Kryesore

REPORTAZH/ Ndryshimi i kufijve nuk sjell shkop magjik në jetën e shqiptarëve të Serbisë

Zhegu i ditëve të verës në rrugë dhe gjallëria e zyrës së kryetarit të bashkisë së qytetit jugor serb të Bujanocit bëjnë kontrast të thellë me njëra-tjetrën këto ditë.

Kryebashkiakut Shaip Kamberi nuk i mungojnë vizitorët nga ambasadat e huaja dhe institucionet ndërkombëtare.



Diskutimet, thotë ai, përqendrohen në pakënaqësinë e shqiptarëve etnikë të qytetit me trajtimin e tyre nga Serbia dhe, së fundmi, mundësinë e një shkëmbimi toke ku Bujanoci dhe pjesë të tjera etnike shqiptare të Serbisë jugore do të bashkoheshin me Kosovën dhe veri i Kosovës i dominuar nga serbët do t’i shkonte Serbisë.

Kjo perspektivë, e nënkuptuar nga udhëheqësit politikë me eufemizmat si “korrigjimi i kufijve” apo “caktim i kufijve”, i ka bërë vëzhguesit veteranë të Ballkanit të shohin me shqetësim, pasi ata thonë se ngjall rrezik për ripërtëritje të dhunës etnike dhe mundësi të një efekti domino në të gjithë rajonin.

Gjermania ka dalë kundër çdo ndryshimi të kufijve në Ballkan, por Shtetet e Bashkuara kanë rënë në sy me heshtjen e tyre dhe Bashkimi Europian gjithashtu ka qenë më pak i dukshëm, duke nxitur spekulime se Perëndimi mund të jetë gati të braktisë vijën e kuqe mbi ndarjen etnike të Kosovës, si një mënyrë për t’i dhënë fund një kapitulli të rënies së Jugosllavisë, të cilin shumica e mendonin të mbyllur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Për popullsinë e Bujanocit, një qytet i përzier etnikisht dhe pjesa tjetër të Luginës së Preshevës, dominuar nga shqiptarët, një zhvillim i tillë do të ishte jashtëzakonisht shqetësues, pavarësisht nëse e duan apo jo.

“I padëshiruar në Serbi”

Pothuajse dy dekada më parë, për gjashtë muaj mes viteve 2000 dhe 2001, rajoni qe skenë e përplasjeve midis forcave serbe të sigurisë dhe një ushtrie guerrile shqiptare që përpiqej të përsëriste suksesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999, kur NATO ndërhyri për të marrë kontrollin e krahinës  atëherë serbe nga Beogradi duke sjellë kështu fundin e viteve të shtypjes së shumicës etnike shqiptare.

Diplomacia perëndimore i dha fund luftimeve në Luginën e Preshevës, duke i shpërndarë guerilët në këmbim të më shumë të drejtave për shqiptarët etnikë. Por ata mbeten të pakënaqur, duke e akuzuar Beogradin se ka margjinalizuar rajonin dhe se e ka lënë atë pa investime dhe projekte infrastrukturore. Pa shumë vende pune dhe para, mijëra njerëz largohen çdo vit për punë afatshkurtër në Europën Perëndimore.

“Kam përshtypjen që Beogradi na trajton si një element të huaj, si të jemi të padëshiruar në Serbi”, tha Kamberi.

Ai u bëri thirrje qeverive të Serbisë dhe Kosovës për qartësi; Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka thënë se preferon “caktimin e kufijve” ku Kosova heq dorë nga veriu, ndërsa homologu i tij i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përjashtuar atë dhe ka kërkuar një ndryshim të kufijve për të lejuar Luginën e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

Deklarata të tilla dhe spekulimet e nxitura prej tyre përcjellin ndjesinë e një rryme që paraprin një marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel, por njerëzit që do të preken më tepër thonë se po mbahen në errësirë.

“Presim që deklaratat nga Beogradi dhe Prishtina për ndarjen të jenë më të sakta, që të kuptojmë qartë se çfarë na pret”, tha Kamberi për BIRN pas takimit me zyrtarë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE dhe ambasada e SHBA në Beograd.

Liderët politikë shqiptarë etnikë në rajon kanë lobuar që të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të përfshihen në axhendën e bisedimeve të Brukselit.

Çështja është veçanërisht e ndjeshme për Bujanocin. Ndryshe nga Presheva, ku 95 për qind e popullsisë është shqiptarë etnikë, Bujanoci është një komunë me etni të përzier mes serbëve, romëve dhe shqiptarëve, sipas një regjistrimi të vitit 2002.

Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin më të fundit në vitin 2011, por një vlerësim i përbashkët nga Instituti i Statistikave të Serbisë, OSBE dhe ambasadat amerikane dhe britanike sugjeruan se numrat kishin ndryshuar pak.

“Si do të jetoj?”

Nuk është çudi që shqiptarët dhe serbët kanë mendime të ndryshme për idenë e bashkimit me Kosovën, por ata janë të bashkuar në cinizëm ndaj politikanëve që vendosin fatin e tyre dhe për vështirësitë e jetës së përditshme në këtë cep të varfër të Ballkanit.

“Atdhetari brenda meje gëzohet me mundësinë”, tha një shqiptar etnik në fshatin Lucane, një nga frontet kryesore të përleshjeve 2000-2001, i pyetur për mundësinë e bashkimit me Kosovën.

“Por kur zgjohem në mëngjes mendoj se si do të jetoj, ku do të marr pensionin,” i tha ai BIRN jashtë një dyqani fshati, ndërsa refuzoi të jepte emrin.

Burri tha se gjysma e familjes së tij tashmë ishte larguar drejt BE-së, një fat i përbashkët i shumë fshatrave shqiptare në kufi me Kosovën. Afërsisht gjysma e 1300 banorëve zyrtarë të Lucane aktualisht punojnë në BE.

“Të rinjtë po largohen në masë drejt Europën Perëndimore, kryesisht drejt Gjermanisë”, tha Nexhat Behluli, pronar i një kanali televiziv lokal. “Duke punuar si shoferë, mekanikë apo ndërtues,” ata marrin një vizë gjashtëmujore dhe kthehen me 10,000 euro kursime; nuk do të mund t’i bënin aq para në Serbi,” tha ai për BIRN.

Në Veliki Trnovac, 40 për qind e 7,000 banorëve zyrtarë të qytetit, të gjithë shqiptarë etnikë, besohet se punojnë në Europën Perëndimore.

“Të gjithë do të dëshironim të aneksoheshin nga Kosova,” tha një burrë që pinte çaj në një kafene fshati. “Por pyetja është – sa reale është kjo? Nuk ka më vende etnike në Europë. Njerëzit në Gjermani nuk janë të gjithë gjermanë dhe nuk janë të gjithë belgë në Belgjikë.”

Paqartësi

Serbët vendas janë skeptikë për çdo ndryshim toke, ndonëse disa nuk kundërshtojnë idenë e ngritur nga disa politikanë serbë se Kosova do të aneksonte vetëm fshatrat tërësisht me shqiptarë etnikë në rajon, në vend të një lugine të tërë. Liderët shqiptarë etnikë e kanë përjashtuar një skenar të tillë.

“Nëse fshatrat shqiptare do t’i shkonin Kosovës, serbët mund të merrnin pushtetin”, tha për BIRN një banor serb i Bujanovcit, i cili kërkoi të mbetej anonim.

Nëse Bujanoci do t’i jepej tërësisht Kosovës, “nuk do të qëndroja dhe të jetoja në Kosovë”, tha ai. “Do të përpiqesha të shisja shtëpinë dhe të shkoja drejt Beogradit”.

Miodrag Milkoviç, një veteriner vendas, tha se diskutimet për ndarje ishte një perde tymi, që devijonte vëmendjen nga dështimi i politikanëve lokalë serbë dhe shqiptarë për të përmirësuar jetën e votuesve të tyre.

“Shtatëmbëdhjetë vjet pas konfliktit, interesi i vetëm i politikanëve shqiptarë lokalë dhe serbëve që janë në qeveri me ta është të nxisin tensionet,” tha ai. “Ata nuk e vrasin mendjen për kushtet me të cilat përballen njerëzit”.

“Çdo ndryshim i kufirit do të çonte në konflikt dhe mendoj se kemi pasur mjaft trazira”, tha ai. “Shqiptarët dhe serbët vendas kanë probleme të përditshme, të cilat nuk do të zgjidhen me ricaktimin e kufijve”.

Marrë nga Reporter.al

 

 

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas