Editorial

Rasti i Tom Doshit dhe tri mesazhet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara

Nga Ervis Iljazaj

Shpallja e Tom Doshit nga Departamenti i Shtetit Amerikan si person non grata, është rasti i dytë mbas Adriatik Llallës dhe me sa duket, SHBA e paska marrë seriozisht këtë punë.



Në radhë të parë duhet thënë se vendimi për Tom Doshin është një vendim politik dhe jo juridik. Asnjë gjykatë amerikane apo shqiptare nuk e ka shpallur deri më tani të fajshëm. Por, shpallja non grata, me të gjitha gjasat, është bërë sipas informacioneve në rrugë diplomatike nga kanale që vetëm këto shërbime i kanë.

Sipas ligjit amerikan komunikimi i shpalljes non grata, mund të bëhet ose në mënyrë private personit në fjalë, ose publikisht. Fakti që Departamenti i Shtetit e ka bërë këtë publike është më se domethënës.

Përtej vërtetësisë së akuzave apo jo për rastin e Tom Doshit, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë publik vendimin e tyre për t’i dhënë më së paku tri mesazhe politikës dhe drejtësisë shqiptare.

I pari është për drejtësinë. Nëse drejtësia shqiptare, nuk ka ndërmend të hetojë pushtetarët e lartë, atëherë Shtetet e Bashkuara do të gjejnë rrugë alternative për të “luftuar” ata politikanë të cilët ata i konsiderojnë të korruptuar apo të pabesueshëm. Dhe, nëse prokuroria vazhdon me këto ritme, nuk është çudi që vendime të tilla do të vazhdojnë edhe për persona të tjerë.

I dyti, është për qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e punës së Ambasadorit Amerikan në Shqipëri. Shumë prej zërave publikë kanë ngritur hije dyshim për punën e Donald Lu, apo edhe e kanë akuzuar atë publikisht për lidhjet e tij me Sorosin, politikë personale në Shqipëri, apo se me ndryshimin e administratës në SHBA do të ndryshonte dhe linja politike e tyre, për faktin se, Donald Lu është ambasador i zgjedhur nga Presidenti Obama. Të gjitha këto janë absurditete, që vijnë si pasojë e mosnjohjes së politikës së jashtme amerikane. Një politikë e cila nuk bazohet në ideologji, por në interesa kombëtarë. Kur bëhet fjalë për politikën e jashtme nuk ka rëndësi fare nëse ambasadori Lu është emëruar nga një President i djathtë apo i majtë, rëndësi ka linja e politikës së tij vetëm në interes të Shteteve të Bashkuara. Kështu që, të gjitha hamendësimet për anshmërinë e Donald Lu, janë të gjitha tentativa të dëshpëruara për t’iu kundërvënë Reformës në Drejtësi, investim amerikan dhe personal i tij.

Mesazhi i tretë ka të bëjë me interesat amerikanë në Shqipëri. Duhet ta kuptojmë njëherë e mirë se, Amerika ka interesa konkretë te ne. Përtej interesave ushtarakë edhe gjeopolitikë, mjafton të përmendim TAP-in, i cili është projekt strategjik për SHBA-në, apo në fushën e naftës me kompaninë SHELL. Prandaj, një superfuqi si Shtetet e Bashkuara, interesat e saj, kurrsesi nuk mund t’i lërë në dorë të një klase politike të pabesueshme. Në këtë kuptim, drejtësia, nëpërmjet Reformës, përbën një instrument për të siguruar një politikë të pastër.

Rasti i Shqipërisë, nuk është rasti i vetëm ku Shtetet e Bashkuara, janë duke përdorur drejtësinë si instrument diplomatik. Në të gjithë rajonin, pothuajse, reformat në drejtësi kanë shërbyer për të rivendosur marrëdhënie politike të reja midis SHBA dhe këtyre shteteve. Kështu që, askujt nuk duhet t’i ‘rrejë’ mendja se në këto kohë të pasigurta gjeopolitike, Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga misioni i tyre për t’i shkëputur njëherë e përgjithmonë politikës shqiptare drejtësinë nga duart.

PasPara

1 koment

  1. Sipas artikullit tend te djeshem, Reforma ne Drejtesi ka filluar te jape frutat e veta (qe i sheh vetem ti). Sot thua qe amerikanet nuk qenkan te kenaqur nga reforma dhe po japin sinjale te tilla. Po neser valle?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas