Kryesore, Mapo Format

Revista Mapo publikon listën: 50 njerëzit më të fuqishëm në politikën shqiptare

Cilët janë njerëzit më me ndikim në politikën shqiptare? Revista Mapo sjell për ju personat që vendosin për fatin e shqiptarëve në rrafshin politik, por edhe ekonomik e social. Lista tregon se cilët janë personat më të fuqishëm për momentin, ajo mund të ndryshojë me kalimin e kohës, megjithëse ndryshimet në vendin tonë ndodhi në mënyrë të ngadaltë. Renditja është bërë kryesisht në bazë të rëndësisë, por ajo nuk është gjithmonë një tregues domethënës. Fakt është që këta 50 persona janë ‘pushtet-bërësit’ në Tiranë

 



Ambasadori amerikan

Nuk ka rëndësi nëse do jetë Donald Lu, zëvendësi i tij apo një pasues i ri: Amerikanët kanë hedhur piketat për një reformë të rëndësishme në Shqipëri.

Qëllimi i tyre është një drejtësi e re, me synim goditjen e të paprekshmëve në politikë.

Deri më tani, Lu ka nisur të shohë frytet e para të reformës së iniciuar prej tij. Amerikanët si gjithmonë janë të drejtpërdrejtë dhe duket se ‘stabilokracia’ po u intereson gjithmonë e më pak.

 

KPK

Shqiptarët po shohin gjithmonë e më shumë diçka që nuk e kishin menduar.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po rrëzon përpara tyre gjyqtarë dhe prokurorë të fuqishëm.

Vetingu po tregohet i pamëshirshëm dhe 12 komisionerët e KPK kanë në duart e tyre kaq shumë fuqi, sa më përpara dukej e paimagjinueshme.

Lotët dhe zemërimi i njerëzve të drejtësisë pasi rrëzohen nga detyra e tregon qartë këtë.

 

Lulzim Basha

E kanë akuzuar vazhdimisht se vazhdon të jetë nën hijen e Sali Berishës dhe nuk reagon sa duhet.

Megjithatë beteja e tij kundër krimit dhe lidhjeve me politikën ka dhënë fryte.

Jo vetëm kaq, por Basha ia ka dalë që të vendosë në vështirësi serioze qeverinë.

Të mos harrojmë se misioni i tij i vështirë është jo vetëm ringritja e PD-së, por edhe ringjallja e besimit tek politika.

 

Edi Rama

Mandati i dytë ka nisur me vështirësi, por ai nuk është lloji i politikanit që dorëzohet.

Pavarësisht se ka nisur të flasë më shumë për jetën e tij të tretë, Rama vazhdon të jetë këmbëngulës.

Problemi i drogës, protesta e kuksianëve dhe historia e taksave e kanë dobësuar ndjeshëm qeverisjen e tij.

Megjithatë ai ka arritur që të marrë një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e negociatave dhe po lufton fort në këtë plan.

 

Arta Marku

Është vështirë që të flasësh për emra të tjerë në sistemin e drejtësisë, kur ata po rrëzohen një e nga një.

Megjithatë Arta Marku ka në dorë shumë, sidomos tashmë që politika është ndezur nga akuzat.

Edhe pse e përkohshme në detyrë, ajo mund të lërë një gjurmë të mirë.

Emri i saj është vënë në syrin e ciklonit nga opozita, por edhe nga mazhoranca.

 

Ilir Meta

Nuk mund të ndodhte ndryshe: Ilir Meta po e tregon veten një president të mirë.

Ai ka lënë pas frymën e politikës që e karakterizoi sidomos në fushatën e fundit zgjedhore.

Meta mbetet një politikan interesant, edhe pse vazhdimisht nën akuzë e kritika të forta nga rivalët.

Si president po bën punën e tij, duke marrë madje edhe vlerësime nga vetë Edi Rama.

 

Erion Veliaj

Portalet shkruajnë se ai është njeriu që u gëzohet më shumë skandaleve të qeverisë, sidomos historisë së Saimir Tahirit.

Megjithatë Erion Veliaj mbetet një figurë e rëndësishme e politikës së ditës.

Ai vetë përpiqet që të mbajë distancë, diçka e kuptueshme nga pozicioni i tij.

Por në fund të fundit ai është ndër ata që thotë se po lë gjurmë në Tiranë.

 

Romana Vlahutin

Fuqia e ambasadorit amerikan e zbeh vazhdimisht figurën e saj.

Por Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së në Tiranë është një nga emrat më të rëndësishëm të politikës.

E akuzuar jo pak nga opozita, ajo është po ashtu një promovuese e reformës në drejtësi.

Largimi i saj po ashtu nuk do lërë një boshllëk, pasi linja e qëndrimit e BE duket e përvijuar.

 

Monika Kryemadhi

Agresive, por edhe e artikuluar mirë.

Monika Kryemadhi mori në dorë një parti në momente të vështira, kur sapo kishte dalë në opozitë.

Megjithatë ajo tregoi se ka mësuar shumë nga politika dhe është gati për të drejtuar.

Nuk është e lehtë të bësh opozitën e një qeverie me të cilën sapo ke mbyllur një kapitull së bashku…

 

Sali Berisha

Protagonizmi i tij në politikë vazhdon që të jetë akoma i ndjeshëm.

Denoncimet e tij janë të rëndësishme, pavarësisht se mes tyre gjen edhe ekzagjerime.

Berisha vazhdon të jetë një forcë e rëndësishme brenda Partisë Demokratike.

Megjithatë kundërshtarët e përdorin jo rrallë këtë për të eklipsuar rolin e Lulzim Bashës.

 

Gent Sejko

Krejt papritur, kriza e forcimit të lekut ka krijuar probleme serioze në vend.

Nisma për deeuroizimin në vend mund të ketë ndikuar në këtë drejtim.

Për këtë arsye, roli i guvernatorit po bëhet i rëndësishëm në këtë situatë.

Pritet që të shihet se sa do zgjasë kjo situatë.

 

Gramoz Ruçi

Kreu i Kuvendit ia doli që të buzëqeshte, teksa zhvilloi një vizitë në SHBA.

Një barrë e rëndë sapo ishte hequr nga shpina e tij.

Akuzat si një zyrtar i komunizmit e kanë përndjekur vazhdimisht.

Por ai vazhdon që ta përdorë komunizmin në favorin e tij, si në rastin kur sulmoi disa deputetë holandezë.

 

Fatmir Xhafaj

Dukej se gjërat po shkonin mirë për Xhafajn, pas rezultateve nga operacioni “Forca e Ligjit” dhe vetingu në polici.

Megjithatë gjithçka ndryshoi kur opozita e vendosi në syrin e shënjestrës.

Xhafaj nuk u zmbraps dhe kryeministri Edi Rama e mori në mbrojtje.

Ky është një tjetër tregues i fuqisë së tij si politikan i vjetër në skenën shqiptare.

 

Ben Blushi

Parlamentit i mungojnë fjalimet e tij, por Ben Blushi është gjithmonë protagonist.

Tashmë si drejtues i Top Channel, ai ka marrë në dorë një media me rëndësi të jashtëzakonshme.

Lajmet po marrin imazhin e Blushit.

Ai tashmë ka në dorë një mjet për betejat e radhës.

 

Saimir Tahiri

Kur doli në konferencën për shtyp ku deklaroi lënien e mandatit, Saimir Tahiri bëri shumë bujë.

Ai tha se vazhdon të ketë mbështetje tek njerëzit dhe kërcënoi se mund ta përdorë këtë mbështetje.

Tahiri mund të jetë në prag të pensionit politik, mendon shumëkush.

Megjithatë ai bëhet i rrezikshëm pikërisht në momentet e rënies.

 

Blendi Fevziu

Emisioni i tij është një arenë e rëndësishme e politikës së ditës.

Madje mund të thuhet se ka zëvendësuar edhe parlamentin.

Ndikimi i tij në politikën shqiptare mbetet i pamohueshëm, sidomos në kohë krizash.

Ky është pikërisht ai momenti kur e kupton fuqinë e pamasë që ke në duar.

 

Samir Mane

I cilësuar si njeriu më i pasur në Shqipëri, ai ka nisur të jetë një figurë gjithmonë e më publike.

Imazhi i tij si një njeri që e ka nisur nga zeroja duket më i mbrojtur tashmë që ai del nëpër media.

I rëndësishëm për ekonominë dhe politikën e vendit, Mane është një mbrojtës i kapitalizmit.

Sidomos në këto kohëra të vështira për të.

 

Ervin Salianji

Nëse kërkon në internet, e kupton se emri i tij është një nga më të lakuarit.

Për mirë apo për keq, Salianji ia del të jetë në qendër të vëmendjes.

Një politikan i ri, që ka marrë përsipër edhe denoncime të vështira.

Është nga ata që e kërkon me ngulm praninë në radhën e parë…

 

Arben Ahmetaj

Thuhet se ekonomia është çelësi për gjithçka në politikë.

Ahmetaj është ministri i fuqishëm i kësaj qeverie, që po mban timonin në një kohë të vështirë.

Akuzat për rritje taksash kanë dominuar këtë periudhë të qeverisjes.

Vetë Ahmetaj vazhdon të mbrohet me faktin që ekonomia po njeh rritje të mirë.

 

Instituti ‘Pashko’

Interesant është fakti se këto ditë po flitet gjithmonë e më shumë për taksat.

Ky ndërgjegjësim vjen në një kohë të vështirë politike.

Instituti ‘Pashko’ është avokat i taksave të ulëta në këtë periudhë kur flitet kaq shumë për rritjen e tyre.

Por edhe një ‘gardian’ ndaj premtimeve që nuk kanë mbështetje racionale.

 

Spartak Ngjela

Avokati e ka zhvendosur betejën e tij tek mediat e reja.

I pranishëm në rrjetet sociale, ai është personazhi i preferuar kur bie fjala tek komentimi i ngjarjeve politike.

Në shënjestrën e tij janë Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Por kur duhet të të mbrojë, nuk ka të dytë si ai: Shihni rastin e Fatmir Xhafajt.

 

Majlinda Bregu

Ia ka dalë që të fitojë një post të rëndësishëm në hierarkinë e unionit europian, përballë kundërshtarëve të vështirë.

Ky është një lajm i mirë për të gjithë.

Megjithatë ajo u vu nën akuzë edhe për këtë rast nga kundërshtarët e saj të djathtë.

Por Majlinda Bregu ka treguar se mbetet një aset i rëndësishëm për politikën shqiptare.

 

Robert Ndrenika

Njerëzit e ndjejnë fuqinë e tij jo vetëm kur aktron.

Si aktor ka qëndruar vazhdimisht jashtë prozhektorëve të medias.

Por tashmë është bërë shumë aktiv për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Njerëzit në media dhe sidomos në rrjetet sociale e vlerësojnë jo vetëm për rolet, por edhe këtë për këtë ‘rol’ të ri.

 

Tom Doshi

Shtetet e Bashkuara ia kanë ndaluar hyrjen duke e akuzuar për korrupsion domethënës.

Por Tom Doshi vazhdon që të jetë një fuqi e madhe në politikën shqiptare.

Sa herë të bie ndërmend ndonjë deputet i rëndësishëm në Kuvend, ndërmend të bie emri i tij.

Mbetet për t’u parë vazhdimi i betejës së tij me përfaqësuesit e SHBA.

 

Arbër Hajdari

Një djalë që arrin të përdorë me shumë sukses një kauzë të rëndësishme: Atë të bamirësisë.

Natyrisht janë biznesmenët e fuqishëm që e ndihmojnë, por nisma mban emrin dhe fytyrën e tij.

Ka bërë punë të mira, por nuk mbetet edhe ai pa u akuzuar për financimet.

Megjithatë Hajdari është një personazh i rëndësishëm në vend.

 

Mero Baze

Thuhet se shkëlqimin një gazetari ia jep qëndrimi i tij ndaj qeverisë së një vendi.

Megjithatë Mero Baze mbetet një analist mjaft i fuqishëm në tregun mediatik.

Roli i tij vazhdon të jetë opozitar në terma të përgjithshëm.

Stili i të shkruarit e distancon ndjeshëm nga të tjerët.

 

Endri Fuga

Ai është një personazh shumë interesant i jetës politike në Shqipëri.

Më interesant e bën fakti se nuk është një njeri publik.

Por fakti se këshillon kryeministrin Edi Rama (dhe ky thuhet se e dëgjon) e bën shumë të rëndësishëm.

Mediat e përdorin shpesh si ilustrim të ndikimit në hije.

 

Nikolin Jaka

Biznesmen i rëndësishëm, por edhe personazh i jetës publike në vend.

Nikolin Jaka ka arritur të ndërtojë imazhin e tij si një njeri që punon për interes të biznesit.

Pikërisht kjo fjali i acaron shumë disa.

Megjithatë në ditët e sotme, interesat e biznesit janë jetike për një shoqëri në zhvillim.

 

Shefqet Kastrati

Provoni të shkruani diçka për Shefqet Kastratin dhe do habiteni me interesin që ka për të.

Kjo për shkak se ai është një njeri i përkushtuar ndaj punës, por larg prozhektorëve të medias.

Historia e tij si një ‘baba i kapitalizmit’ shqiptar është befasuese.

Sot është një nga biznesmenët më të fuqishëm në vend.

 

Niko Peleshi

Ai vazhdimisht punon në qetësinë e tij.

Kur u bë ministër i Bujqësisë, u tha se po ulej në gradë, për shkak se ishtë zëvendëskryeministër.

Por ai ka marrë një dikaster me rëndësi jetike për zhvillimin e vendit.

Mjafton që të shohësh shtimin e financimit për fermerët në vend për ta kuptuar.

 

Ylli Manjani

Tashmë nuk është ministër, por i rikthyer në ‘habitetin’ e tij, bëhet më i rëndësishëm.

Ylli Manjani është një nga personat më aktivë në media, sidomos online.

Një kundërshtar i hapur i qeverisë, mendimet e tij kanë gjetur vazhdimisht pasqyrim.

Dhe nuk janë mendime që nuk kanë peshë…

 

Xheni Karaj

Duan apo nuk duan shqiptarët, komuniteti LGBTI është një realitet.

Madje nuk janë të pranishëm publikisht kur bëjnë xhiron e përvitshme me biçikleta.

Mjafton të shihni lehtësinë me të cilën po depërton nisma për vendosjen e gjinive në dokumente.

Në vende të tjera do kishte ndezur një zjarr reagimesh.

 

Ibsen Elezi

Ai ishte katalizator i një prej protestave më të rëndësishme të kohëve të fundit në Shqipëri.

Bëhet fjalë për protestën e banorëve të Kukësit kundër pagesës në Rrugën e Kombit.

Zyrtari i PD-së në Kukës ka arritur të fitojë zemrat e njerëzve dhe me një fjalim në kongresin e PD.

I drejtpërdrejtë në akuzat e tij, ai ka fituar mjaft mbështetës.

 

Armand Shkullaku

Mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë shqiptare në këto 3 dekadat e fundit.

I qetë dhe i qartë në arsyetim, Armand Shkullaku është një nga njerëzit më me ndikim në vend.

I lidhur ngushtë me emrin e TV Klan, atë kemi nisur ta shohim edhe në media të tjera.

Megjithatë mbi të gjitha ka rëndësi mendimi i tij, që shpesh peshon si gur.

 

Artan Hoxha

Shqipëria prodhon shumë krim, brenda kufijve të saj, por edhe jashtë saj.

Dhe sa herë flitet për krim, aty është Artan Hoxha.

I informuar dhe i guximshëm, Artan Hoxha mbetet një nga gazetarët më të rëndësishëm në vend.

Po ashtu është një referencë e rëndësishme e mediave të huaja kur vijnë në Shqipëri.

 

Mark Crawford

Ai është drejtues i Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe një rëferencë e rëndësishme e biznesit.

Mark Crawford është një njeri me ndikim jo vetëm në biznes, por edhe në politikë.

Nuk janë të pakta përplasjet e tij në distancë me kryeministrin Edi Rama.

Tek e fundit, biznesi kërkon vazhdimisht taksa sa më të ulëta.

 

Elvis Naçi

Një predikues i rëndësishëm mysliman, më shumë ndjekës jo vetëm në rrjetet sociale.

Elvis Naçi është tashmë protagonist edhe në një emision televiziv.

Bamirësia është qëllimi kryesor i këtij emisioni.

Në kohëra të vështira dëshpërimi, një emër si i Naçit merr gjithmonë e më shumë rëndësi.

 

Damian Gjiknuri

Thuhet se qeveria është vetë Edi Rama, por ai arrin që të shquhet mes të tjerëve.

Edhe Damian Gjiknuri drejton një dikaster me rëndësi të madhe në jetën e vendit.

I akuzuar vazhdimisht nga opozita, ai merr një rol të rëndësishëm sidomos në mandatin e dytë.

Kjo për shkak se ai është cilësuar si mandati i projekteve të mëdha.

 

Astrit Patozi

Kundërshtar i kryetarit të Partisë Demokratike, por tashmë edhe me një premtim më konkret.

Astrit Patozi mund të krijojë një parti të re.

Edhe ajo do jetë brenda spektrit të djathtë.

Tronditjet e fundit politike megjithatë e kanë lënë pak në hije rolin e tij.

 

Preç Zogaj

Jo vetëm një debatues dhe analist politik, por edhe një shkrimtar i mirë.

Urtësia dhe argumenti i fortë mbetet vula e Preç Zogajt.

Ai ia ka dalë që të jetë për thuajse tre dekada një emër i rëndësishëm i opinionit publik.

Ndikimi i tij mbetet i padiskutueshëm.

 

Taulant Balla

Një nga deputetët më të rëndësishëm jo vetëm të Partisë Socialiste.

Taulant Balla është njeriu që merr përsipër debatet dhe shquhet në këtë fushë.

I detyruar të mbrojë qeverinë edhe në ditët më të vështira, ai merr përsipër edhe kostot, por edhe përfitimet.

Sa herë flitet për ministra të rinj, emri i tij del në skenë.

 

Oerd Bylykbashi

Një jurist i shkëlqyer, me shumë ndikim jo vetëm gjatë reformës në drejtësi.

Misioni i tij, dhe jo vetëm, tashmë mbetet reforma zgjedhore.

Si ‘prodhues’ i ligjit të dekriminalizimit, tashmë i mbetet të prodhojë diçka të ngjashme për zgjedhjet.

Kjo sepse ato janë më të rrezikuarat.

 

Mustafa Nano

Thomas Friedman thotë se një analist i mirë është ai që di të provokojë.

Mustafa Nano di ta bëjë shumë mirë këtë, sidomos tashmë që ka një emision të ri.

Njohës i mirë i disa fushave, Nano vjen shpesh në gazetën Mapo me shkrimet e tij.

Vlen për t’u theksuar një letërkëmbim pikant mes tij dhe një homologu serb.

 

Agron Duka

Shqipëria ka parti të vogla sa të duash, por Agron Duka vazhdon të ketë shumë ndikim.

Pavarësisht se nuk është në Kuvend, biznesmeni-politikan është shumë aktiv.

Njohja e mirë e një fushe të rëndësishme si bujqësia i jep përparësi.

Jo më kot mbetet një referencë e rëndësishme brenda opozitës.

 

Etilda Gjonaj

Emërimi i saj si ministre mund të ketë befasuar shumëkënd në opinionin publik.

Megjithatë ajo mbetet një ministre e rëndësishme brenda kabinetit.

E sulmuar nga opozita, sidomos për çështjen e një ekstradimi, ajo drejton një dikaster shumë të rëndësishëm.

Sidomos tani që flitet për reformën në drejtësi.

 

Adrian Civici

Sa herë flitet për ekonominë e një vendi, referenca është ai.

Ardian Civici, president i UET, është një nga ekonomistët më të rëndësishëm në vend.

I njohur sidomos për publikimet e tij, ai është mjaft aktiv në media.

Opinionet e tij kanë peshë për politikën e vendit.

 

Grida Duma

Një luftëtare e paepur e politikës, mjaft e qartë në pozicionin e saj.

Grida Duma është një imazh simpatik i opozitës.

Ashtu si çdo femër në politikë, ka kritikët e saj të fortë, por ajo duket e vendosur.

Njohja e politikës në një plan më akademik i jep më shumë përparësi.

 

Elisa Spiropali

Edhe ajo është një nga ato personazhe që i ndezin rrjetet sociale.

Por në politikë më shumë rëndësi ka që të jesh protagoniste.

E akuzuar shpesh nga opozita, Elisa Spiropali mbetet një debatuese e fortë.

Prania e saj në media është e rëndësishme për mazhorancën, sidomos në ditë të vështira.

 

Besim Hajdarmataj

E çfarë nuk flitet për emrin e tij, që kur doli në seancën e Kuvendit duke kërkuar arrestimin e Saimir Tahirit.

Besim Hajdarmataj mbetet një personazh i rëndësishëm brenda organit të akuzës.

Dosjet që ka në dorë e bëjnë akoma më të rëndësishëm.

Megjithatë në drejtësinë e sotme, shpesh mund të jesh protagonist vetëm për një ditë.

 

Janullatos

Një klerik i rëndësishëm i jetës publike në vend, i akuzuar dhe i kritikuar vazhdimisht.

Megjithatë Janullatos ia ka dalë që të jetë një personazh me ndikim jo vetëm tek komuniteti ortodoks.

Së fundmi është protagonist me vizitën e një kleriku të lartë rus në Tiranë.

 

Armando Duka

Njeriu i futbollit shqiptar ndonjëherë duket i përjetshëm në rolin e tij si kreu i FSHF.

Por nuk mund të mohohet ndikimi i tij në futbollin e vendit, rrjedhimisht edhe në politikën tonë.

Armand Duka ka meritën e ngritjes së një institucioni të rëndësishëm si FSHF.

Akuzat e kanë ndjekur vazhdimisht, sidomos pas zgjedhjeve të fundit në FSHF.

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas