Aktualitet

Rokadë në “kupolën” e Policisë së Shtetit, Kuliçaj e Nako ruajnë postet

Tiranë Viti i ri nis me rokadë në strukturat më të larta drejtuese në Policinë e Shtetit. Ndryshimet e firmosura me urdhër të ministrit të Brendshëm Bujar Nishani kanë transferuar dy zv.drejtorët e Përgjithshëm, Rasim Boriçi dhe Ahmet Haxhia, ndërsa kanë ruajtur postet për një mandat të dytë Agron Kuliçaj dhe Pëllumb Nako. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme bënë me dije se Rasim Boriçi, zv.drejtor i Policisë së Shtetit për shërbimet mbështetëse, kaloi në drejtorinë e administratës së kufirit, duke u emëruar drejtor i kësaj drejtorie. Postin e rëndësishëm në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit e mori Dashamir Maçi, deri dje drejtor i burimeve njerëzore. Po kështu, edhe zv.drejtori tjetër Ahmet Haxhia lë këtë detyrë për t’u emëruar drejtor policie në qarkun e Gjirokastrës. Në vend të tij vjen këshilltarja Anila Hoxha, e cila emërohet zv.drejtore për trajnimin policor. Me urdhër të ministrit Nishani u është bërë rinovimi i mandatit dy zv.drejtorëve të tjerë, Agron Kuliçaj dhe drejtorit të kufirit Pëllumb Nako. Rinovimi i mandatit të tyre bëhet edhe për tre vjet të tjera. Lëvizje ka pasur edhe mes kryepolicëve të qarqeve, mes të cilëve Emri Vata, deri dje drejtor i policisë së Gjirokastrës, merr detyrën e drejtorit të policisë së Elbasanit. Vata ka qenë një ndër drejtorët më ‘afatgjatë” në qarkun problematik të Gjirokastrës, vend ku dominon sidomos problemi i trafikimit të kanabisit. Në Elbasan deri më tani drejtor ishte Jashar Vreka, i cili ka  kaluar në drejtorinë e përgjithshme të policisë si drejtor i burimeve njerëzore. Ajet Ibro emërohet këshilltar pranë Drejtorisë së Përgjithshme. Rreth tre muaj më parë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, firmosi transferimet dhe emërimet për 5 drejtori në qarqe, kryesisht në nivele të dyta, ndërsa lëvizjet e djeshme duket se kanë sjellë dhe ‘kompletimin” e lëvizjeve, por kësaj here me firmën e ministrit Nishani. Gjatë vitit të kaluar lëvizjet më të “bujshme” kanë qenë ato të bëra në drejtorinë e policisë së Qarkut të Vlorës, vetëm pak javë pas vrasjes së gjykatësit Skerdilajd Konomi. Në muajin tetor 2011 në postin e drejtorit të policisë së qarkut të Vlorës u ul Nazmi Kotarja. Ai erdhi në vendin e Ylli Metkos, i cili u transferua në postin e drejtorisë së Shkollës së Policisë në Tiranë. Ky post ishte mbajtur deri tani nga Nazmi Kotarja. Në postin e zv.drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Vlorës  u emërua Elidon Veizi, i cili para se të merrte këtë detyrë ishte zv.drejtor në Drejtorinë e Policisë së Korçës. Veizi zëvendësoi në Vlorë Myftar Demirlikën. Lëvizjet e djeshme përmbyllin ciklin e ndryshimeve në Policinë e Shtetit, e cila ka tashmë drejtues të rinj.

Transferimet



Zv.drejtori Rasim Boriçi emërohet drejtor i administratës së kufirit

Zv.drejtori Ahmet Haxhia emërohet drejtor policie në Gjirokastër

Dashamir Maçi emërohet zv.drejtor për strukturat mbështetëse

Anila Hoxha emërohet zv.drejtore për trajnimin policor

Emri Vata emërohet drejtor i policisë së Elbasanit

Jashar Vreka emërohet drejtor i burimeve njerëzore

Ruajnë postet Agron Kuliçaj e Pëllumb Nako

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas