Aktualitet, Kryesore

Rama-Prokurores: Unë, Basha dhe Berisha të hetohemi për 21 Janarin


Tiranë Lideri i opozitës, Edi Rama, i kërkon Prokurores së Përgjithshme ta rendisë mes të hetuarve për 21 Janarin, së bashku me ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, dhe kryeministrin Sali Berisha. Rama i drejtohet me një pyetje publike kryeprokurores, në letrën dërguar dje në adresë të saj, se pse nuk është thirrur ende në cilësinë e koordinatorit të të gjitha përgatitjeve për demonstratën e 21 Janarit, duke shprehur bindjen se dëshmia e tij do të vlente po aq sa ato të tre deputetëve që u kërkohet imuniteti. “Pres me padurim që të thirrem për të kontribuar me gjithçka di për këtë hetim kaq të rëndësishëm për drejtësinë në Shqipëri, e për vetë Shqipërinë në rrugën e mundimshme të ndërtimit të shtetit të së drejtës. Dua të besoj se Ju do ta çmoni seriozisht këtë shprehje vullneti nga ana ime për ta ndihmuar hetimin dhe nuk do të ngurroni të më rendisni edhe mua në radhën e të hetuarve”, – shkruan Rama në letër, duke pyetur fill më pas për arsyet e mospërfshirjes në hetim të Bashës dhe Berishës. “Cila është pse-ja e mospërfshirjes në hetim të kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, si dy hallkat më të larta të zinxhirit të komandës së Gardës së Republikës e si përgjegjës të drejtpërdrejtë për funksionimin e asaj Garde që më 21 Janar vrau njerëz të pafajshëm?  E pamundur të kuptohet nga ana jonë, por me sa kam vënë re edhe nga ana e opinionit të shqetësuar publik, mbetja e hetimit në nivelin politik te vetëm tre deputetët opozitarë”, – shton më tej Rama në letrën për Prokuroren e Përgjithshme. Më tej, kryetari i PS-së shton se, megjithë gatishmërinë e deputetëve Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj, ata s’mund të përmbushin nevojën e një hetimi shterues të të gjithë nivelit politik, që, sipas tij, as s’mund të ndahet nga hetimi, e as mund të hetohet pjesërisht. Në letrën e tij Rama përmend dëshminë e vëllait të Hekuran Dedës, i cili ka denoncuar publikisht kryeministrin Sali Berisha për ofertën pas 21 Janarit. “Besoj se edhe kjo dëshmi e bën të domosdoshme marrjen në pyetje të Sali Berishës, bashkë me dorëzanin e tij që ka premtuar te familja Deda në emër të Sali Berishës jo vetëm para, por dhe fotografinë e vrasësit të Hekuranit, në këmbim të favorit të mikpritjes në shtëpi të kryetarit të qeverisë. Shqipëria meriton të dijë të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës”, – thotë më tej Rama, duke shkruar se e vërteta për 21 Janarin është një gur themeli në procesin për demokratizimin e vendit dhe garantimin e barazisë përpara ligjit. Në letrën e dërguar dje për Prokuroren e Përgjithshme, Edi Rama shprehet i vetëdijshëm për barrën e këtij hetimi, në kushtet kur është i penguar nga dëmtimi i provave apo akuzat e politikës mbi institucionin e prokurorisë apo vetë kryeprokuroren. “Por misioni i lartë që keni ndaj popullit shqiptar përmes Kushtetutës së tij, e bën praktikisht të pamundur në këtë rast uljen e nivelit të hetimit për sa u takon palëve e aktorëve politikë’, – thotë Edi Rama, i cili së bashku me mbështetjen për organin e akuzës, kërkon të merret në konsideratë edhe përfshirjen e plotë në hetim të nivelit politik të vendit.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas