Mapo Letrare

Rehabilitimi i komunizmit, një akt kriminal

DomGjergjNga Gjergj Meta

 



Përvoja e atyre ditëve të përgatitjes së vizitës së Papës është shoqëruar me disa ngjarje që, duke i parë në distancë, nuk mund të jenë të rastësishme. Po tregoj njërën prej tyre. Një mbrëmje gjendesha bashkë me mikun tim, Don Marian Gegën, në Durrës, në një koncert të organizuar për nder të ardhjes së Papës, në Konkatedralen e Shën Luçisë, aty ku unë jam famullitar. Don Mariani kishte si detyrë në ato ditë, përveç të tjerash, të kujdesej edhe për përgatitjen e platformës së altarit ku do të kremtohej mesha. Ndërsa gjithçka dukej e mbaruar, mungonte kryqi që duhej të ishte në qendër të platformës. Don Mariani, atë mbrëmje që ndodhej në Durrës, pa kryqin në Kishën e Konkatedrales dhe më thotë: “Don Gjergj, ky kryq duhet të vijë në Tiranë, se është tamam për atë vend”. Në fillim kundërshtova se e quajta si punë pa fort vlerë, pasi mund të gjendeshin kryqe të tjerë në Tiranë. Don Mariani këmbënguli edhe më shumë: “Jo, ai kryq është perfekt për atë vend. Organizo transportin dhe sille”. “Ok, – thashë, – do ta sjell”.

Atëherë dy persona e sollën atë kryq nga Durrësi në Tiranë. Janë rreth 40 km. Ndërsa shoqëroja gazetarët, ditën e vizitës së Papës, një prej tyre, i Osservattore Romano-s, më pyeti se nga vinte ai kryq dhe a kishte një domethënie që ishte aty. Ai kryq, në fakt, vinte nga Durrësi, nga Kisha e vjetër e Durrësit, e cila ishte e shekullit XIX. Gjatë komunizmit ajo kishë nuk ishte shkatërruar, por ishte kthyer në teatër kukullash. Por në atë kishë është edhe varri i Izmot Prennushit, Ipeshkëvi i fundit i Durrësit, i cili vdiq në burgjet komuniste, në vitin 1949, më 19 mars. Imzot Prennushi aktualisht është në krye të listës me 40 martirë që pritet të shenjtërohen në Vatikan. Ndërsa përgjigjesha, hyra në mendime dhe aty u binda: ai kryq duhej aty. Ishte simboli i krejt martirëve me në krye Imzot Prennushin e pikërisht nga kisha e vjetër e Dioqezës së Durrësit, e cila ka qenë Katedrale deri në vitin 2002.

Sipas disa informacioneve që kisha, Papa Françesku, si përgatitje për Shqipërinë, kishte lexuar gjatë verës një libër me titullin “Kanë dashur të vrasin Hyjin”, ku flitet për martirët e Kishës Katolike në Shqipëri. Martirizimi i Kishës Katolike në Shqipëri dihej, edhe pse nuk ishte fort i njohur si fakt botërisht. Madje edhe Papa Bergoglio thotë: “Ka qenë për mua një befasi. Unë nuk e dija që populli juaj ka vuajtur kaq shumë”. Gjon Pali II e kishte vënë theksin në këtë gjë, qysh në vitin 1980, kur ishte në vizitë në Otranto: “Kështu pra, në këtë rrethanë të ditës së sotme nuk mund të mos drejtoj sytë e mi përtej detit, te Kisha heroike kaq e afërt e Shqipërisë, e tronditur nga përndjekja e ashpër dhe e gjatë, por e pasuruar me dëshminë e martirëve të saj: Ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë, rregulltare dhe besimtarë të thjeshtë”. Po ashtu, në vitin 1993, Papa Gjon Pali II mundi të takonte shumë prej tyre që ishin ende gjallë dhe i kishin mbijetuar komunizmit. Tre prej tyre i shuguroi ipeshkvinj. Ndërkohë është hapur procesi i kanonizimit të 40 martirëve që po pret tashmë të kryhet në Romë.

Çfarë kishte ndodhur me Kishën Katolike gjatë komunizmit? Qysh me ardhjen e tyre në pushtet komunistët kishin të paktën të qartë një gjë: Kisha katolike për ta ishte armike. Qysh në agimin e vitit 1944-‘45, ata arrestuan dhe vranë një numër të konsiderueshëm meshtarësh, duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të regjimit fashist apo si propagandues antikomunistë ose spiunë të Vatikanit. Eliminuan, qysh në fillim, elitën e Kishës, por jo vetëm. Një pjesë e tyre ishte edhe elita e kombit. Forca e diktaturës së proletariatit po kthehej në një lumë vërshues, duke pasur parasysh se edhe një pjesë e mirë e tyre ishin pa arsim dhe pa kulturë. Arroganca e injorancës është kriminale. Propaganda antikatolike e antifetare në përgjithësi zhvillohej në dy drejtime: nga njëra anë arrestime, burgosje, punë të detyruar e pushkatime të klerit e nga ana tjetër propagandë ideologjike nëpër shkolla e në komunitet. E gjithë kjo fushatë kulmoi në shkurt të vitit 1967, me vendimin për të mbyllur të gjitha objektet e kultit. Atëherë shumë objekte u shkatërruan ose u përdorën për gjëra totalisht të ndryshme nga funksioni fetar, si p.sh.: magazina, hambarë gruri, vatra kulture, pallate sporti apo teatër kukullash. Përsëri mbi Kishën katolike u bë terror. Në vitin 1968 – ‘69 u vranë edhe meshtarë të tjerë: Don Mark Dushi, Dom Zef Bici e Dom Shtjefën Kurti. Ky i fundit u pushkatua vetëm sepse kishte pagëzuar një fëmijë fshehtas. Paralel me terrorin fizik vazhdonte edhe një terror tjetër, ai kulturoro-artistik. Filmat, romanet dhe telenovelat me subjekte fetare, duke i vënë në tallje dhe përçmim, duke i akuzuar si armiq dhe tradhtarë të popullit, kanë shenjuar për shumë kohën imagjinaren e shumë prej nesh që në ato vite, vitet ‘70-‘80, fillonim fëmijërinë tonë. Prindërit dhe gjyshërit tanë ishin të frikësuar dhe të terrorizuar qoftë edhe të përmendnin fjalën Zot në publik. Kjo fushatë arriti edhe një kulm të vetin kur në vitin 1976 Kushtetuta e vendit sanksiononte: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor” (neni 37). Ateizmi kushtetues kthehet kështu në një aksiomë kundër së cilës nuk mund të shkohej. Feja ishte antikushtetuese. Kjo është vetëm një histori e shkurtër dhe shumë sintetike e një realiteti akoma më tragjik që shumë persona kanë vuajtur mbi shpinën e tyre. Të gjitha këto Papa Françesku i kishte dëgjuar, apo lexuar, por ai u gjend përballë një befasie të vërtetë kur takoi dëshmitarët e gjallë të asaj kohe. E gjithë bota pa nëpërmjet mediave se si Papa u përlot në përqafimin me Dom Ernest Troshanit, i cili ishte dënuar pse kishte kremtuar një meshë për shpirtin e John Kennedy, dhe motër Marie Kaletës, e cila kishte ndihmuar meshtarët dhe kishte pagëzuar fshehtas fëmijë.

Këtu nuk po flasim për një martirizim të kohës së Neronit, apo të kohës së okupimit turk, por për një martirizim të shekullit XX, e gjitha kjo në zemër të Europës. I prekur nga tregimi i dëshmitarëve të këtij kalvari, Papa Françesku, në takimin me meshtarët dhe rregulltarët, la mënjanë tekstin që kishte përgatitur dhe foli nga zemra: “Jeni një popull martirësh, – tha ai. E unë sot në këtë kremtim preka dy prej tyre”.

Janë dy fjalë të rëndësishme që Papa na la në dorëzim atë ditë, në fjalën e tij: dëshmi dhe ngushëllim. Këtë kanë bërë dëshmitarët, martirët. Kanë dëshmuar me jetën e tyre idealin e jetës së tyre, pa u tërhequr për asnjë çast dhe ngushëllimin e kanë pritur dhe gjetur te Zoti. Vetëm kështu një person mund t’i japë kuptim vuajtjes së tij, të ngushëllohet ai vetë e të ngushëllojë të tjerët.

Është një histori, ajo e martirizimit, që sot përsëritet. Ajo çfarë po ndodh sot në Siri dhe Irak, apo edhe në vende të tjera, si Nigeri dhe Somali, por edhe në botën e lirë, se si të krishterët që duan të jetojnë besimin e tyre shpesh përndiqen. Aktualisht janë rreth 200.000 të krishterë në Siri dhe Irak që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe nga fshatrat e tyre, që kanë humbur gjithçka, janë shkatërruar shtëpitë e tempujt, janë përndjekur dhe dhunuar në të drejtën e tyre për të jetuar të lirë besimin e tyre. Është një histori që përsëritet.

Por martirizimi i Kishës në Shqipëri është edhe një mundësi se si mund të ndërtohet një shoqëri e bazuar mbi kujtesën dhe faljen. E kaluara nuk mund dhe nuk duhet të harrohet. Ajo duhet t’u mësohet brezave të rinj, ashtu sikurse ka qenë, pa deformime apo zbutje. Për fat të keq, ka sot në Shqipëri edhe akademikë e njerëz të shkencave historike që duan të rivendosin në panteon apo të rivlerësojnë figura kriminale, që gjatë komunizmit kanë vrarë ata vetë e kanë dhënë urdhër të vriten njerëz të pafajshëm. Ky gjest rehabilitimi në vetvete është kriminal. I ngjan fort negacionizimit të shoahut të Luftës së Dytë Botërore. Një shoqëri e lirë dhe demokratike nuk mund t’ia lejojë vetes këtë gjë. Është e rëndësishme të kujtojmë për të mos harruar se ndryshe mund të përsërisim.

Nga ana tjetër, fjalët e Papës janë të qarta: mos harroni plagët, por mos u hakmerrni. Kujtesë dhe falje. Procesi i pajtimit është i nevojshëm dhe dishepujt e Krishtit nuk mund të bëjnë ndryshe. Më kujtohet dëshmia e Atë Anton Lulit, jezuit, i cili në vitet e lirisë takon, përqafon dhe fal prokurorin që e kishte dënuar. Kisha, të krishterët janë ai realitet e ajo hapësirë ku ky pajtim duhet të ndodhë më së pari e duhet të japë shembullin. Kështu, bashkësia e krishterë kthehet në një hapësirë pajtimi dhe kujtese.

Ende në Shqipëri është e nevojshme një qartësi mbi atë çka ka ndodhur, një kërkesë faljeje dhe një pajtim, përndryshe do të mbetemi peng i një mëkati kolektiv të paemër.

*Pjesë nga ligjërata e mbajtur nga autori në Librarinë e Kongresit Amerikan më 14 nëntor 2014. Titulli është i redaksisë. Titulli i autorit: Martirizimi: kujtesë dhe pajtim.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas