Mapo Letrare

Realja dhe fantastikja e Kim Mehmetit

kim-mehmeti (1)Shënime mbi “fshatin poetik” të prozës së Kim Mehmetit

Nga Agim Baçi



 

Ai është gjithnjë në dyert e baladës, por edhe duke e sjellë modernen pa asnjë divorc me të shkuarën, si për të përcjellë mesazhin se janë vetëm këndvështrimet e ndryshme brenda njeriut, që në thelb është i njëjtë, edhe pse udhëton në kohë dhe hapësirë. Filli që lidh prozat e tij: “Ritet e Nishanes”, “Fati”, “Lulehëna”, “Fshati pa varreza”, “Kulla dykatëshe”, “Lypsiqarët e Shkupit”, “Atje dhe dikur” është një fill ku ka marrë titullin edhe novela e tij “Fati”, e cila qëndron si një nyje shkakësie duke u kthyer në kryefjalë e të gjithë prozës së tij, gjithnjë në kufij mes fantastikes dhe reales.

Nuk ka fshat të dytë për Kim Mehmetin, por është një fshat i dëshiruar, sepse ka kohën dhe mungesën e saj, fuqinë e gruas dhe mohimin e saj, pushtetin e burrit dhe heshtjen e tij, ka Livadhin e Djemve ku vajzat janë në kërkim të një Loti. Sepse Loti dhe Buzëqeshja janë dy kufijtë e Njeriut, kudo qoftë ai. Sepse të gjithë kemi nevojë për “Makondon” tonë (Fshati i famshëm i Gabriel Garsia Markezit, portretizuar ne romanin “Njëqind vjet vetmi!”). Dhe Kim Mehmeti nuk gjykon, por bashkudhëton, si një fëmijë i kapur përdore me njerëzoren, por duke hedhur vallen e tij. Arsyet e fundit dhe fillimit të Njeriut, të mungesës së gjuhës dhe të kibernetikës, mund të hyjnë në atë fshat e të gjejnë gjithçka, nga pëlhura e ndjesive njerëzore, të bartura ashtu, nën përkundjen e urimit për atë që kemi dashur.

Në linjën e tregimit ai mbart një histori, një novelë thelbësore. Por në shtigjet e shkrimit të tij ka gjithnjë vend për detaje, që qëndrojnë si tregim më vete, ose bazë e një romani të rëndësishëm për dikë që di të sendërtojë imagjinatë në rrjedhën e një rrëkeje të hollë ndjesish që jep Kim Mehmeti.

I njohur në fund të viteve ‘80 dhe i vlerësuar pas viteve ’90, sidomos në trevat e lexuesve shqiptarë, Kim Mehmeti ka mundur të konkurrojë me një brez që vijon ende të jetë aktiv në letërsinë shqipe, duke përfshirë Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Fatos Kongolin, Zija Çelën, Milazim Krasniqin, Luan Starovën, Koço Kostën, dhe shumë shkrimtarë që kanë kapërcyer dy kohët, para dhe pas vitit ’90, që ndajnë jo pak letraren dhe letërsinë.

Nëse do t’i referoheshim Jauss-it lidhur me “horizontin e pritjes”, në teorinë e perceptimit, Kim Mehmeti do t’ia arrinte më së miri t’i lidhej çdo lexuesi pas vrapit të tij për të kuptuar botën. Kjo edhe për faktin se teksti i tij, i mbështetur në truallin e baladës me formatin “kohë pa kohë dhe vend pa vend” jep mundësinë që Kim Mehmetin ta lexosh në Prishtinë, Tiranë e Shkup me të “njëjtat syze”. Jo se ka të bëjë thellësisht me shqiptarët, por se është fshati ynë i të gjithëve, të cilën mund ta jetojnë dhe migrojnë lexues nga e gjithë “mëhalla botërore”, siç besoj se do të dëshironte ta cilësonte vetë Mehmeti vendin ku fle e zgjohet proza e tij.

Nëse do ta lexonim sipas Italo Kalvinos, përmes të Lehtës dhe të Rëndës (Italo Calvino,  Leksione Amerikane, Dituria 2011, Tiranë) do të kuptonim se ajo që mbartim është e rëndë, e ne nuk e lëvizim dot, se kështu e trashëguam. Thuajse të gjithë personazhet e Mehmetit edhe pse nuk pranojnë fatalitetin, ata dinë të jenë banorë të qetë të fatit të tyre. Kjo është njëkohësisht lehtësia e jetesës së imazhit të tyre. Mënyra se si gërshetohen e lehta dhe e rënda në këtë prozë përbën edhe urën nga realja te magjikja, ashtu siç do të kalonin në mbrëmje fqinjët tek shtëpia e njërit-tjetrit, sepse në “atë mëhallë poetike”, kufijtë nuk janë të tokës, as të kohës, por vetëm të njeriut dhe njerëzores.

Proza e Kim Mehmetit ka vend edhe për të dyja versionet që sugjeron në një lexim Umberto Eko, mes konvergjencës dhe divergjencës. Ata të lënë të bashkudhëtosh, por edhe të jesh ai që i kundërshton të tilla vendime. Me prozën e Mehmetit mund t’ia dorëzosh imagjinatën autorit dhe të lësh vetveten të kapërcejë kufirin e së mundshmes, ashtu siç mund të nisësh edhe një lexim divergjent. Në një stil që autori tenton ta kontrollojë përmes një gjuhe që shtigjet ia ngre vetë, divergjenca me të është më pak e vështirë se konvergjenca. Por në një mendje me Jauss-in, duke i dhënë prioritet horizontit tënd të kuptimit dhe autoritetit si lexues, atëherë ky udhëtim kërkon këmbëngulje. Padyshim, duke patur në mendje atë keqkuptim leximesh që vijnë nga leximet e mëparshme, apo siç e cilëson Harold Blum, si “Kompleksi i Edipit” në lexim, ku lexuesi fut në një tekst keqkuptimet e mëparshme të tijat dhe të të tjerëve.

“Makondoja shqiptare” që ndërton Kim Mehmeti, të jep të gjitha hapësirat e leximit, ashtu siç është vetë fshati, i rrokshëm por edhe i pamatë, pa hyrje dhe dalje të qarta, por i arritshëm për syrin, e aq më shumë për imagjinatën. Nën mbretërimin e narratives, Kim Mehmeti i krijon hapësirë rrëfimit dhe personazhit, duke ditur të ndalet kur dëshiron ai, sipas stilit impersonal. Për të, fabula është thjesht kosherja, ku më pas ai mbledh bletët e ndjesive për të ndërtuar kosheren e tij stilistike. Nuk ka rëndësi mosha. Ai e pleqëron edhe më të riun siç merr në gaz të moshuarin. Është njësh me natyrën, e njëkohësisht në fluturim, ashtu mes kullës dhe livadhit, mes oxhakut ku ka hierarki dhe fushës së gjerë nga ku nuk shënjohet asnjë rrugë, e ku do të duhet të krijosh vetë një shteg.

Në leximin e tij për rrëfimin romanor “Kulla dykatëshe”, studiuesi Ali Aliu e sheh Kullën si mall i të çrrënjosurit me dhunë.

Ardhur përmes këtij portreti kaq përfaqësues jo thjesht të një kohe, mund të themi se Kim Mehmeti është një zë përfaqësues i prozës që bart baladën, poezinë, realen dhe magjiken e hapësirës shqiptare, e njëkohësisht e ngjyen imagjinatën e tij artistike me përmendoren e përjetshme pas së cilës rrotullohet letërsia: me Njeriun! Kim Mehmeti, nëse do t’i referohemi Todorovit (Poetika e Prozës, botim i Panteon, botim 2000, f.68 ), ka arritur të gjejë edhe “Gralin e tij poetik”, duke e hedhur personazhin e tij përpara rrotës së fatit, por jo si viktimë, por për të ecur me të vrullshëm, që të mund t’ia arrijë atje ku i duhet, pa iu sosur ditët. Dhe kjo rrëfenjë kohë pa kohë, nis që nga koha e papërcaktuar e shtatzënisë, e cila nuk i “përfill” nëntë muajt e zakonshëm (Mehmeti Kim, Ritet e Nishanes, Dukagjini 2004, Pejë, f.31) e deri në motmotin poetik brenda botës që nuk mbaron.

Kjo e bën Kim Mehmetin të veçantë si rrëfyes, duke qenë ndoshta përfaqësuesi më tipik i realizmit magjik në brezin e vet mes shqipshkruesve.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas