Kryesore, Shëndeti

Rekomandimi: Ushqyerja me gji e fëmijës, përfitime në shëndet

Qumështi i gjirit është ushqimi ideal për të porsalindurit dhe për foshnjat. Ai iu jep foshnjave të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për të cilat ata kanë nevojë për një zhvillim të shëndetshëm 

Në shumë vende të zhvilluara, ushqyerja me gji mbetet në nivele relativisht të ulëta, pavarësisht rekomandimeve të ndryshme lidhur me ushqyerjen me gji. Kjo ndodh për shkak të shumë faktorëve, si: investimet për prodhimin dhe shitjen e zëvendësuesve të qumështit të gjirit; presioni financiar për t’u rikthyer në punë pas lindjes, bashkë me paragjykimet dhe kundërshtimet për ushqyerjen me gji në publik; zgjedhja e shumë grave për mosushqyerjen me gji, si një opsion më i lehtë. Mirëpo ushqyerja vetëm me gji në gjashtë muajt e parë të jetës njihet tashmë për përfitimet e jashtëzakonshme që ka si te nëna ashtu dhe fëmija. Ajo i siguron foshnjës elementet e nevojshme për mirërritjen dhe mbrojtjen nga një sërë sëmundjesh si pneumonia, leucemia apo obeziteti, si dhe ndihmon në uljen e rrezikut për zhvillimin e kancerit të vezoreve, të gjirit dhe diabetit te nëna.



Fakte

Çdo foshnjë dhe fëmijë ka të drejtën për t’u ushqyer mirë, bazuar në “Konventën e të drejtave të fëmijës”. Nënushqyerja është e lidhur me 45% të vdekjeve të fëmijëve. Në vitin 2016, 155 milionë fëmijë nën 5 vjeç kishin mbetur të shkurtër për moshën, 52 milionë ishin të dobët për gjatësinë, dhe 41 milionë ishin mbipeshë apo obezë. Vetëm rreth 40% e foshnjave 0-6 muaj në mbarë botën ushqehen ekskluzivisht me gji. Në shumë vende, pak fëmijë të moshës 6-23 muaj marrin ushqyerjen e përshtatshme plotësuese. Rreth 820 000 jetë fëmijësh nën 5 vjeç mund të shpëtohen nëse çdo fëmijë do të ushqehet në mënyrë optimale me gji 0-23 muaj. Ushqyerja me gji përmirëson koeficientin e inteligjencës, siguron performancë më të mirë në shkollë dhe të ardhura më të mira në vitet e mëvonshme. Në një botë të mbushur me pabarazi, kriza dhe varfëri, ushqyerja me gji është themeli i një shëndeti të mirë, me efekte pozitive përgjatë gjithë jetës për bebet dhe nënat.

Përfitimet prej ushqyerjes me gji

Qumështi i gjirit është ushqimi ideal për të porsalindurit dhe për foshnjat. Ai iu jep foshnjave të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për të cilat ata kanë nevojë për një zhvillim të shëndetshëm. Qumështi i gjirit është i sigurt, përmban antitrupa dhe mbron foshnjat nga sëmundjet e zakonshme të fëmijërisë siç janë diarreja dhe pneumonia, të cilat janë dy shkaktarët kryesore të vdekshmërisë foshnjore në mbarë botën. Qumështi i gjirit është i arritshëm dhe i përballueshëm, çka ndihmon për të siguruar që foshnja të marrë ushqim të mjaftueshëm.

Përfitimet shëndetësore për nënat

Nga ushqyerja me gji e fëmijës përfitime shëndetësore kanë edhe nënat. Ushqyerja ekskluzivisht me gji e fëmijës shkakton te nëna mungesë të ciklit menstrual, duke e bërë atë një metodë natyrore të kontrollit të shtatzënive (lindjeve). Ajo redukton gjithashtu rrezikun e kancerit të gjirit dhe të vezoreve më vonë në jetë, ndihmon femrat të kthehen në peshën e tyre të para shtatzënisë më shpejt, dhe ul obezitetin.

Përfitimet afatgjata në shëndetin e fëmijëve

Ushqyerja me gji te fëmijët përveç përfitimeve shëndetësore të menjëhershme jep edhe përfitime shëndetësore përgjatë jetës. Të rriturit të cilët janë ushqyer me gji shpesh kanë presionin e gjakut të ulët dhe kolesterol më të ulët, gjithashtu kanë dhe nivele të ulëta të mbipeshës, obezitetit dhe diabetit të tipit 2, krahasuar me ata të cilët nuk janë ushqyer me qumësht gjiri. Studime të ndryshme kanë treguar se njerëzit të cilët janë ushqyer me gji ka dhënë rezultate më të mira në testet e inteligjencës.

Ushqyerja me formulë

Ushqyerja me formulë për foshnjat nuk përmban antitrupat të cilët janë në qumështin e gjirit, dhe është e lidhur me disa rreziqe si sëmundjet me origjinë nga uji, si rrjedhojë e përzierjes së pluhurit të qumështit me ujë jo të sigurt. Kequshqyerja mund të shkaktohet edhe nga mbihollimi i qumështit me formulë. Nëse kemi përdorur qumësht me formulë, por në mungesë të tij i japim qumësht gjiri, ky nuk është një opsion pasi sasia e qumështit të gjirit është zvogëluar.

 

Ushqyerja me gji

  • Për rritjen, shëndetin dhe zhvillimin më të mirë të foshnjës, si dhe shëndet më të mirë të nënës, foshnjat duhet të ushqehen vetëm me qumësht gjiri 6 muajt e parë të jetës.
  • Foshnja duhet të vendoset në gji brenda orës së parë pas lindjes sepse nxit lidhjen shpirtërore mes nënës dhe fëmijës, dhe nxit refleksin e thithjes. Asgjë tjetër nuk i duhet dhënë foshnjës përpara se të nisë të pijë gji.
  • Foshnja duhet të ushqehet në bazë të kërkesës që ka, pra sa herë të dojë dhe aq gjatë sa të dojë foshnja. Sa më shumë të thithë fëmija, aq më shumë qumësht prodhohet. Në ditët e para bebi mund ta kërkojë gjirin edhe 10 herë në ditë, por më pas do të stabilizohet në 6-7 herë në ditë, me interval 4 orë gjatë ditës dhe 8 orë gjatë natës.
  • Të ushqyerit vetëm me qumësht gjiri nënkupton që foshnja të pijë vetëm qumështin e nënës dhe të mos pijë asgjë tjetër, as ujë.
  • Qumështi i gjirit siguron të gjithë ushqimin dhe ujin për të cilin foshnja ka nevojë gjatë 6 muajve të parë.
  • Foshnja nuk ka nevojë për ujë, madje as në një ditë të nxehtë, pasi ujin e nevojshëm e merr nëpërmjet qumështit të gjirit.
  • Nëse një foshnjë pi ujë, do të pijë më pak gji dhe do të jetë më pak i mirëushqyer.
  • Foshnja duhet të ushqehet në njërin gji deri sa ta ketë zbrazur atë, në mënyrë që foshnja të marrë edhe qumështin e fundit që ka kalori më të larta. Kjo është e rëndësishme pasi në fillim të pirjes së gjirit, ai është i pasur në ujë dhe sheqer, për të qetësuar urinë dhe etjen e bebit, më pas pasurohet me proteinat që shërbejnë për t’u rritur, dhe vetëm në fund me yndyrat që janë burim energjie. Pra, fëmija nuk duhet të humbasë asnjë nga këto përbërës të gjirit.
  • Ushqyerja me gji është zakonisht energjike në 5 minutat e para dhe më pas, bebi bën një pushim që nuk zgjat më shumë se 20 minuta. Nëse fëmijën e zë gjumi për një kohë më të gjatë se 4-5 orë, nuk duhet zgjuar për ta ushqyer.
  • Kur nëna është sëmurë, fëmija nuk duhet të largohet prej saj pasi qumështi i gjiri mbron foshnjën nga infeksioni.
  • Nëse është e mundur foshnja nuk duhet të ushqehet artificialisht. Të ushqyerit artificial çon në një inteligjencë më të ulët, shëndet më të dobët për foshnjën dhe rreziqe shëndetësore për nënën.
  • Të ushqyerit me gji duhet të vazhdojë deri në dy vjeç e sipër, pasi qumështi i gjirit ndihmon foshnjën të luftojë sëmundjet. Ai është burimi i vetëm për marrjen e trupëzave mbrojtëse.
  • Fëmijët duhet të ushqehen me gji dhe me ushqime shtesë pas 6 muajve.
  • Qumështi i gjirit mund të sigurojë gjysmën ose pjesën më të madhe të nevojave ushqyese të foshnjës nga 6 deri në 12 muajsh, dhe 1/3 ose më shumë të foshnjës nga 12 – 14 muajsh.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas