Kryesore

Reforma në pagesën e kontributeve, Bode gati një ligj të ri


Megjithëse qeveria ka kundërshtuar vazhdimisht kohët e fundit rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për rritjen e taksës së sheshtë dhe atë të kontributeve, ajo ka kërkuar asistencën e Fondit për të reformuar këtë sektor. Ministria e Financave dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar po bashkëpunojnë për të përmbushur dhe përmbyllur kuadrin ligjor përsa i përket mbledhjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në vend. Arjana Dyrmishi, drejtoreshë e Politikave Fiskale pranë Ministrisë së Financave, deklaroi dje në komisionin kuvendor të Ekonomisë se po bashkëpunohet me FMN-në për të kompletuar ligjin për kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Dyrmishi evidentoi dy kategori, të cilat vështirësojnë mbledhjen e të ardhurave në arkën e shtetit; tatimpaguesit që deklarojnë paga në shumë më të vogël se realja dhe ata që nuk deklarojnë fare. Ajo theksoi se kategoria e dytë lë gjurmë në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Ekonomia informale është një pikë e rëndësishme ku FMN ka këmbëngulur në takimet me ministrin e Financave. Përveç rishikimit të kontributit për sigurimet, FMN i ka kërkuar qeverisë që të ndërmarrë një strategji urgjente për të luftuar ekonominë informale, e cila do të mund të ndikojë pozitivisht për skemën e pensioneve. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar që disa reforma për uljen e taksave, që janë ndërmarrë në të kaluarën, të rishikohen. Ekspertët e FMN-së, duke iu referuar strategjive afatmesme të qeverisë për uljen e borxhit publik, bazuar në rritjen e të ardhurave, kanë evidentuar që ato nuk janë në linjë me parashikimet e tyre dhe një nga ndikimet kryesore është ekonomia informale, çka mund të rezultojë me përkeqësim të mëtejshëm të borxhit. Dy janë taksat që prekin direkt buxhetin e shtetit dhe kostot e biznesit, për të cilat FMN sugjeron rritjen: taksa e sheshtë dhe taksa e kontributeve në tërësi, detyrime tatimore që u ulën tre vjet më parë me qëllim rritjen e bazës së taksapaguesve, për rrjedhojë rritjen e të ardhurave, si dhe lehtësimin e bizneseve nga barra fiskale. Në këtë mënyrë qeveria donte të tentonte të zhvillonte tregun e investimeve të huaja, apo thithjen e kapitalit përmes investimeve në sektorë të ndryshëm. Gjë që ndodhi, por nuk pati rezultat përsa i përket uljes së numrit të të punësuarve në të zezë. Pikat ku FMN dhe Financat po punojnë për kompletimin e reformës janë shtrëngimi i tatimpaguesve për të deklaruar të punësuarit dhe gjithashtu deklarimi i masës reale të pagës, me qëllim vjeljen e tatimeve për të rritur të ardhurat e arkës së shtetit.

 



 

 

 

Pagesa e kontributeve, ja procedurat e reja

 

Komisioni kuvendor i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje me konsensus edhe të opozitës ndryshimet në projektligjin “Për mbledhjen e Kontributeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”.  Ndryshimet e parashikuara në ligj prekin procedurat dhe afatet e deklarimit. Sipas ligjit në fjalë, personat juridikë dhe fizikë që ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare vetëm pas regjistrimit të tyre “Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” duhet të deklarojnë në organin tatimor dy ditë pune pas regjistrimit listën e të punësuarve dhe pagën përkatëse. Përfshirë këtu edhe listën e punonjësve të papaguar të familjes së personit fizik mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht. Deklarata e kontributeve duhet të përmbajë shumën e kontributeve të detyrueshme për t’u paguar dhe vlerën e kontributeve të paguara në total dhe për çdo individ. Personat që janë të detyruar të paguajnë kontribute deklarojnë në organin tatimor të dhënat sipas formatit të listëpagesës, ku shënohet për çdo person emri, mbiemri, numri personal, paga, shuma e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore si dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi për t’u paguar. Afatet kohore, të cilat parashikohen në projektligj, citojnë datën 20 të muajit  pasardhës për personat fizikë, përjashtuar personat fizikë të regjistruar si tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël. Deklarata në këtë rast do të përfshijë personat e vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes si dhe të vetëpunësuarit. Gjithashtu, ligji parashikon që personi juridik dhe fizik është i detyruar të deklarojë zyrtarisht, në organin tatimor çdo punonjës që fillon punë për herë të parë te subjekti apo të punësuar rishtazi pranë tij, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës. Kurse të larguarit nga puna, subjektet duhet t’i deklarojnë zyrtarisht në organin tatimor brenda 10 ditëve kalendarike nga data e largimit.

 

 

Tabela

 

–          Të punësuarit deklarohen dy ditë pune pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

–          Personi i detyruar për të paguar kontribute duhet të deklarojë në organet tatimore të dhënat për kontributet në total dhe për çdo individ.

–          Deklarata duhet të përmbajë shumën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore për t’u paguar, numrin e kontribuesve.

–          Personat që janë të detyruar të paguajnë kontribute deklarojnë te tatimet të dhënat sipas listëpagesës.

–          Deklarata bëhet nga personat fizikë, përjashtuar personat fizikë të regjistruar tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël, brenda datës 20 të muajit pasardhës. Përfshihen personat e vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes si dhe të punësuarit.

–          Personi juridik dhe fizik është i detyruar të deklarojë zyrtarisht te tatimet çdo punonjës që fillon punë për herë të parë te subjekti apo të punësuar rishtazi pranë tij, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës.

–          Të larguarit nga puna subjektet duhet t’i deklarojnë zyrtarisht në organin tatimor brenda 10 ditëve kalendarike nga data e largimit.

–          Nëqoftëse nga kontrolli rezulton se shuma e kontributeve e tejkalon shumën e llogaritur, organi përkatës rimburson diferencën.

–          Tatimpaguesi duhet të vendosë në listëpagesë numrin personal të çdo punonjësi

 

 

 

 

 

Kontributet shoqërore: Ja penalitetet dhe gjobat

 

Organet tatimore me anë të ligjit për kontributet shoqërore dhe shëndetësore kanë të drejtë të kontrollojnë punëdhënësit për të verifikuar nëse deklaratat dhe pagesat e kontributeve të detyrueshme janë të plota dhe të sakta. Ligji parashikon gjithashtu gjoba dhe interesa për vonesat e derdhjes së kontributeve. Kur organet tatimore zbulojnë se kontributet nuk janë paguar, lëshojnë një njoftim vlerësimi, ku paraqitet shuma e kontributeve shtesë për t’u paguar, së bashku me vlerën e interesave dhe të gjobave që duhen paguar. Pagesa e shumave të vlerësuara bëhet konform ligjit brenda 30 ditëve nga data e dërgimit të njoftimit të vlerësimit. Gjithashtu, organet tatimore kanë të drejtë të bëjnë vlerësime brenda 5 vjetëve nga data kur duhej të ishte depozituar deklarata për periudhën e vlerësuar. Nëqoftëse deklarata dorëzohet pas kësaj date, atëherë afati kohor prej 5 vjetësh fillon nga data e dorëzimit. Ndërsa, nëqoftëse ndryshon vlerësimi si rezultat i apelimit, afati kohor i përcaktuar shtyhet sa kohëzgjatja e apelimit. Ligji citon se nëqoftëse kontributet nuk paguhen në kohë, mbahen interesa për pagesë të vonuar dhe interesat nuk falen nga asnjë autoritet.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas