Kryesore

Rama në Preshevë: Jo betejë për Shqipërinë e madhe

“…Kemi hapur një faqe të re për të gjithë ata që me diplomën e Shqipërisë do të duan të ushtrojnë profesionin e tyre dhe të realizojmë ambicien e tyre. Diploma e Republikës së Shqipërisë nuk do të jetë më një letër e panjohshme, por një dokument i njohur dhe i barasvlershëm me diplomën e marrë këtu, në Republikën e Serbisë…”

Në sallën e Pallatit të Kulturës në Luginën e Preshevës, aty ku u prit me ovacione, kryeministri Edi Rama premtoi shumëçka, duke theksuar se është hapur një faqe e re historie mes dy vendeve Shqipëri-Serbi. Rama theksoi se është marrë përsipër përgjegjësia për të mos lejuar më që gjenerata e re e shqiptarëve, por edhe e serbëve, të trashëgojnë traumat dhe pasojat traumatike të së shkuarës. Që në fillim të fjalës së tij, Rama solli në vëmendje marrëveshjen e vonshme që ai kishte firmosur me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç, në darkën informale të dy netëve më parë. “Pas një diskutimi intensiv me kryeministrin e Serbisë dhe me ekipin qeveritar serb, ne, në orët e fundit të mbrëmjes kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e të rinjve, por çka për ne është me një rëndësi të veçantë, edhe për njohjen reciproke të diplomave. Çka do të thotë se kësisoj kemi hapur një faqe të re për të gjithë ata që me diplomën e Shqipërisë do të duan të ushtrojnë profesionin e tyre dhe të realizojmë ambicien e tyre. Diploma e Republikës së Shqipërisë nuk do të jetë më një letër e panjohshme, por një dokument i njohur dhe i barasvlershëm me diplomën e marrë këtu, në Republikën e Serbisë…”, – tha dje Rama. Kryeministri kërkoi që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të respektohen në të njëjtën mënyrë sesi shqiptarët e Shqipërisë, apo edhe shqiptarët e Kosovës, respektojnë minoritetet. Rama njoftoi gjithashtu se në takimin kokë më kokë me kryeministrin Vuçiç, ai e kishte bërë të qartë se shqiptarët nuk janë në betejë për një Shqipëri të Madhe. “Nuk jemi në një betejë të përbashkët për ndonjë Shqipëri të Madhe, por jemi në një betejë të përbashkët për një Europë të Madhe, që ka vend për të gjithë shqiptarët dhe që duhet të përfshijë të gjithë shqiptarët, sigurisht, bashkë me të gjithë të tjerët. Kush e dëshiron këtë, njësoj si ne, nuk duhet të lejojë që kushtet e vështira, që pengesat e pafundme, që sjelljet diskriminuese t’i shtyjnë njerëzit në një drejtim krejt tjetër”, – u shpreh ai. Rama informoi gjithashtu se gjatë takimit ai i kishte adresuar kryeministrit serb edhe disa probleme që ishin evidentuar tashmë në Preshevë. “…Probleme që kanë të bëjnë me shkollimin, probleme që kanë të bëjnë me shëndetësinë, probleme që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe me zhvillimin ekonomik e social të një zone, e cila, sigurisht, përveç të gjitha këtyre ka nevojë edhe për një jetë kulturore. Për një jetë kulturore pa pengesa, për një jetë kulturore pa mure, për një jetë kulturore që të mos shihet shtrembër, por përkundrazi, të shihet si pasuri. Sepse në këtë paqe, për të cilën të gjithë së bashku duhet të punojmë që të jetë një paqe që ia vlen të jetohet, pakicat nuk mund të jenë më burim dasie, por duhet të jenë ura që lidhin fatet tona drejt së ardhmes. Askush nuk duhet të ndjehet keq, askush nuk duhet të ndjehet në pozitë të vështirë dhe askush nuk duhet të ndjehet si i mallkuar nga Zoti pse në vendin e vet ka edhe pakica, por gjithkush duhet të ndjehet me fat që në vendin e vet ka edhe pakica. Sepse mënyra sesi sillemi me pakicat, përcakton atë që ne jemi”, – tha ai. Rama u shpreh i vetëdijshëm se çështjet e Luginës janë çështje që kërkojnë zgjidhje me shtetin dhe me institucionet e Serbisë. Por ai garantoi se shteti shqiptar nuk do të tërhiqet nga detyrimi i tij kushtetues për të qenë i angazhuar në mënyrë konstante që, duke forcuar dialogun dhe bashkëpunimin me Serbinë, të forcojë pozitën e vet për të mbrojtur dhe për të mbështetur aspiratat e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë. ”…Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që ju keni këtu në Luginë për tekstet shkollore dhe e dimë edhe fondin e ndihmës së akorduar, bashkë me qeverinë e Kosovës, por kjo është shumë pak. Për këtë arsye, bashkë me kryeministrin Vuçiç, jemi fokusuar tek domosdoshmëria për ta parë me sy kritik gjendjen e infrastrukturës arsimore në Luginë dhe cilësinë e arsimit, kuptohet dhe tekstet. Do të bashkëpunojmë edhe me qeverinë e Serbisë, do të bashkëpunojmë edhe me përfaqësuesit këtu që kjo situatë të ndryshojë. I kam kërkuar shprehimisht kryeministrit të Serbisë, nëse duhet ta thosha këtu me zë të lartë që ai personalisht dhe qeveria serbe do të angazhohen personalisht për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe spitalore e për t’i dhënë fund odisesë së papranueshme të gjithë nënave të reja që për të lindur fëmijët duhet të ikin me dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra kilometra larg. E shprehimisht më ka thënë: ‘Po’. Shpresoj dhe besoj që ta mbajë fjalën, se pastaj nuk dua që kur t’i them nuk e mbajte fjalën, të thotë është provokim”, – tha ai. Më herët, kryeministri Rama u takua me udhëheqësit lokalë në Preshevë, ku u nderua me titullin “Qytetar Nderi”.



Rama mbërrin në Preshevë, pritet nga mijëra qytetarë

auto_kkkk661415703299Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në qytetin e Preshevës, ku është pritur nga mijëra qytetarë shqiptarë të cilët mbanin në duar flamurin kuq e zi. Ndërkohë që pritet një fjalim i Ramës përpara qytetarëve në Preshevë. Rama është drejtuar aktualisht për në Komunën e Preshevës.

Rama drejt Preshevës, shpallet “Qytetar Nderi”

Të shumtë janë qytetarët të cilët kanë mbushur rrugët e Preshevës për t’i uruar mirëseardhjen kryeministrit shqiptar Edi Rama. Ndërkohë që Kuvendi Komunal i Preshevës gjatë një seance të jashtëzakonshme i ka akorduar Ramës titullin “Qytetar Nderi” i Preshevës. Ky vendim ka marrë miratim unanim me 33 vota.

Gazetarët shqiptarë bllokohen për 40 min nga policia

Kryeministri Edi Rama është nisur sot drej Preshevës ku edhe do të takohet me shqiptarët që jetojnë në këtë zonë. Ndërkohë që delegacioni shqiptar vazhdon udhëtimin e parashikuar, një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur me autobusin ku edhe ndodhen gazetarët shqiptarë të cilët ndjekin nga afër vizitën e Ramës. Mësohet se autobusi me gazetarët është bllokuar për 40 minuta në afërsi të Vranjës nga policia serbe. Sipas gazetarëve shqiptarë ky veprim ka si qëllim të mos lejojë pasqyrimin e pritjes së Ramës në Preshevë nga qytetarët. Ndërkohë që pas ndërhyrjes së zyrtarëve të ministrisë së Jashtme shqiptare është bërë i mundur kalimi i gazetarëve.

Sipas policisë serbe, arsyeja e ndalimit kishte të bënte me sigurinë e kryeministrit Rama dhe delegacionin që e shoqëron atë. Tashmë autobusi i gazetarëve i është bashkuar atij të delegacionit zyrtarë shqiptarë dhe po udhëtojnë drejt Preshevës.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas