Editorial, Kryesore

Remi në shahun Meta-Rama

Nga Ervis Iljazaj

Më fund Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm, duke i dhënë kështu fund një përplasjeje institucionale midis presidencës dhe kryeministrisë, e cila fare mirë mund të evitohej.



E megjithatë, dy javë të cilat pasuan deklarata dhe kundërdeklarata midis Kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta, përtej debateve kushtetuese, ishin padyshim një komunikim polik në distancë, si për të kujtuar se, instinkti politik i Presidentit nuk është shuar aspak. Madje, është më i gjallë se asnjëherë.

Në këtë kuptim, edhe pse u kritikua shumë përcaktimi i këtij konflikti nga Edi Rama si një lojë shahu, në të vërtetë ishte e tillë. Nëse do të ishte thjesht një mosmarrëveshje kushtetuese, do të zgjidhej me një komunikim formal midis dy institucioneve.

Në fakt dukej e çuditshme, marrëdhënia “paqësore” midis mazhorancës dhe Presidencës që nga momenti në krye të saj është Ilir Meta, për faktin se, historia politike dhe personaliteti i Ilir Metës të jepte idenë e një marrëdhënieje që do të ishte totalisht e kundërt.

Kështu që, herët apo vonë, një përplasje e tillë do të ndodhte. Dhe ndodhi pikërisht në një situatë nevralgjike, atë të propozimit të një ministri nga ana e Kryeministrit. Pra, një refuzim mu në zemër të pushtetit të Edi Ramës.

Pas dekretimit, i cili do të duhet të ishte një procedurë normale, shumë e interpretuan këtë akt si një zmbrapsje të Presidentit dhe një fitore të Edi Ramës.

Mirëpo, si përfundoi vërtet loja e Shahut midis Presidencës dhe Kryeministrisë?

Po të vazhdojmë të përdorim gjuhën e shahut, mund të thuhet se përfundoi në remi (barazim), në pritje të një loje të tjetër, që ndoshta do të na japë një fitues.

Edhe pse si përfundim Ilir Meta e dekretoi Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm, tanimë roli i Presidentit në këtë aspekt nuk është më si më parë. Me refuzimin e parë, Ilir Meta i tregoi mazhorancës së Partisë Socialiste se nuk do të jetë një kafshatë e lehtë për t’u kapërdirë. Rruga politike që do të duhet të bëjnë bashkë Rama si Kryeministër dhe Meta si President është ende e gjatë.

Roli dhe kompetencat e Presidentit në një Republikë Parlamentare, shpeshherë varet nga personi që është në krye të atij posti. Personaliteti i fortë politik i Ilir Metës, padyshim që do t’i japë një dimension tjetër figurës së Presidentit të Republikës.

Nga ana tjetër, mund të thuhet se, Edi Rama, në të gjitha komunikimet e tij në këtë situatë aspak të lehtë për të, ishte pothuajse strategjikisht perfekt. Me qetësi dhe dashuri, duke i Iu përgjigjur me armën më të preferuar të Presidentit Meta, arriti të dërgonte në krye të Ministrisë së Brendshme kandidatin e tij, Dhe, këtë gjë e bëri pa krijuar asnjë tension apo pa thënë asnjë fjalë të tepërt kundrejt Presidentit të Republikës. Ndryshe nga ç’pritej, Edi Ram zgjodhi tonin e ulët dhe jo sulmet ndaj Presidetit të Republikës. Duke e ditur fare mirë, se një strategji e tillë ishte totalisht kundra tij dhe do të agravonte situatën politike, gjë e cila nuk i leverdiste në këto momente.

Prandaj, e gjitha loja e shahut prej dy javësh midis Presidencës dhe Kryeministrisë, kësaj here nuk tregoi asnjë fitues. Por, tregoi edhe njëherë se marrëdhënia midis mazhorancës dhe Presidencës, nuk do të jetë aspak aq e qetë sa duket. Mirëpo, për momentin, asnjërës nuk i leverdis që të tregojë dhëmbët, në pritje të një kohë më të mirë ose më të keqe, për të zhvilluar këtë betejë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas