Sport

Ranieri rikuperon Shnajderin, Ibra bën stërvitje të diferencuar

Klaudio Ranieri do të mund të mbështetet te Uesli Shnajder në derbin e së dielës kundër Milanit. Lajmi i mirë i ka bërë të ëndërrojnë tifozët zikaltër që nuk shohin fitore ndaj rivalëve të tyre të përbetuar që prej vitit të tripletës. Megjithatë, më shumë se për derbin e së dielës Klaudio Ranieri mendon për atë të 6 majit, por fitorja ndaj Milanit që prej dy vjetësh nuk humbet në derbin ndërqytetas është një kënaqësi që do ta shijojë. Ranieri shpreson që progresin e mëtejshëm zikaltër ta shohë padyshim që nga derbi me kuqezinjtë. “Nuk dua të dribloj përgjegjësitë, pasi jam mësuar të përballem me to deri në fund, por këtë herë presionin më të madh do ta ketë Milani. Ne deri dje ishim me kokën nën ujë dhe nuk ndryshon asgjë nëse nuk fitojmë, pasi në klasifikim para është Milani. Ai që ka rëndësi për ne është derbi i 6 majit. Të paktën kështu shpresoj pasi kjo do të thotë se atëherë do të jemi në luftë për një objektiv madhor. Tani shqetësimi ynë I vetëm është të mbyllim mirë fazën e parë dhe të fillojmë akoma më mirë atë të kthimit”. Interi nuk fiton ndaj Milanit që nga 24 janari i vitit 2010, një agjërim që për trajnerin zikaltër nuk shkakton asnjë efekt të veçantë: “Mendoj vetëm që koha punon për mua. Në futboll seritë pozitive apo ato negative janë bërë për tu ndërprerë dhe kjo do të thotë se herët a vonë Milanit do ti duhet të humbasë”. Ndërkohë, dyshimi i vetëm në formacionin zikaltër pritet të jetë roli i mbrojtësit të krahut të majtë. Japonezi Nagatomo është në balotazh me rumunin Kristian Kivu. Për sa i përket pjesës tjetër të ekipi, Ranieri i ka idetë e qarta: Milito-Pacini do të jenë në sulm nga minuta e parë, ndërsa Forlan do ta nisë ndeshjen nga stoli.

Por ndërsa te Interi ka gëzim për rikthimin e Shnajderit, te Milani ka shqetësim për gjendjen e Zllatan Ibrahimoviç. Suedezi ka kryer dje një stërvitje të diferencuar dhe trajneri Algeri shpreson që gjiganti i sulmit të mos ketë asnjë problem thelbësor. Për sa i përket rikuperimeve, Milani do të ketë të gatshëm Klarens Sedorfin dhe Masimo Ambrozinin, ndërsa konfirmohet mungesa e Alberto Akulinait.



 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas