Kryesore

Replikë me thirrjet për zjarrvënie ndaj kapitalizmit të Lapsi.al

Nga Besart Kadia

Ky shkrim vjen si përgjigje ndaj një artikulli të publikuar te LAPSI.al ku thuhej se “Flakët në rrugën e kombit janë në mbrojtje të pronës së përbashkët”.



Ajo çfarë ishte befasuese në vijën e argumentimit të këtij artikulli ishte legjitimimi i djegjes së zyrave të sapo hapura prej kompanive private që do të mirëmbajnë Rrugën e Kombit duke shtuar se e njëjta gjë mund dhe duhet të ndodhë me zyrat e kompanisë që ofron Check-UP, me sulmin ndaj kullave që ndërtohen në tokë shtetërore, me goditjen ndaj investimeve strategjike në bregdet dhe me dinamitin ndaj objekteve që ndërtohen mbi trashëgiminë kulturore.

Sipas kësaj linje të LAPSI.al, të gjitha këto akte janë legjitime se janë në mbrojtje të pronës së përbashkët dhe se djegia dhe revolucioni sipas artikullit janë shpëtimi i ekonomisë sonë.

Është e vërtetë se këto janë ditë të vështira politike e ekonomike për Shqipërinë. Vështirësitë e ekonomisë shqipëtare dhe anshmëria me të cilën qeveria Rama ka ndërmarrë shumë vendime kanë rritur presionin fiskal në jetën e cdo qytetari dhe cdo biznesi në vend. Rritja e anshme e taksave, e tarifave, investimet publike në projekte jo dobiprurëse për ekonominë, rritja e kontrolleve frymëmarrëse për biznesin etj, janë disa askpekte të një arrogance e injorance në politikëbërje, e panevojshme për kushtet e Shqipërisë. Shteti që Edi Rama sot drejton është një shtet që ka anuar në të gjitha territoret e mundëshme ideologjike në pesë vitet e fundit. Ai ka qënë përdorues entuziast i dinamitit ndaj ndërtimeve të paligjshme në vend e shpërndarës buzagaz i legalizimeve të ndërtimeve pa leje, përdorues i politikave socialiste të taksës progresive për rishpërndarje e nga ana tjetër impelmentues i politikave të djathta të përfitimit të ndihmës ekonomike, pro koncensioneve për ndërtimin e mirëmbajtjen e rrugëve e prishës i kontratave të qeverisë së shkuar për HEC-et, pro taksës së qarkullimit në 270 lek e nga ana tjetër pro tarifës për përdorim të rrugëve. Kjo inkoherencë politike ka bërë që si të majtë e të djathtë të ndjehen të përfaqësuar part-time nga Edi Rama e të papërfaqësuar afatgjatë nga qeveria e tyre.

Por diskutimi politik për politikat e qeverisë Rama i cili është në mandatin e tij të dytë qeverisës nuk mundet t’i faturohen sipërmarrjes private në Shqipëri. Sepse ndryshe nga qëndrimi i LAPSI.al, ne mendojmë se shteti është akoma shumë prezent, i fortë e i anashëm në vendimarrje aq sa sektori privat në vend është gjithnjë nën mëshirën e humorit të qeveritarëve, e për këtë arsye arrijmë në deformime e mungesë konkurrence në tregje që dëmtojnë mirëqënien e përbashkët në vend. Sepse e mira e përbashkët mundet të arrihet vetëm duke garantuar biznese private që funksionojnë me ligje të qarta e të paanëshme që janë të mbojtura nga dhuna, djegia e korrupsioni. Vetëm nëse arrihet kjo do të mund të kemi investime të bollshme sa të rrisim mirëqënien e përbashkët, por jo duke goditur pronën private. E këtu qëndron problemi kreysor me thirrjen për djegie e revolucion të LAPSI.al i cili drejtohet drejt dhunës ndaj pronës e sipërmarrjen private sikur ato të jenë pengues të zhvillimit të vendit dhe prishës të politikave publike në vend.

I vetmi diksutim që duhet të ketë Shqipëria është sesi dëshira për sipërmarrje e për t’u pasuruar e shqipëtarëve të përkthehet në politika ekonomike të duhura. Ndërkohë që thirrja e LAPSI.al për djegie të investimeve strategjike në bregdet, të koncensioneve ne shëndetësi e rrugë janë një qasje regresive ndaj zhvillimit në emër të gjoja “interesit publik”. E këtij të fundit mundet ti shërbehet vetëm duke diskutuar sesi institucionet që mbikëqyrin tregun të jenë më profesionale e më të forta, si të garantojmë që investimet publike të jenë “value for money” për taksapaguesit, si KLSH të dëgjohet për cdo abuzim që gjen me fondet publike, si të garantojmë që cdo abuzim që biznesi ka nga vendimet shtetërore të gjejë zgjidhje të drejtë në gjykata, sesi shteti të mos ndryshojë politikat fiskale në mënyrë kaq frekuente etj.

Në logjikë ekonomike, në tërsi koncensioni i mirëmbajtjes së rrugëve kombëtare është një praktikë e njohur në cdo shtet perëndimor, si ato me ekonomi tregu po ashtu dhe në ato me profil krejtësisht social. Ligjet për investimet strategjike njihen e përdoren shpesh nga shtete të ndryshme të zhvilluara e në zhvillim për sektorë me rëndësi për ekonominë, tokë shtetërore gjithashtu mund të përdoret për të zhvilluar një pronë private kudo në perëndim. Këtë diskutim bota e ka tejkaluar për t’u zhvilluar. Këto praktika janë të mirëpritura e në interes publik. Problemi nuk qëndron me këtë model të zhvillimi të vendit. Diskutimi vërtitet gjithnjë me debatin për abuzim të fondeve e kontratave nga qeveritë e korruptura të këtyre vendeve. E këtu Edi Rama do të votohet kundër nga kushdo që mendon se ai po abuzon me këto koncensione e politika abuzuese. Por po ashtu s’duhet të harrojmë se mundet gjithashtu të mbështetet nga ata që janë kundër dhunës e djegies si instrument për të zgjidhur problemet ekonomike në vend, aq më tepër kur ato janë në kurriz të sipërmarrjes private. Sepse në modelin ekonomik që ne kemi sot, në rast se bie prona private është e natyrshme që bashkë me të bie edhe shteti.

PasPara

1 koment

  1. Po ik o “i pangrehur” se keni marre detyre te veshtire qe te mbroni hajdutet e Rames.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas