Kryesore, Politika

Reforma pa gjykata: “Shkrihet” Gjykata e Lartë, rihapet gara për KLGJ

Shkarkohet Artan Broci dhe hedh akuza të forta ndaj procesit. “Nuk kalova dot testin e nënshtrimit për çështje të caktuara…”. Tkurret lista e kandidatëve që kaluan vetingun për KLGJ. Gjykata e Lartë shpalli dje përmes një njoftimi zyrtar thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për t’u zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ.

Xhezair Zaganjori, Ardian Dvorani (me mandat të përfunduar), Edmond Islamaj dhe së fundmi Medi Bici janë katër anëtarët që kaluan testin e vetingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ende pa filluar ky proces, Gjykata e Lartë kishte 9 anëtarë në radhët e saj nga 17 anëtarë që duhet të kishte ligjërisht. Pesë anëtarët e tjerë, Tom Ndreca, Artan Zenelaj, Shkëlzen Selimi, Admir Thanza dhe Artan Broci nuk e kaluan dot provën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Nga ky proces të paktën publikisht kanë dalë kundër KPK-së, Shkëlzen Selimi për disa dokumente që një Tv kombëtar nxori një ditë para vetingut ndaj tij, dhe Artan Broci. Ky i fundit ka reaguar ashpër dje, duke nxjerrë një anë të panjohur të këtij procesi. Ai nuk ishte në seancë kur u lexua vendimi ndaj tij, por përmes një deklarate për mediat, Broci la të kuptojë shumëçka se çfarë ndodh pas dyerve.



“KPK si komisarët politikë të kryeministrit nuk dolën dot nga urdhrat politikë. U provova se të ardhurat e mia janë të ligjshme të konfirmuara nga Tatimet, kalova në pikëpamjen time të tre testet Pasuror, Profesional dhe Figurën, por nuk kalova dot testin e nënshtrimit për çështje të caktuara dhe atë të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Beteja ime ligjore do vazhdojë deri në fund”, – thuhet në deklaratën e tij.

Me pesë anëtarë të shkarkuar dhe vetëm katër në detyrë, Gjykata e Lartë e ka të pamundur që të marrë në shqyrtim dosjet voluminoze që presin vendime.

“Gjykata e Lartë deri tani gjykon me 22% të kapacitetit. Janë 25 mijë dosje, të tjerat nxirrini vetë…”, tha dy ditë më parë gjyqtari tjetër i Gjykatës së Lartë, Medi Bici, pas seancës së ballafaqimit me KPK-në për pasurinë dhe aftësitë profesionale.

Gjykata e Lartë është autoriteti më i lartë gjyqësor dhe ka në përbërje 17 gjyqtarë. Deri para një muaji në zyrat e këtij institucioni vijonin punën vetëm 9 anëtarë (të tjerët ishin larguar pasi u kishte mbaruar mandati). Tani në zyrat e Gjykatës së Lartë kanë mbetur vetëm katër anëtarë. Kolegji Civil nuk është më funksional, ndërsa më herët ka pushuar funksionin edhe Kolegji Penal dhe ai Administrativ. Të vetmet çështje që mund të gjykohen janë rastet e urgjencës, me anëtarë të huazuar mes kolegjeve të tjera.

Vetëm një ditë më parë, në gjykatën e Lartë janë depozituar 16 padi që kanë palë kundërshtarë kryesisht Agjencinë e Trajtimit të Pronave Tiranë. Në gjykatën e Lartë “flenë” rreth 25 mijë dosje dhe fati i padive të fundit nuk dihet se kur do t’i vijë radha.

Tkurret lista, rihapet gara për KLGJ

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është drejt fundit të listës së parë prioritare prej 57 anëtarësh që garonin për KLGJ-në dhe KLP-në. Nuk ka ende një rezultat përfundimtar, (kanë mbetur edhe 10 për t’u verifikuar) por numri i kandidatëve të larguar nga vetingu për postin e anëtarit të KLGJ-së është thuajse i njëjtë me ata që janë konfirmuar.

Deri më tani 7 kandidatë janë konfirmuar për garën për KLGJ-në, 5 janë rrëzuar (përfshi edhe dorëheqjen e Brunilda Kasmit) dhe dy janë në pritje të vendimit. Ky raport ka shënuar një hendek jo të vogël për kandidaturat për KLGJ. Sepse 6 do të jenë anëtarët që do të vijnë nga radhët e gjyqësorit për në KLGJ. Me raportin e deritashëm i bie që kandidatët që kalojnë vetingun automatikisht emërohen në KLGJ, pasi nuk ka kuorum për përzgjedhje mes tyre.

Gjykata e Lartë shpalli dje përmes një njoftimi zyrtar thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për tu zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ. Kushtet ligjore që duhet të plotësojnë gjyqtarët e interesuar janë të parashikuara në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin sipas parashikimeve të nenit 10 të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” në Gjykatën e Lartë, brenda datës 15 shtator 2018.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas