Kryesore

“Rasti i një multimilioneri nuk tregon aftësinë integruese të Gjermanisë”

Ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në Gjermani, largimi nga kombëtarja i futbollistit me origjinë turke, Mesut Ozil. 29-vjecari u kritikua pasi u fotografua me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan në një event të zhvilluar në muajin maj në Londër.

Ai thotë që ka marrë e-maile ku shprehej urrejtje ndaj tij dhe kërcënime dhe fajësohej për zhgënjimin e Gjermanisë në Kupën e Botës.



“Jam gjerman kur ne fitojmë, por jam emigrant kur ne humbim,” tha Ozil.

Turko-gjermani i brezit të tretë u lind në Gelsenkirchen. Por Ozil thotë se sjellja që është treguar ndaj tij kohët e fundit e bëri atë që të mos dojë ta veshë më bluzën e kombëtares  gjermane.

Në një deklaratë të gjatë ai tha se nuk ndjehej i pranuar nga shoqëria gjermane edhe pse ai paguante taksa, jepte donacione për kauza të mira dhe ishte fitues i një kupe bote.

“Me zemër të lënduar dhe pasi e mora gjatë në konsideratë prej ngjarjeve të fundit, unë nuk do të luaj më për kombëtaren e Gjermanisë për sa kohë që kam këtë ndjesi racizmi dhe mungese respekti,” tha lojtari.

“Dikur e vishja fanellën e Gjermanisë me shumë krenari dhe emocion, por tani nuk është më njësoj. Ndihem i padëshiruar dhe mendoj se ajo çfarë unë kam arritur që nga debutimi i 2009, është harruar”.

Gjermania është shtëpia e rreth tre milion pasardhësish turq- një çështje e ngritur rregullisht në debate politike në vend, ku emigrimi dhe ngritja e partive ekstremisht të djathta janë çështje kyçe për shumë njerëz.

Dhe Ozil vë në dukje në deklaratën e tij, se shokët e tij të ekipit me dy shtetësi nuk kanë qenë subjekte të një trajtimi të ngjashëm.

“Ka të bëjë me Turqinë? Me faktin që jam mysliman? Mendoj se këtu është një çështje më e madhe,” tha ai.

Ministrja Social Demokrate e Drejtësisë Katarina Barley tha: “Është alarmante nëse një lojtar i madh i futbollit gjerman si Mesut Ozil nuk ndihet i dëshruar në vendin e tij.”

Por ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, po nga Social Demokratët, mendon ndryshe.

“Nuk besoj se rasti i një multimilioneri që jeton në Angli, flet shumë për aftësinë integruese në Gjermani,” tha ai.

Kurse kancelarja Merkel tha përmes një zëdhënësi se duhet respektuar vendimi i Ozil. Ajo vlerësoi futbollistin, duke thënë se ka dhënë shumë për kombëtaren gjermane.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas