëvizjes antifashiste kur Liri Belishova gjatë një demonstrate u plagos duke humbur njërin sy, por kjo sipas tij, nuk e bëri të kthehej nga rruga që kishte nisur.

Parllaku shprehet se Liri Belishova falë këtij guximi shumë shpejt u bë drejtuese e rinisë antifashiste, ndërsa do të ishte ky guxim dhe kjo trimëri që do bëhej fatale për të. Pas humbjes së bashkëshortit të saj, Nako Spiro, diktatori Enver Hoxha do ta internonte atë si agjente të sovjetikëve, ndërsa gjeneral Parllaku tregon se ajo në asnjë moment nuk do të dorëzohej. Urrejtja ndaj saj e Enver Hoxhës do të kalonte çdo kufi. deklaroi Parllaku në News 24.



Ai nuk do ta lejonte atë që t’i qëndronte vajzës së saj pranë në momentet e fundit në spital, kur vdiq në moshë fare të re. Por ky persekutim i saj do të sillte dhe humbje të tjera në familje. Ajo përballoi me shumë trimëri edhe humbjen e dy vëllezërve të saj, edhe ata të përndjekur nga regjimi i Enver Hoxhës. Parllaku kujton takimin e fundit me Liri Belishovën, 5 ditë më parë, kur ajo e ka përcjellë duke e përshëndetur tek ashensori.

RRAHMAN PARLLAKU

Liri Belishova që në moshën e rinisë së saj u përfshi në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo që në demonstratat e para kundër pushtimit fashist u plagos dhe humbi syrin e saj. Por ajo nuk u ligështua, përkundrazi urrejtja për armikun iu shtua. Falë inteligjencës së saj, këmbënguljes, guximit ajo arriti të bëhet lidere dhe udhëheqëse e rinisë antifashiste nacionalçlirimtare, fillimisht në qytetin e Tiranës dhe më vonë në të gjithë Shqipërinë.

Pra, Liri Belishova ishte një nga luftëtaret e para në moshë të re dhe luftoi me guxim, përballoi sakrifica të luftës, por pati dhe fatkeqësi pas luftës. Edhe pse arriti në sferat më të larta të udhëheqjes së rinisë, ajo pati një goditje të parë në vitin 1947 me vrasjen e bashkëshortit, Nako Spiro. Edhe më vonë, kur ajo e rimori veten nga kjo dhimbje, diktatori kërkoi që ta shfrytëzojë Lirinë për kapacitetet dhe njohjet që kishte. Por Liria nuk iu nënshtruar diktatorit, pasi nuk lëvizi nga mendimet dhe qëndrimet e saj falë guximit dhe aftësive për t’i dhënë përgjigje diktatorit.

Enver Hoxha, personat që ishin të aftë, të guximshëm për mendimet e tyre, i godiste. Ai gjeti rastin për ta goditur Liri Belishovën, siç dihet tashmë pas kthimit nga Moska në vitin 1960. Ka persekutim më të madh se ky dhe nuk ka ndodhur tek askush tjetër, që për një njeri të dënohen 5 vëllezër të tjerë. Cila diktaturë tjetër e ka bërë këtë?! Hitleri vrau të gjithë botën, por nuk vrau gjermanët, Millosheviçi vrau kombësitë e tjera, por jo serbët. Vetëm Enver Hoxha ka vrarë të vetët.

Liria ishte nga të parat që u përball me këtë diktaturë e ne të tjerët e pësuam më mbrapa. Liria e përballoi me shumë forcë atë diktaturë. Liri Belishova kaloi një persekutim të jashtëzakonshëm duke e internuar në fshatrat e Kurveleshit dhe duke e përndjekur, duke mos i dhënë asnjë mundësi të jetojë si një njeri në familje.

Fatkeqësia e saj ishte më e madhe kur i vdiq vajza e saj në moshën e saj të rinisë, e talentuar dhe më pas e sëmurë. Diktatori nuk e lejoi që Liria t’i ndodhej pranë në minutat e fundit të jetës kur ajo ishte në spital. Urrejtja e diktatorit ishte në nivele të tilla çnjerëzore ndaj Lirisë, për një nga bashkëpunëtoret më të spikatura gjatë luftës dhe pas saj. Megjithatë, ajo i kaloi të gjitha. Me ndryshimet demokratike ajo u angazhua në përpjekjet për demokraci. Ajo pati edhe fatkeqësinë që përcolli vëllezërit e saj për shkak të vuajtjeve nga ndëshkimi që regjimi i bëri familjes së tyre.

Liri Belishova ka qenë një aktiviste që ne ia kemi pasur dhe ia kemi nevojën në organizatën e Bashkuar të Veteranëve. Unë kam bashkëpunuar me të për afro 25 vjet. E kam pasur bashkëluftëtare në luftë, por dhe bashkëpunëtore në këto vite për Organizatën e Veteranëve. Tre vitet e fundit që ajo qëndroi e mbyllur në shtëpi, unë ia kisha nevojën. Shkoja dhe konsultohesha me të sepse ajo ka pasur gjithmonë një mendim të kthjellët dhe të pavarur. Ajo ishte gjithnjë e gatshme dhe e interesuar për mbarëvajtjen e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve.

Fatmirësisht, 5 ditë para se t’i ndodhte vdekja, unë i bëra vizitën e fundit. Ajo më përcolli deri tek ashensori dhe sikur ta ndjente se ishte takimi i fundit me të, ma bëri me dorë duke më përshëndetur. Ne ndiejmë një dhimbje për humbjen që pësuam, por mosha do të bëjë të vetën, brezat do zëvendësojnë njëri-tjetrin. Unë do të ruaj kujtimet më të mira për Liri Belishovën të një njeriu të guximshëm, të mençur, të talentuar që bëri gjithçka për të mirën e vendit dhe të popullit të saj. Të tillë do ta kujtojmë gjithnjë Liri Belishovën. Ajo pati guximin, inteligjencën, por dhe vendosmërinë për t’i shkuar jetës dhe për ta përballuar me trimëri atë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas